Xi Jinping-u takohet me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Vietnamit Vương Đình Huệ
2023-12-13 18:12:00

Të mërkurën paradite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Hanoi me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Vietnamit Vương Đình Huệ.

Gjatë takimit, Xi Jinping-u vuri në dukje që Kina dhe Vietnami kanë sisteme të njëjta politike dhe ideale të afërta e fate të lidhura. Gjatë 73 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, miqësia tradicionale kino-vietnameze është forcuar pandërprerë nëpërmjet ndihmës e mbështetjes së ndërsjellë për çështjen e pavarësisë dhe çlirimit kombëtar, dhe bashkëpunimi i gjithanshëm strategjik dypalësh në nxitjen e ndërtimit të socializmit është thelluar.

Xi theksoi se, në situatën e re, të dy palët duhet të vazhdojnë t'i trajtojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre nga lartësia strategjike, për të nxitur bashkëpunimin miqësor dypalësh.

Kreu i shtetit kinez paraqiti më tej disa propozime.

Së pari, marrëdhëniet dypalëshe duhet të zhvillohen në rrugën e duhur. Duhet të forcohen komunikimi strategjik i nivelit të lartë dhe shkëmbimet e përvojës në qeverisjen e partisë e të vendit dhe të mbrohen interesat e përbashkët strategjikë dypalësh.

Së dyti, duhet të nxitet bashkëpunimi konkret. Kina dhe Vietnami gjenden në etapën kyçe të reformës e zhvillimit dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta përputhet me kërkesat reale të të dy vendeve. Të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin në fusha si transporti, zinxhirët industrialë e furnizues dhe ekonomia e gjelbër, për t'u sjellë të dy popujve dobi.

Së treti, duhet të mbahen nën kontroll mosmarrëveshjet. Të dy palët duhet të ndërmarrin veprime konkrete për të nxitur bashkëpunimin dhe kontrollin e mosmarrëveshjeve, duke promovuar bashkëpunimin detar, veçanërisht në fushën e eksplorimit të përbashkët.

Në emër të popullit vietnamez, Vương Đình Huệ i shprehu mirëseardhjen  në Vietnam për vizitën shtetërore presidentit Xi Jinping. Ai vuri në dukje se Vietnami e vlerëson konceptin qeverisës të PKK-së, uron nga zemra për sukseset e arritura nga Kina dhe është i bindur se Kina do të arrijë sipas afatit objektivin për t'u kthyer në një vend të fuqishëm modern socialist. Kryeparlamentari vietnamez beson se, si një parti e një vend që janë të përgjegjshëm, PKK-ja dhe Kina do të japin një kontribut më të madh për nxitjen e paqes dhe të zhvillimit botëror. (Fani)