Investimet kineze në Shqipëri dhe në vendet e Ballkani Perëndimor
2023-11-27 16:46:52

Kina konsiderohet si një nga vendet me ekonominë me potencialin më të madh në botë. Nëse i referohemi historisë Kina e ka shfaqur dhe ka zgjeruar në vijimësi hartën e investimeve. Pjesë e hartës së investimeve është edhe Evropa dhe Ballkani.

Kina ka shfrytëzuar dhe po kërkon mundësi të reja shfrytëzimi për të investuar në energji dhe lëndë të parë në vendet në zhvillim përmes projektit të saj ambicioz që quhet ‘Rruga e Mëndafshit’.

Kina është shtrirë në rajonin e Ballkanit, ku mund të përmendim blerjen e uzinës së çelikut Smederevo kundrejt vlerës 46 milionë euro që ishte investimi më i madh i Kinës direkt në Serbi.

CFP

Porti i Pireut në Greqi/CFP

Gjithashtu një nga projektet kineze tejet ambicioze është ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe Budapestit. Fqinji ynë, Greqia është një nga vendet ku Kina ka shtrirë investimet e saj. Në këtë mënyrë mund të përmendim rastin e shitjes së 67% të aksioneve të Portit të Pireut te kompania shtetërore kineze “Cosco”.

Ndërkohë, Italia po ashtu ka përfituar nga investimet kineze ku midis dy vendeve janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh që kanë të bëjnë me sektorin e energjetikës, turizmit dhe atë financiar. Vlera e këtyre investimeve e tejkalon shifrën prej 2.5 miliardë euro. Investimet e tjera në portet italiane si Genoa dhe Trieste arrijnë deri në 7 miliardë euro.

Investitorët kinezë e shohin hapësirën e Mesdheut, Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Evropës me mjaft interes edhe pse Bashkimi Evropian ka miratuar një rregullore për shqyrtimin e investimeve të huaja.

Megjithëse ekzistojnë shumë barriera burokratike, ekonomike, politike dhe gjeopolitike Kina ka investuar në vendet me vështirësi duke iu lehtësuar edhe barrën financiare përmes huave të saj.  

Duke qenë se Kina është ekonomia e dytë në nivel global dhe është përfshirë intensivisht në tregtinë ndërkombëtare, parashikohet që deri në vitin 2035 fuqia ndikuese e monedhës vendase RMB do të afrohet me monedhën evropiane, Euro.

Gjithashtu parashikohet të formohet një sistem ndërkombëtar monetar, i drejtuar nga dollari amerikan, euro dhe monedha kineze RMB.

Investimet në vendet e Ballkanit Perëndimor

Shqipëria

Në rrugëtimin 70-vjeçar të raporteve Shqipëri-Kinë kanë dominuar edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis dy vendeve në varësi të zhvillimeve dhe konteksteve historike. Që nga vitet 60-të e deri në vitet ’80-të ndihma ekonomike e Kinës ka qenë mjaft e domosdoshme për Shqipërinë.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve në Evropën Juglindore vëllimi i shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve u dobësua për t’u rigjallëruar 10 vitet e fundit.

Duke iu referuar zhvillimeve historike, politike dhe ekonomike duhet thënë se rikthimi i Kinës me investimet e saj në Shqipëri nuk ishte dhe nuk është veprim në një terren të panjohur.

Sipas të dhënave, deri në vitet e fundit sipërmarrjet kineze kanë investuar në Shqipëri afërsisht 900 milionë dollarë në fushat e infrastrukturës, energjisë, burimeve ujore, mineralit etj.

Kina dhe Shqipëria kanë nënshkruar edhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e burimeve njerëzore, doganës, shëndetësisë, kulturës, komunikime në fushat e kulturës, arsimit, think-tankëve, radio-televizionit etj.

Kina konsiderohet si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë pas Bashkimit Evropian me 8 për qind të totalit të vëllimit tregtar. Midis dy vendeve janë nënshkruar rreth mbi 40 marrëveshje ekonomike, ku midis tyre evidentohen investimet kineze në Shqipëri në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore.

Duke e përfshirë Shqipërinë në strategjinë ‘një brez, një rrugë’, Kina ka intensifikuar investimet e saj në vendin tonë, veçanërisht në vitet e fundit, duke bërë që kompanitë kineze të bëhen lojtare serioze në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, përgjatë viteve të fundit Kina është renditur partneri i dytë më i madh i tregtisë për Shqipërinë, me 7.7 për qind të tregtisë totale ndërkombëtare të vendit, duke lënë pas partnerë tradicionalë të tregtisë si Greqia dhe Turqia.  

Me gjithë tkurrjen e ekonomisë, distancën gjeografike midis dy vendeve, raportet tregtare janë sërish  me një volum importesh prej 14.9 miliardë lekësh dhe vlerë eksportesh prej 1.3 miliardë lekë.

Banker’s Petroleum e Kanadasë lajmëroi shitjen e të drejtave të eksplorimit dhe prodhimit të naftës te Geo-JadePetroleum e Kinës në vitin 2016

Duke qenë partneri i dytë tregtar me Shqipërinë, kompanitë kineze kanë shfaqur interes ndaj sektorëve më strategjikë të vendit. Në vitin 2016,  Banker’s Petroleum e Kanadasë lajmëroi shitjen e të drejtave të eksplorimit dhe prodhimit të naftës te Geo-JadePetroleum e Kinës me një çmim prej 384.6 milionë euro. Megjithëse Banker’s kishte filluar të shfrytëzojë burimet e naftës të Patos-Marinzës dhe Kuçovës në Shqipëri që në vitin 2004 duke u bërë një nga kompanitë më të mëdha të huaja në Shqipëri, ato i shitën të drejtat gjigantit kinez.

Pas blerjes së kompanisë, Geo-Jade ka importoi nga Kina teknologji për të nxjerrjen e naftës së rëndë, si dhe pajisje e makineri të tjera me kosto të ulët duke reduktuar ndjeshëm kostot e nxjerrjes së naftës. Kompania kineze ka ndërmarrë operacione për të zhvilluar eksplorime për hapjen e puseve të reja teksa ka vlerësuar edhe potencialet e puseve ekzistuese.

Një investim tjetër lidhet me sektorin e transportit ajror, ku Kina ka pasur nën menaxhim Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Gjithashtu, një aspekt tejet i rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimeve tregtare midis Kinës dhe Shqipërisë është edhe Marrëveshja  SWAP, e nënshkruar në shtator të vitit 2013, midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës popullore të Kinës për monedhat vendase, në shumën maksimale prej 2 miliardë Yuan ose 35.8 miliardë Lek.

Shqipëria dhe mekanizmi Kinë-EQL

Investimet kineze në Ballkan janë të pranishme, veçanërisht përmes iniciativës globale “Brezi dhe rruga”, si dhe mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-Europë Qendrore e Lindore.

Fushat e bashkëpunimit midis Kinës dhe Shqipërisë në kuadër të kësaj nisme janë në të njëjtën linjë me prioritetet aktuale që ka vendi ynë si energjia, infrastruktura, transporti, industria nxjerrëse dhe përpunuese e mineraleve, bujqësia, zonat ekonomike, arsimi, kultura etj.

CFP

CFP

Në vitin 2017 Kina dhe Shqipëria nënshkruan dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” duke zgjeruar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore, shëndetësore, të instituteve të studimit të politikave, të bashkëpunimit ndërmjet pushteteve vendore, të burimeve njerëzore etj.

Ky dokument bashkëpunimi është reflektuar edhe në investimet kineze në Shqipëri, të cilat kanë arritur afërsisht 900 milionë dollarë si dhe në numrin e turistëve kinezë që kanë vizituar Shqipërinë.

Në Forumin e Dytë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi ‘Një brez, një rrugë”, që u mbajt në prillin e vitit 2019 u nënshkruan marrëveshje me vlerë 64 miliardë dollarë amerikanë. Gjithashtu, përgjatë këtij forumi, palët kanë krijuar më shumë se 20 platforma të dialogut dhe të bashkëpunimit shumëpalësh mbi ChinaRailway Express, port, financim, doganë, llogaritje, taksë, energji, mbrojtje të mjedisit etj., duke përfshirë edhe mekanizmin e bashkëpunimit mes porteve “Rruga Detare e Mëndafshit”.

 Ndërkaq, mbi 150 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Shqipërinë si  dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë nënshkruar me Kinën Marrëveshjet e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Përbashkët të “Një brez, një rrugë”.

Me interes të lartë për të investuar në Shqipëri shihet nga ana e kompanive kineze edhe porti i Durrësit si një nyjë shumë e rëndësishme e lëvizjes dhe lidhjes së transportit të Mallrave, si pjesë e Mesdheut për ‘Rrugën e Mëndafshit’.

Një nga projektet i cili u klasifikua me rëndësi strategjike për Evropën deri në vitin 2031 ishte edhe projekti kinez për autostradën adriatike-joniane.  Kinezët e Exim Bank, u propozuan qeverive të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë një projekt-ide për ndërtimin e Autostradës në të gjithë aksin ballkanik deri në kufirin me Greqinë. Sa i përket pjesës shqiptare punimet do të kushtonin gjithsej 1.4 miliardë euro, ose 50% më lirë se varianti zyrtar i fizibilitetit. Por qeveria shqiptare nuk e pranoi variantin kinez, i cili pritej t’i sillte vendit një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Përurohet ura Peljesac e ndërtuar nga kompani kineze, 26 korrik 2023, Kroaci(Foto:VCG)

Serbia

Duke iu referuar investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor mund të theksojmë faktin se në Serbi, investimet kryhen përmes kredive, kulturës dhe arsimit, si dhe sektorit të sigurisë. Në këtë vend, Kina është shndërruar si partneri më i rëndësishëm strategjik i Beogradit.

Përgjatë dekadës së fundit në Serbi janë evidentuar 61 projekte, në faza të ndryshme të realizimit të tyre vlera e të cilave shkon në 18.7 miliardë euro.

Mali i Zi

Duke iu referuar Qendrës për zhvillim global, Mali i Zi konsiderohet si një nga vendet me praninë më të madhe të investimeve kineze. Kështu mes Kinës dhe Malit është nënshkruar marrëveshja prej gati 1 miliard eurosh e dhënë në formën e kredisë. Mali i Zi shihet nga Kina si një vend me potenciale të atilla që i mundësojnë asaj një qasje strategjike për të dalën në tregun evropian.

Bosnje-Hercegovina

Ndërkaq, sa i përket Bosnje-Hercegovinë mund të themi se ajo renditet e dyta për nga rëndësia që Pekini u ka dhënë investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Bosnje-Hercegovinë janë evidentuar 29 projekte kineze me vlerë mbi 5 miliardë euro, nga të cilat një numër i madh investimesh, që kanë të bëjnë me sektorët e energjisë dhe transportit janë shtrirë në Republikën Sërpska.

Maqedonia e Veriut

Gjithashtu, Kina ka filluar të investojnë në mënyrë dinamike edhe në Maqedoninë e Veriut ku janë identifikuar 15 projekte, vlera e të cilave arrin në shifrën prej 655 milionë euro.

Ndërkaq, projektet e tjera kineze në Maqedoninë e Veriut lidhen kryesisht me donacione në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Duke marrë në shqyrtim të gjitha investimet kineze në Ballkanin Perëndimor, mund të theksojmë se ato shërbejnë si një stimul i mjaftueshëm për të inkurajuar dhe nxitur më tej zhvillimin ekonomik.

Autor: Bardhi Quku