SHBA gati të ofrojë armatime me vlerë 250 milionë dollarë për Ukrainën
2023-12-30 18:15:30

CFP

CFP

Shtetet e Bashkuara pritet të ofrojnë ndihma për Ukrainën që kapin vlerën deri në 250 milionë dollarë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se kjo do të jetë paketa e fundit e ndihmës ushtarake për Ukrainën për këtë vit, ndërsa në Kongres vazhdon ngërçi që ka bllokuar miratimin e një pakete ndihme të propozuar nga presidenti Joe Biden, shkruan “Panorama”.

Ndihma e fundit përfshin një sërë municionesh për mbrojtjen ajrore dhe sisteme të raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione artilerie dhe sisteme kundër blindave, mbi 15 milionë fishekë, pajisje mjekësore dhe të tjera.

Ndihma është siguruar përmes një autoriteti presidencial që mundëson realizimin me shpejtësi të ndihmës përmes tërheqjes nga rezervat e Pentagonit.

Presidenti Joe Biden po i kërkon Kongresit miratimin e një pakete ndihme prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare. Kjo paketë përfshin 61.4 miliardë dollarë për Ukrainën, gjysma e së cilave për të rimbushur rezervat e Pentagonit.

Paketa përfshin gjithashtu rreth 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe luftën e saj kundër Hamasit, ndërsa 14 miliardë janë për sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Fondet e tjera do të shkojnë për nevojat e sigurisë në Azi-Paqësor.

Ky projektligj po kushtëzohet nga republikanët, të cilët kërkojnë miratimin e fondeve për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pa miratimin e fondeve shtesë, ndihma amerikane për Ukrainën do të mbarojë deri në fund të vitit. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar disa paketa ndihme për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus në shkurt 2022. (Irma)