Buxheti i Shtetit 2024 dhe rritja ekonomike e Shqipërisë
2023-12-12 09:55:02

Infrastruktura projektet 2024

Infrastruktura projektet 2024

Më 7 dhjetor 2023, Kuvendi i Shqipërisë miratoi nen për nen dhe në tërësi Projektbuxhetin e vitit 2024 dhe projektligjet e paketës fiskale 2024. Buxheti 2024 synon të mbështesë më tej zhvillimin ekonomik, duke garantuar një rritje të qenësishme ekonomike të vendit, mirëqënien e qytetarëve dhe vijimin e reformave të nisura për përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Janë mbi 7 miliardë euro që nga taksat tona qeveria synon të shpenzojë për vitin 2024. Buxheti vijon mbështetjen për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke dhënë një të tretën e 7.3 miliardëve eurove të tij për pensionet, të papunët, familjet në ndihmë sociale, gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuar, ish-të përndjekurve politikë, ish-pronarëve, bonusin e bebeve, etj.

Buxheti i shtetit 2024 mund të quhet pa frikë buxheti i pagave. Ai garanton mbajtjen e premtimit të qeverisë që paga mesatare në shtet të shkojë gjatë vitit të ardhshem në 900 euro si pagë neto, duke dhënë 106 mln euro më shumë në rroga të rritura. Fondi i plotë shtesë i rritjes së pagave për të dyja vitet 2023-2024 është 39.1 miliardë lekë ose 390 milionë euro. Niveli 900 euro page mesatare neto në administratën shtetërore e rendit Shqipërinë të tretën në rajon për pagën mesatare në administratën shtetërore, pas Malit të Zi dhe Serbisë.

Ky buxhet është edhe buxheti i të ardhurave më të mëdha në historinë e 33 buxheteve pluraliste 1992-2024, me 6.7 miliardë euro të ardhura, ose rreth 28 përqind të Prodhimit Kombëtar.

Buxheti për pushtetin vendor (Foto Agjencia MIA)

Buxheti për pushtetin vendor (Foto Agjencia MIA)

Buxheti i Shtetit 2024 do të realizojë investime publike në masën 1.27 miliardë euro, ose 5.3 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, pra Prodhimit Kombëtar. Ai jep 4.3 miliardë lekë ose 42 milionë euro më shumë nga plani fillestar i vitit 2023.

Mund të quhet ndryshe edhe buxheti i investimeve në infrastrukturë, pasi shumica e 1.27 miliardë eurove shkon për financimin e projekteve infrastrukturore në vazhdim, me rëndësi për zhvillimin më të madh të turizmit në jug të vendit, si ndërtimi i Tunelit të Llogarasë dhe segmenti rrugor Orikum-Dukat.

Nga ana tjetër, kemi ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, i cili ka tërhequr edhe fonde të Programit të Konektivitetit të Procesit të Berlinit, për arësye se Tirana tashmë konsiderohet një qendër zhvillimi ekonomik dhe shoqëror me rëndësi për rajonin.

Buxheti do të realizojë përfundimin e punimeve të Rrugës së Arbrit, segment rrugor që i krijon mundësi një zone të tërë të vendit, Dibrës, deri tani e izoluar nga zhvillimi intensiv i ekonomisë së Shqipërisë, për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore. Dibranët shumë shpejt do ta bëjnë Tiranën në më pak se 1 orë, nga tre orë që ju duheshin më parë.

Buxheti 2024 ndihmon po ashtu edhe projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve, me një vlerë totale prej 11 miliardë lekë ose 105 milionë euro, si dhe projektet e zhvillimit urban në shumë zona të vendit, që do të zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për një shumë rreth 160 milionë euro.

Një karakteristikë tjetër e Buxhetit të Shtetit 2024 është se vijon me ritme të rritura financimi i rindërtimit nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, me 7 miliardë lekë ose 68 milionë euro, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e fondeve të tjera, me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi. 

Buxheti mbështet arsimin publik me 3.2 përqind të prodhimit kombëtar dhe shëndetësinë publike me 3 përqind.

Nga ana tjetër, të 61 bashkitë e vendit marrin 10.4 përqind më shumë fonde nga viti 2023.

Të,dhënat nga Buxheti i shtetit (Foto Scan Tv)

Të,dhënat nga Buxheti i shtetit (Foto Scan Tv)

Për herë të parë në 15 vitet e fundit, Buxheti i Shtetit e zbret borxhin publik në më pak se 60 përqind të Prodhimit tonë Kombëtar, ose Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Për shkak të tre goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, Pandemisë së Covid-19 në vitet 2020-2021 dhe rritjes së fortë të çmimeve ndërkombëtare në vitin 2022, borxhi publik i vendit ishte rritur me shpejtësi, për të arritur në vitin 2021 në 74 përqind të Prodhimit Kombëtar, por qeveria arriti ta ulë në dy vitet e tjera, sidomos gjatë këtij viti 2023.

Buxheti i Shtetit sot ka fonde vetëm sa t’u indeksojë pensionet të 704 mijë pensionistëve tanë. Pra pensionet arrin t’i rrisë, por jo sa po u rrit rrogat punonjësve të Shtetit, me 20 përqind.

Sidoqoftë, edhe një rritje 4-5 përqind, prapë shtim parash për pensionistët është. Por a mjafton kjo për ta dhe për shtresat në nevojë të popullsisë, në një kohë kur çmimet e mallrave ushqimore nuk ulen, por përkundrazi, priten të rriten? Sipas Institutit Kombëtar të Statistikës INSTAT, vetëm për 10 mujorin janar-shtator 2023, ato u shtuan me 8.4 përqind.

Kjo përbën një këmbanë të fortë alarmi dhe qeveria duhet të përgatitet për paketa të ndihmës sociale për vitin 2024, edhe pse një të tretën e buxhetit për vitin e ardhshëm e ka për pensionistët dhe shtresat në nevojë. Madje tashmë, ajo e ka anoncuar se po punon për një paketë të tillë.

Ndërkohë, Buxheti i Shtetit i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal. Ndërhyrjet e pakta në legjislacionin tonë fiskal e thjeshtojnë sistemin dhe lehtësojnë në të ardhmen investimet e huaja në vend. 

Fatos Çoçoli