Samiti Kinë-BE, drejt ndërtimit të një konsensusi strategjik
2023-12-09 21:25:26

Pas 4 vitesh kontaktesh në distance për shkak të periudhës pandemike, kohë kur fuqitë e mëdha Kinë dhe BE në shkëmbimet e tyre kanë shënuar dhe disbalanca, Samiti i 24-t Kinë-BE dhe vizita në Pekinin zyrtar e presidentit të Këshillit Evropian Charles Miches dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pritet të shtrojnë rrugën e konsensusit strategjik. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ka analizuar këtë ngjarje me rëndësi globale kryetari  i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, diplomati Albert Rakipi.

CMG: Takimi mes përfaqësuesve të lartë të BE-së Ursula von der Leyen dhe Charles Michel me presidentin Xi Jinping  të enjten në Pekin u mbajt në 20-vjetorin e vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe BE-së dhe të 25-vjetorit të krijimit të mekanizmit të Takimit të Liderëve Kinë-BE. Pas dallimeve dypalëshe vlerësoni se po starton një epokë e re partneriteti?

Albert Rakipi: Mendoj se është e vështirë të thuhet tani për tani se do të ketë ndryshime thelbësore nga pozicionet aktuale dhe çështjet që i ndajnë Kinë dhe BE-në. Por është shumë e rëndësishme që liderë të BE-së ishin në një samit për here të pare ballë për ballë për të diskutuar çështje të cilat janë në interesin e dy fuqive në planin ekonomik, por dhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet ndërkombëtare gjeopolitike, siç është kriza më e fundit në Lindjen e Mesme, e cila si një eskalim dramatik ka lënë në hije dhe luftën në Europë, që ka patur implikime të jashtëzakonshme për sistemin ndërkombëtar, për sigurinë dhe ekonominë globale.

Në Samit u trajtuan çështje shumë thelbësore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ekonomike midis BE-së dhe Kinës. Siç e dimë ka një disbalancë në marrëdhëniet tregtare që shkon deri në 400  miliardë euro dhe të dyja palët, si presidenti i Kinës dhe përfaqësuesit evropianë paraqitën pikëpamjet e tyre dhe duket sikur ka një vullnet pozitiv për një lloj reflektimi se çfarë mund të bëhet për të reduktuar deficitin e madh, këtë disbalancë të madhe, që ekziston në marrëdhëniet tregtare midis dy palëve.

Në shtator Komisioni Evropian ka filluar një praktikë investiguese lidhur me marrëdhëniet që Kina ka me prodhuesit e vet, të cilën Kina e konsideron si një zhvillim për një politikë proteksioniste. Këto janë çështje shumë të rëndësishme duke patur parasysh faktin e fuqisë globale të Kinës në planin ekonomik dhe të një partneri të rëndësishëm siç është Bashkimi Evropian.

Besoj që të dy palët shprehën një lloj gatishmërie për të reflektuar për çështjet ekonomike. Industria kineze e prodhimit të makinave elektrike është një konkurrencë shumë e forte për tregun evropian të makinave dhe për shkaqe që dihen kjo ekziston sepse Kina posedon lëndën e pare të baterive për prodhimin e makinave elektrike, të cilat po hyjnë gjerësisht në tregun botëror sot.

Pjesë e Samitit kanë qenë dhe çështje të tjera të rëndësishme si klima, mjedisi, etj., të cilat kanë mjaft të rëndësishme për të dy fuqitë dhe aspekti teknologjik ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe një tendencë për një konkurrencë më të madhe për ekonominë globale.

CMG: Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës lidhur me Samitin thuhet se “Liderët e Kinës dhe BE-së arritën një konsensus të rëndësishëm”. Presidenti kinez bëri thirrje në takimin me liderët e Bllokut Europian se “të dy palët duhet “të rrisin vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik” , “të ndërtojnë konsensus strategjik” Ndërsa von der Leyen theksoi se “Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së, por ka pabarazi dhe dallime të qarta që duhet të zgjidhen”. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel tha se “Duhet të zbatohen masa konkrete për të ribalancuar këtë marrëdhënie” Në gjykimin tuaj a janë të gatshme palët t’u përgjigjen së bashku sfidave globale?

Albert Rakipi: Çështja e pare është marrëdhëniet ekonomike midis dy fuqive, që është një çështje e rëndësishme.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

CMG: Kjo është e krahasueshme edhe me marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së, nëse i referohemi dhe vizitës në shtator të presidentit Xi në San Francisko dhe takimit me presidentin Biden.

Albert Rakipi: Patjetër. Në fakt tre muajt e fundit ka patur një trafik diplomatik shumë të madh në Pekin dhe në SHBA, që kulmoi me takimin e presidentit kinez  me presidentin Biden. Ndërkohë në Pekin ka shkuar kryeministri i Australisë, një konferencë online të presidentit të Kinës me kancelarin gjerman, por dhe të udhëheqësve të vendeve të tjera.

Mendoj që problemi themelor është një përpjekje e të dyja palëve sa i përket Kinës dhe BE-së, por në një plan më të gjerë dhe midis fuqive të mëdha SHBA-së  për të shkuar drejt një lloj menaxhimi të konkurrencës, siç e quan sekretari amerikan i shtetit Blinken “një bashkëekzistencë të konkurrencës”, ose ish kryeministri i Australisë flet për një menaxhim të konkurrencës. Të dyja këto edhe pikëpamja e presidentit të Kinës e shprehur qartë në këtë Samit është për të shmangur konfrontimet, kur ishte fjala për marrëdhëniet me BE-në.

Konkurrenca nuk mund të përjashtohet por duhet të shmangen konfrontimet, të cilat nuk do të ishin të dobishme për asnjerën pale, pavarësisht nga sistemet e ndryshme të palëve.

CMG: Besoj se dhe ju si diplomat i lartë, e keni vënë re që liderët e Kinës së fundmi e kanë përsëritur faktin që Kina nuk ka si synim të eksportojë modelin e saj politik.

Albert Rakipi: Kjo është e qartë se Kina thotë që nuk ka ndonjë synim për të imponuar çështje që kanë të bëjnë me sistemin politik dhe ideologjitë. Ajo pret në të njëjtën kohë që vendet e tjera, fuqitë e mëdha si SHBA dhe BE të sillen në të njëjtën mënyrë dhe kjo është një çështje që besoj se duhet zbatuar. Mbaj parasysh faktin që shtetet, në këtë rast fuqitë si Kina, SHBA dhe BE kanë sistemet e tyre respektive politike dhe ideologjitë e tyre me të cilat organizohet shteti dhe ekonomia, por nga ana tjetër bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të mbështetet te reciprociteti. Për këtë BE këmbëngul që të ketë një reciprocitet sepse ka një disbalancë të madhe, por nga ana tjetër shkon kundër konceptit të ekonomisë së tregut.

Problemi themelor në Samit që u ngrit nga të dy palët është që të mos shkohet drejt çështjeve që kanë të bëjnë me marrëveshjet tregtare, me volumin e shkëmbimeve.

CMG: I referohem sërish këtu deklaratës për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Kinës, ku theksohet se “marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së janë shumë elastike dhe kanë force të brendshme dinamike, ato nuk drejtohen kundër një pale të tretë, por as nuk varen apo kontrollohen nga një palë e tretë”. Në këtë kontekst ka një hapje më të madhe të Kinës ndaj BE-së, sepse Kina ka shpallur heqjen e vizave për pesë vende të rëndësishme të BE-së, siç janë Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Hollanda. Mendoni se kjo do të shërbejë si një impuls i ri në bashkëpunimin mes Kinës dhe BE-së?

Foto:VCG

Foto:VCG

Albert Rakipi: Do të vazhdojë bashkëpunimi, por problemi është te menaxhimi i konkurrencës. Nga  njëra anë shohim se Kina është një lojtar global në pikëpamjen ekonomike, por jo vetëm. Masat që Kina ka marrë lidhur me heqjen e vizave për vendet evropiane këtë synon, por çështjet që u ngritën në Samit qëndrojnë, kryesisht ato që kanë të bëjnë me disbalancat në marrëdhëniet tregtare dhe çështjet që lidhen me të tretët. Ne duhet të presim të shikojmë se si do të adresohen pas këtij Samiti, se çfarë hapash do të ndërmarrë Pekini dhe BE për hapa konkretë, të cilët shkojnë drejt një lloj menaxhimi të konkurrencës.

Kjo bëhet për të shmangur çdo lloj konfrontimi, që nuk do të ishte i dobishëm për asnjërën palë.

CMG: Së fundmi Kina është një ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë me një rritje të shkëmbimeve tregtare. Nëse do të kemi një bashkëpunim me kah pozitiv në fushën ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe BE-së, Shqipëria si një vend aspirant për anëtar i Unionit Evropian a do kemi përfitim?

Albert Rakipi: Ashtu sikurse BE dhe SHBA kanë një politikë shumë dinamike kur është fjala për Kinën, sepse Kina është një fuqi globale dhe në aspektin gjeopolitik, që jep kontributin e saj për paqen dhe sigurinë globale. Kjo duhet mbajtur parasysh.

Një profesor i njohur amerikan, i konsideruar babai i teorisë “soft power” , sugjeron në këtë marrëdhënie dinamike midis Kinës, SHBA-së por dhe BE-së  që  here-herë ka rrezikuar të shkojë dhe drejt konfrontimeve, një formulë për konsensusin. Ai sugjeron që fuqitë të bashkëpunojnë mes tyre dhe jo të kundërvihen mes tyre.

Kjo është pothuajse e njëjta gjë siç propozoi presidenti kinez Xi, si dhe deklarata e sekretarit amerikan të shtetit Blinken për një lloj bashkëekzistence të konkurrencës.

Në planin teorik kemi një profesor mjaft të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili në një botë realiste siç po zhvillohet sot sugjeron pikërisht këtë gjë dhe politikëbërësit po shkojnë drejt kësaj rruge, por do të varet nga hapat konkretë të secilës palë.

Ne jemi një vend anëtar i NATO-s, që aspirojmë të anëtarësohemi në BE dhe është në interesin tone që të thellojmë marrëdhëniet me Kinën, edhe pse mund të kemi çështje për të cilat mund të mos biem dakord. Ne jemi një vend shumë i vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kemi një trashëgimi nga marrëdhëniet e mëparshme me Kinën, e cila duhet shfrytëzuar për interesin tone.

Mendoj që duhet të ketë një lloj reflektimi nga qeveria shqiptare kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe për marrëdhëniet me Kinën. Unë do të sillja si shembull rastin e Kroacisë ose të Sllovenisë, për të mos shkuar deri te marrëdhëniet që Gjermania një vend  i madh evropian zhvillon me Kinën. Mbetemi te vendet më të vogla që janë anëtare të BE-së . Të frenohemi pak nga ideja që jemi qendra e botës, sepse jemi një vend i vogël modest me një ekonomi modeste me probleme të mëdha, që ecën përpara me përpjekje të mëdha. Kur është fjala për kontributin në sistemin ndërkombëtar duhet të jemi modest.

Foto:VCG

Foto:VCG

Jemi vend që ndjek politikën e jashtme të BE-së , ashtu si Kroacia dhe Sllovenia, ndaj duhet të ndjekim modele të ngjashme dhe është në interesin tone për këtë lloj reflektimi dhe marrëdhënie.

Intervistoi Eda Merepeza