Presidenti çek kërkon futjen e vendit në Eurozonë
2024-01-03 10:02:42

Euro (Foto ATSH)

Euro (Foto ATSH)

Presidenti çek, Petr Pavel, ka shfrytëzuar fjalimin e tij të parë të Vitit të Ri, që nga marrja e detyrës, për të bërë thirrje për futjen e euros në vendin e tij.  

“Ka ardhur koha që ne të fillojmë të ndërmarrim hapa konkretë që do të çojnë në përmbushjen e këtij angazhimi. Për një vend me një ekonomi të hapur dhe të orientuar nga eksporti, i cili ndodhet në qendër të Europës, monedha e përbashkët është e ardhmja logjike”, tha presidenti 62-vjeçar, citon “ATSH”.  

Praga mori një angazhim për të adaptuar euron kur u bashkua me BE-në, pothuajse 20 vjet më parë, por nuk u caktua asnjë kornizë kohore.  

Qeveria liberalo-konservatore e kryeministrit Petr Fiala nuk ka arritur ende të bjerë dakord për një datë për t’u bashkuar me Eurozonën.  

Megjithatë, një ndryshim i ligjit që hyri në fuqi në fund të vitit u lejon kompanive që gjenerojnë pjesën më të madhe të xhiros në euro të mbajnë llogaritë e tyre në këtë monedhë.  

Dhoma çeke e Tregtisë bën të ditur se shumë kompani të mëdha gjithsesi faturojnë njëra-tjetrën në euro. (Elona)