Kina shpreh shqetësim rreth sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq
2024-01-04 15:50:52

Foto nga VCG

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Geng Shuang shprehu të mërkurën shqetësim të madh rreth sulmeve të fundit ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke kërkuar t'u jepet fund sulmeve të tilla dhe duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë lirinë e lundrimit të të gjitha vendeve. 

Geng i tha këto në një mbledhje të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi sulmin e rebelëve Houthi të Jemenit në Detin e Kuq, në kushtet e shqetësimeve në rritje lidhur me tregtinë globale dhe qëndrueshmërinë rajonale, për shkak të konfliktit Izrael-Palestinë në Gazë.

Duke theksuar se Deti i Kuq është një rrugë e rëndësishme ujore për mallrat dhe energjinë, përfaqësuesi kinez tha se garantimi i lundrimit të lirshëm dhe siguria e anijeve kontribuon jo vetëm në paqen e qëndrueshmërinë rajonale, por edhe në ruajtjen e sigurisë së zinxhirëve globalë të furnizimit dhe të rendit tregtar ndërkombëtar, çka është në përputhje me interesat e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar.

 "Kina beson se të gjitha palët, veçanërisht fuqitë me ndikim, duhet të luajnë një rol konstruktiv e të përgjegjshëm në ruajtjen e sigurisë së rrugëve detare në Detin e Kuq," u shpreh Geng. 

I dërguari kinez vuri në dukje gjithashtu se tensionet e tanishme përbëjnë një sfidë të re ndaj procesit politik në Jemen dhe e ndërlikojnë më tej gjendjen e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Ai u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të ecin drejt një zgjidhjeje politike. 

Duke e përshkruar tensionin e tanishëm si një efekt të përhapur prej konfliktit në Gazë, Geng tha se e vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Detin e Kuq është armëpushimi në Gazë dhe dhënia e ndihmës humanitare atje. 

Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të vijuar përpjekjet për uljen e tensioneve në Detin e Kuq, zgjidhjen politike të çështjes jemene, realizimin e armëpushimit në Gazë dhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë në Lindjen e Mesme, shtoi ai.

Të mërkurën, grupi Houthi sulmoi me raketa një anije mallrash në Detin e Kuq dhe u zotua se do të vazhdojë të ndalojë anijet izraelite ose ato që drejtohen për në Izrael të lundrojnë në Detin e Kuq dhe Detin Arabik derisa të lejohet hyrja e ndihmës ushqimore dhe mjekësore në Rripin e Gazës.