Kina, si ekonomi e dytë e botës, përcaktuese e ndikimeve gjeopolitike në rajone dhe blloqe global
2023-11-27 16:27:12

Historia e njerëzimit ka vërtetuar se çdo marrëdhënie që ka pasur si bazë një synim të qartë dhe me interes të ndërsjelltë i ka rezistuar kohës, pavarësisht tallazeve e furtunave që ka sjellë njerëzimi në planet.

CFP

CFP

Në epokën tonë nga viti i e sot, bota globale ka përjetuar tmerre e ndryshime epokale që kanë shënuar këto 2023 vjet. Kemi regjistruar qytetërime që rrëzohen e të tjera që ngrihen, pushtime e invazione të frikshme, katastrofa natyrore dhe njerëzore. Por në të gjithë këtë kataklizëm globale, ka mbijetuar thuajse në një logjikë lineare, linja e tregtisë nga Lindja apo siç quhet ndryshe Rruga e Mëndafshit.

Ka një logjikë të qartë për të arsyetuar këtë mbijetesë shembullore; e ajo bazohet vetëm në interesin normal të shkëmbimit të ndërsjellë e rregullave tashmë dy mijëvjeçare të kësaj mbijetese.

Megjithatë, përveç aspektit historik të kësaj marrëdhënie që është bazike për qytetërimin e sotëm, ja vlen të diskutojmë relacionin që ka sjellë në ditët e sotme Kina e sotme. Pra Republika Popullore e Kinës, e cila nisi udhëtimin e saj me Marshimin e Madh të themeluesve të Kinës së Re.

Duke ju referuar vendit tonë, Shqipërisë, Kina është një vend i largët, që megjithatë ka pasur kontaktet e saj jo direkte, por ndërmjet mallrave që sillte deri këtu nëpër rrugës së Mëndafshit. Por këto kontakte u puqën si pasojë e zhvillimeve politike që puqën bashkë dy vendet tona.

Siç dihet gjithçka nisi pas vitit 1960, kur si pasojë e xhelozisë dhe zilisë së Nikita Hrushovit, marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës pësuan krisje. Në mbledhjen e 81 partive komuniste të botës që u zhvillua në Moskë, Partia e Punës së Shqipërisë, kundërshtoi ashpër kritikat ndaj udhëheqjes së Kinës, e në atë rast marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës patën një afrim të madh. Që nga viti 1960 deri në vitin 1978, Shqipëria dhe Kina kishin një relacion shumë të afërt politik.

Shqipëria arriti të industrializojë ekonominë e saj agrare e të prapambetur falë teknologjisë dhe ndihmës direkte me grante të qeverisë së Republikës së Kinës. Ky është një fakt i njohur historic tashmë, por e rëndësishme është të analizohet aspekti që nuk është thënë e kësaj marrëdhënie.

Kryeministri kinez Zhou Enlai vizitoi Tiranën në vitin 1964

Përveç marrëdhënies së ngushtë politike, apo edhe kontakteve rezultative njerëzore të popujve, marrëdhënia Shqipëri-Kinë, e ka kapur zenithin e saj si pasojë e ekonomisë.

Mallrat kineze, në fakt më shumë se mallrat, makinaritë dhe pajisjet e Made In China kanë qenë dhe janë një brand ekselent i pranuar nga i gjithë komuniteti tekniko-inxhinierik shqiptar.

Me kalimin e viteve u krijua miti i “mallit kinez”, i cili madje ja kalonte edhe prodhimeve të çelikut që vinin nga Suedia apo Gjermania Perëndimore, të cilët kishin një reputacion europian për industrinë e rëndë. Shqipëria arriti një fuqi të rëndësishme industriale, të mbrojtjes, të industrisë së lehtë, por edhe ushqimore, vetëm falë teknologjisë që erdhi nga Kina. Kjo ndihmë kineze solli që vendi u qytetërua, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për detalet e çelikut apo të shpimit të sondave dhe minierave. Por në radhë të parë për pajisjet mjekësore dhe ilaçet që siguruar një sistem shëndetësor universal në Shqipëri.

Falë ndihmës kineze, Shqipëria i tha lamtumirë epidemive të tmerrshme që kishin sjellë fatkeqësi të panumërta në dekada.

CFP

Të gjithë e dimë mitin e krijuar për penicilinën kineze që shkrihej menjëherë në solucion apo preparatet e tjerë medicinale.

Ndërkaq, edhe pas prishjes së marrëdhënieve politike ndërmjet kupolës së PPSH-së e shtetit shqiptar me udhëheqësinë kineze, marrëdhëniet ekonomike e tregtare vijuan pandërprerje. Kina vijoi të jetë importuesi më i madh i mineralit të kromit në Shqipëri edhe pas rrëzimit të komunizmit. Siç dihet, shkaku kryesor i prishjes politike me Kinën në vitin 1978, ishte hapja e Kinës me marrëdhëniet me Perëndimin, liberalizimi i jetës dhe veçanërisht marrëdhënieve në prodhim, e afrimit të Pekinit me Beogradin dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Nga viti 1978, kur dhe nisi një seri reformash ekonomike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, Kina është një aktor shumë i rëndësishëm tregtar në Ballkan, duke krijuar një partneritet të qëndrueshëm, ku si bazë e saj është mos ndërhyrja në çështjet e brendshme.

Në vitet e fundit, Ballkani Perëndimor ka dëshmuar rritjen e ndikimit të Kinës. Në veçanti, Kina është bërë një lojtar rajonal  falë Nismës së saj Brez dhe Rrugë (BRI) pasi ky projekt filloi në 2013 - i cili përfshin krijimin e një rrjeti lidhjesh infrastrukturore nga toka dhe deti përmes Euroazisë - zbulon në vendet e Ballkanit një lidhje gjeografike midis Mesdheut dhe Evropës Qendrore dhe një urë midis Evropës Perëndimore dhe masës tokësore euroaziatike. Prania kineze në rajon karakterizohet kryesisht nga marrëdhëniet tregtare dhe investimeve ekonomiko-infrastrukturore. Sot, thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë pjesë e nismës Kinë-EQL, që synon lehtësimin e lëvizjes së mallrave midis Kinës dhe Europës. Huatë dhe investimet kineze për financimin e projekteve të infrastrukturës inkurajohen fuqimisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk i përkasin ende BE-së – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përfaqësojnë ekonomi me potencial të lartë zhvillimi. Me intuitën e zakonshme, në periudhën midis 2009 dhe 2021 Kina investoi 32 miliardë euro në rajon. Vetëm në Serbi, investimet e saj arritën në 10.3 miliardë euro.

Foto:VCG

Autostrada Bar-Boljare e ndërtuar nga kompani kineze, Mali i Zi(Foto:VCG)

Gjatë 10 viteve të fundit, rreth 14 miliardë dollarë fonde kineze kanë hyrë në rajon në formën e granteve, kredive për zhvillim, bashkimeve, blerjeve të aseteve të brendshme dhe marrëveshjeve koncesionare. Mesatarisht, kreditë kineze të lidhura me projektet energjetike dhe infrastrukturore kapin vlerën e rreth 5.6% të PBB-së së rajonit.

Pavarësisht zilisë, apo xhelozisë së pritshme nga faktorët e mëdhenj që operojnë në zonë si BE apo vendet e mëdha të kontinentit, fakt është se kjo marrëdhënie ka ardhur natyrshëm, pa asnjë kushtezim. E kjo duket kyçi i suksesit të një partneriteti që as nuk lindi sot, e as nuk u mbyll edhe në ditë të zeza të përplasjeve politike gjatë periudhave të ndryshme të historisë.

Autor:Ylli Pata