Mbretëresha e Danimarkës do të abdikojë, froni i kalon Princit të Kurorës Frederik
2024-01-03 10:52:39

Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II (Foto RTSH)

Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II (Foto RTSH)

Mbretëresha e Danimarkës, Margrethe II, ka njoftuar se do të abdikojë nga roli i saj në fillim të vitit 2024, pas një mbretërimi që zgjati më shumë se pesë dekada.  

Në fjalimin e saj tradicional të Vitit të Ri, 83-vjeçarja Margrethe tha se do t'ia dorëzojë fronin djalit të saj, Princit të Kurorës Frederik, përcjell “RTSH”.  

Ajo përmendi një operacion, që fatmirësisht kishte shkuar mirë, duke nënkuptuar se shëndeti është arsyeja e heqjes dorë nga froni mbretëror.  

“Kam qenë Mbretëresha e Danimarkës për 52 vjet. Këto dekada do të lënë gjurmë te kushdo. Koha bën të vetën dhe sëmundjet shtohen. Njeriu nuk mund të ndërmarrë aq sa ka menaxhuar në të kaluarën”,- deklaroi ajo.  

“Kam vendosur që tani është koha e duhur për ta pasuar fronin. Më 14 janar 2024, 52 vjet pasi pasova babanë tim do t’ia dorëzoj fronin e Danimarkës djalit tim, Princit të Kurorës, Frederik”,- tha mbretëresha në fjalimin e saj.  

Mbretëresha Margrethe II e mori fronin më 14 janar 1972 pas vdekjes së mbretit Frederik IX.  Pas vdekjes së mbretëreshës britanike Elizabeth II vitin e kaluar, Margrethe u bë monarkja më jetëgjatë në Europë. (Elona)