Anxhelina Mile, sfidat dhe sukseset
2023-12-19 11:31:29

Anxhelina Mile ka studiuar për psikologji dhe e sheh jetën me sytë e një psikologu. Në familjen e saj asgjë nuk ka qenë e lehtë. Është detyruar që të përballet me dhunën e ushtruar  nga ana e babait të saj ndaj nënës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Ajo ka mësuar shumë nga vështirësitë dhe sot e sheh jetën si një sfidë për të qenë e lumtur. Anxhelina nisi studimet  për psikologji si një studente e rrjetit të ekselencës dhe shkëlqeu në atë degë. Një nga dëshirat e saj të përditshme është të mësojë më shumë dhe të nxisë dijet e saj .

Anxhelina Mile e ftuar ne programin Ka Nje Mesazh Per Ty ne Tv Klan ( foto personale)

Anxhelina Mile e ftuar në programin Ka Një Mesazh Për Ty në Tv Klan ( foto personale)

CMG:  Anxhelina, çfarë kuptimi ka emri juaj ?

Anxhelina Mile: Emrin ma ka vendosur mami dhe këtë pyetje nuk ja kam bërë asnjëherë vetes, nuk kam pasur ndoshta kuriozitetin e duhur për të shkuar tek kjo pyetje,  por di që ajo e ka dashur shumë si emër.

CMG: Pse keni vendosur të studioni për psikologji?

Anxhina Mile: Kam marrë atë vendim sepse jeta ime ka qenë një film, të cilit nuk e di nëse ia gjej dot përshkrimin e duhur apo të saktë. Kam dëshiruar që t'i jap zgjidhje problemeve te mia qëkurse kam qenë e vogël dhe kam pasur aq shumë shpërthime emocionale sa kam besuar që të vijoj për psikologji do mësoja me shumë për njeriun dhe emocionet. Do mësoja më tepër për zgjidhjen e problemeve.

CMG: Na treguat për dhunën në familjen tuaj dhe sot dilni me mesazhe të forta ndaj dhunës.

Anxhelina Mile gjate viteve te studimit( foto personale)2

Anxhelina Mile gjatë viteve të studimit( foto personale)2

Anxhelina Mile: Po kam rënë pre e dhunës, por sot dua t’i kujtoj si mësime  të jetës sime. Babai ynë ka qenë konfliktual dhe nuk na ka trajtuar me dinjitetin që trajtohen familjet. Nëna ime ka qene përherë e detyruar që të bëjë rolin e një burri në familje. Ajo na ka mësuar që të jemi të drejta në jetën tonë dhe ne jemi udhëzuar prej saj. Fatkeqësisht me ka munguar roli i një babai në shtëpi dhe dashuria e tij.  Por fati i mirë i yni është që ne në familje jemi katër motra dhe fuqimisht kemi mbajtur njëra-tjetrën.

CMG: Çfarë mësimesh ke nxjerrë nga jeta  përballë këtyre vështirësive?

Anxhelina Mile: Më ka mësuar që jeta nuk ka momente të gjata lumturie, por ka thjesht copëza të cilat ne duhet t’i shtrëngojmë fort dhe të udhëzojmë jetën tonë përmes çasteve të lumturisë.

CMG: Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tënde?

Anxhelina Mile: Kur unë vendosa të vija me studime në Tiranë. Ishte një moment që unë e kisha ëndërruar, por asnjëherë nuk  kisha pasur pritshmëri të qarta sepse mendoja që nuk e kisha suportin e duhur dhe kështu ishte e vërteta . Kur erdha në Tiranë nuk kisha asgjë me vete. Nuk kisha një telefon për të komunikuar. Telefoni im ishte një letër ku mami me shkroi numrin e saj dhe më porositi sapo të mbërrija në konvikt të gjeja një mundësi dhe thjesht t’i thoja se unë kisha mbërritur. Kisha vetëm paratë për konviktin dhe pak para për ushqim. Asgjë tjetër. Sot kur kthej sytë pas mendoj çfarë vështirësie emocionale kam pasur, në çfarë sfidash ka kaluar jeta ime. Por, kam qenë gjithmonë e duruar kam shpresuar dhe ja ku jam sot . Netë të tëra në lot dhe trishtim, por më në fund unë i gëzohem jetës sime.

Anxhelina Mile dhe Partneri i saj Albani ( foto perosnale)

Anxhelina Mile dhe Partneri i saj Albani ( foto perosnale)

CMG: Kush të ka ndihmuar në gjithë këtë periudhë të vështirë të jetës?

Anxhelina Mile: Shumë njerëz më kanë qëndruar pranë. Më kanë dhënë mirësi dhe për çdo gjë që kam pasur nevojë kam pasur një derë ku të trokas dhe për këtë ndihem e lumtur dhe krenare. Në shkollë  kam njohur njerëz të mirë dhe dashamirës ndaj  meje.

CMG: Cila do të ishte këshilla juaj për familje  që mund të përjetojnë dhunë?

Anxhelina Mile: Nuk do i këshilloja të falin. Do vijë një ditë që do pendohen nëse sot janë duke falur më tepër se sa duhet

CMG: Kush i gëzon sot ditët e tua?

Anxhelina Mile: Unë kam gjetur dashurinë time të jetës dhe është Albani, njeriu im i zemrës, i cili sot ndan me mua jetën dhe uroj që ai të jetë përjetësisht në jetën time. Është një person që më ka përkrahur shumë, më është gjendur në çdo moment të vështirë dhe nuk e shoh dot jetën pa Albanin. Gjithë dashuria që mund të më ketë munguar në jetën time, sot është plotësuar prej tij.

Anxhelina Mile ne familjen e saj  ( foto personale)

Anxhelina Mile në familjen e saj  ( foto personale)

Intervistoi  Megi Latifi