Nuk ka më një “Mur Kinez” në marrëdhëniet me Europën!
2023-12-09 14:45:06

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Sipërmarrësit dhe biznesmenët europianë festuan në fund të nëntorit lajmin e gëzueshëm se qytetarët francezë, gjermanë, italianë, holandezë e spanjollë tashmë do të udhëtojnë pa viza në Republikën Popullore të Kinës së paku për 15 ditë. Ishte ky një vendim i rëndësishëm i lidershpit kinez në prag të takimit që do të vinte të enjten e shkuar midis dy liderëve të BE-së, presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të KE-së, Charles Michel, me autoritetet kineze në Pekin, veçmas me ministrin e Punëve të Jashtme, Wang Yi. Vetë zoti Wang Yi deklaroi në gazetën kineze “Global Times” se “Nëse Kina dhe Europa zgjedhin bashkëpunimin, atëherë nuk do të ketë asnjë situatë konfrontimi”!

Javën që sapo kaloi presidenti kinez, Xi Jinping, i priti liderët e BE-së në mënyrë miqësore. Në fakt, është në traditën e shtetit kinez pritja dhe sjellja miqësore e korrekte me partnerët dhe miqtë e tij. Sipas medieve europiane takimi midis presidentes von der Leyen e Michel nga njëra anë si dhe shefit të shtetit, Xi, ishte në respekt të plotë të palëve dhe dha mesazhe pozitive. Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian foli në atë takim për shqetësimin e saj rreth defiçitit tregtar midis Kinës dhe BE-së. Duket se diferenca në këtë bashkëpunim është një problem për vendet e Europës. Gjithësesi, ky mbeti një konstatim, pa marrë përgjigje për shkaqet e këtij defiçiti.

Ndërsa presidenti Xi kërkoi që Kina dhe Europa të mos e shohin njëra-tjetrën  si rivalë e të mos shkojnë drejt konfrontimit për shkak të sistemit politik e qeverisës të ndryshëm midis tyre. Ka disa vende të BE-së, të cilat e konsiderojnë gjigandin aziatik jo vetëm si konkurrent, por edhe si rival. Ndërkohë që Pekini dëshiron një klimë më të favorshme politike për të mundësuar suksesin e lidhjeve ekonomike.

Foto:VCG

Foto:VCG

Por, nga ana tjetër, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me vendet e BE-së veç e veç, si dhe me vetë Brukselin si strukturë, në të gjitha fushat e ekonomisë. Sipas tij, Republika Popullore e Kinës është e gatshme që të bashkëpunojë si partnere e besueshme me BE-në e vendet e saj në fusha të tilla si industria, teknologjia shkencore, në furnizimin me lëndë të para, në projektet e nismës kineze, për rindërtimin e Rrugës së Mëndafshit etj. Njëkohësisht ai kërkoi bashkëpunim edhe për teknologjinë e lartë.

Mesazhi i fundit që dy përfaqësuesit më të lartë të BE-së morën në Pekin ishte fakti se Kina e mban dhe do ta mbajë Europën si partnerin më të rëndësishëm në bashkëpunimin industrial e ekonomik midis dy palëve. Natyrshëm që këtë situate të favorshme e solli qëndrimi politik e diplomatik i Pekinit sa i përket zhvillimeve në konfliktin e Ukrainës dhe atij në Gazën palestineze. Perëndimi ndoshta priste se Republika Popullore e Kinës do të mbante hapur anën e Rusisë, duke u bërë pengesë e përpjekjeve të Europës dhe SHBA-ve në këtë konflikt.

Në fakt ndodhi ndryshe. Në Perëndim pati disa politikanë e diplomatë, të cilët shpresuan se tashmë bota do të konrontohej si në periudhën e Luftës së Ftohtë, kësaj radhe midis BE-së e SHBA-ve, nga njëra anë dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër. Por qëndrimet politike e diplomatike të Pekinit evituan një Luftë të Ftohtë klasike si ajo e gjysmës së dytë të shekullit XX. Po kështu ndodhi edhe në rastin e konfliktit dy mujor midis Izraelit dhe Hamasit, ose vetë Palestinës.

Në këto rrethana Brukseli dhe Uashingtoni ndryshuan qasjen ndaj Kinës. U vetofruan për një strategji të re të rrugëve të komunikimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve, sidomos në ekonomi, tregti, investime dhe marrëdhëniet në industri e teknologji etj. „Muri Kinez” i para dy viteve midis këtyre Fuqive thuajse nuk ekziston më. Thjesht po çvendoset nga mendjet paragjykuese të disa skeptikëve qe e shohin botën bardh e zi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Por Republika Popullore e Kinës ka politikën e diplomacinë e saj, të pandikuar nga asnjë fuqi tjetër, përveçse zhvillimeve ndërkombëtare objektive.

Ajo që ka rëndësi dhe mbahet parasysh në lidhjet midis Europës dhe Republikës Popullore të Kinës lidhet me krijimin e një simetrie midis tyre në tregti dhe zhvillimin e tregut, bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Dhe kjo varet gjithnjë nga kërkesa dhe oferta e tregut. Nëse vendet e BE-së kanë më shumë nevojë për lëndë të para të Kinës dhe kjo e fundit ka më pak nevoja të tilla për të përfituar nga Europa, kjo imponohet nga raporti i kërkesës dhe ofertës. Nuk është politika ajo që dikton nevojat e prodhimit e të konsumit në raportet midis të dy vendeve ose boteve.