Samiti Xi-Biden moment historik në marrëdhëniet kino-amerikane, ngjarje e shënuar në arenën ndërkombëtare
2023-11-17 23:15:39

Pas një viti plot tensione në marrëdhëniet dypalëshe midis dy fuqive më të mëdha politike dhe ekonomike në botë Kinës dhe SHBA si dhe gjendjes së përkeqësuar në arenën ndërkombëtare Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan të mërkurën në San Francisko, Kalifornia, takimin e shumëpritur nga vendet përkatëse, por edhe nga mbarë opinion publik botëror. Presidenti Xi arriti të martën në SHBA me ftesën e homologut amerikan dhe agjenda e rënë dakort (14 deri më 17 nëntor) ishte mbajtja e Samitit Kinë-SHBA si dhe pjesëmarrja e kreut të shtetit kinez në Mbledhjen e 30-të të liderëve ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësor (APEK), i cili filloi punimet më 12 nëntor në San Francisko me pjesëmarrjen e 21 vendeve të rajonit, të cilat përbëjnë 40% të popullsisë së botës dhe gati gjysmën e tregtisë globale.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Sipas njoftimeve zyrtare, Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti amerikan Joe Biden patën më 15 nëntor një shkëmbim të sinqertë dhe të thellë pikëpamjesh mbi çështje kritike strategjike dhe gjithëpërfshirëse lidhur me kursin e ardhshëm të marrëdhënieve kino-amerikane si dhe për çështjet kryesore që ndikojnë në paqen dhe zhvillimin botëror.

Kjo është vizita e parë në SHBA e Presidentit Xi që nga viti 2017, që u zhvillua në masa të rrepta sigurie saqë askush nuk dinte as vendin e takimit të dy presidentëve në rajonin e zonës së Gjirit të San Franciskos që u mësua më pas se ishte një rezidencë në Filoli, afërsisht 40 km në jug të San Franciskos. Por ndërkohë Xi dhe Biden ishin takuar së fundmi në Bali të Indonezisë më 2022.    

Duhet thënë që në krye të herës se para takimit të shumëpritur mesazhi i përgjithshëm si në SHBA, vendi mikpritës, dhe Kinë, sikurse edhe në mbarë botën mbizotëronte shpresa që bisedimet Xi-Biden do ti hapnin rrugë një mundësie të re reale për të ulur tensionet midis Kinës dhe SHBA-së, që konsiderohej si rivaliteti më i rrezikshëm në botë si kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në një kohë kur në Evropë po vazhdon lufta në të gjitha komponentët e saj midis Rusisë dhe Ukrainës me rreziqe për shkallëzim të saj në kontinentin europian, ndërsa shumë konflikte të armatosura ndër më të cilët më i përgjakshmi në Rripin e Gazës midis izraelitëve dhe palestinezëve vazhdojnë.

Përkundrejt një sfondi të tillë të zymtë ndërkombëtar u mbajt Samiti Xi-Biden dhe në sintoni me këtë shqetësim mbarëbotëror Presidenti Xi deklaroi në takimin 4-orësh se bota sot po pëson ndryshime të thella të papara në një shekull, dhe sipas tij ka dy opsione për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara - njëra është rritja e solidaritetit dhe bashkëpunimit midis tyre në një përpjekje të përbashkët për të përballuar sfidat globale dhe promovimi i sigurisë dhe prosperitetit global dhe tjetra është të kapemi pas mentalitetit të shumës zero, të provokojmë rivalitet dhe konfrontim dhe ta çojmë botën drejt trazirave dhe ndarjeve të shtuara.

Xi deklaroi se konkurrenca e vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina dhe Shtetet e Bashkuara apo bota dhe sipas tij bota është mjaft e madhe për të akomoduar të dy vendet dhe suksesi i një vendi është një mundësi për tjetrin.

Veç kësaj Presidenti Xi vuri në dukje se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë janë mësimet e nxjerra nga marrëdhëniet 50-vjeçare kino-amerikane, si edhe nga konfliktet midis vendeve të mëdha përgjatë historisë dhe Kina dhe SHBA-ja duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t'iu përmbajtur këtyre mësimeve. Në këtë kontekst, sipas Presidentit Xi, Kina dhe SHBA-ja duhet të kenë një vizion të ri dhe të ndërtojnë së bashku pesë shtylla për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat duhet të konsistojnë në formimin e përbashkët të një perceptimi të drejtë; menaxhimi i përbashkët i mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive; çuarja e përbashkët përpara e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë; të dy vendet duhet të marrin përsipër së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha dhe së fundmi të dy vendet duhet të promovojnë së bashku shkëmbimet ndërnjerëzore.  

Duke e konsideruar problemin e Tajvanit si çështjen më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane, Presidenti Xi vuri në dukje se Kina i merr seriozisht deklaratat pozitive të bëra nga Shtetet e Bashkuara në takimin e Balit. SHBA-ja duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbajtur premtimin e saj se nuk do të përkrahë "pavarësinë e Tajvanit", do të ndalojë armatimin e tij dhe do të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës. Kina do ta realizojë ribashkimin dhe kjo është e diçka e pandalshme.

Një aspekt tjetër serioz i ngritur nga Xi kishte të bënte me veprimet amerikane kundër Kinës lidhur me kontrollin e eksportit, shqyrtimin e investimeve dhe sanksionet e njëanshme që dëmtojnë seriozisht interesat e ligjshme të Kinës. Sipas kreut të shtetit kinez është e rëndësishme që pala amerikane të marrë seriozisht shqetësimet e palës kineze dhe të ndërmarrë hapa konkrete për t'i hequr sanksionet e saj të njëanshme me qëllim që të sigurojë një mjedis të barabartë, të drejtë e jodiskriminues për bizneset kineze.

Foto:MPJ

Foto:MPJ

Nga ana e tij Presidenti amerikan deklaroi se kishte qënë gjithmonë i mendimit se marrëdhëniet amerikano-kineze janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme, se konflikti ndërmjet SHBA-së e Kinës nuk është i pashmangshëm, se një Kinë e qëndrueshme dhe e zhvilluar përputhet me interesat e SHBA-së e të botës dhe se rritja e ekonomisë kineze favorizon SHBA-në dhe botën. Më tej ai ritheksoi përsëri pesë premtimet e bëra në takimin që pati me presidentin Xi në Bali një vit më parë dhe theksoi se SHBA-ja zbaton politikën e "Një Kine", mirëpret dialogun në nivele të ndryshme mes sektorëve të ndryshëm të të dy palëve dhe dëshiron të vazhdojë ruajtjen e komunikimit të hapur e të sinqertë, të shmang keqkuptimet dhe të administrojë ndryshimet midis dy vendeve. Pala amerikane, sipas tij, dëshiron të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me palën kineze dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të rëndësishme, si ndryshimi i klimës, lufta kundër drogës, inteligjenca artificiale etj.

Ndërkohë të dy presidentët vlerësuan përpjekjet e ekipeve të tyre përkatëse për të diskutuar hartimin e parimeve lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane që nga takimi në Bali. Ata theksuan se është e rëndësishme që të gjitha vendet ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe të gjejnë rrugët për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe për t'i mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, për të parandaluar konfliktin, për të respektuar Kartën e OKB-së, për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët dhe për të menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme aspektet konkurruese të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ata mirëpritën vazhdimin e diskutimeve në këtë drejtim.

Takimi i San Franciskos arriti mbi 20 konsensuse dhe nisur nga ky fakt mund të konkludohet se ai ishte një moment i shënuar historik dhe sipas mendimit tim ky është thelbi i deklaratës së zëdhënëses se Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning në një konferencë shtypi të enjten në Pekin. Zëdhënësja e vlerësoi takimin Xi-Biden si “pozitiv, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, strategjik e me ndikim të gjerë, duke përbërë një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare dhe një moment të shënuar historik në marrëdhëniet kino-amerikane”.    

Sipas saj, më shumë se 20 konsensuset e arritura përfshinin fushat politike, diplomatike, të shkëmbimeve njerëzore e kulturore, të qeverisjes globale, ushtarake dhe të sigurisë. Këto konsensuse vërtetojnë se Kina dhe SHBA-ja kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe se përfitimi i ndërsjellë është karakteristika thelbësore e marrëdhënieve kino-amerikane. Dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetmja zgjedhje e duhur për Kinën dhe SHBA-në, vuri në dukje Mao.

Pjesë e rëndësishme e dakortësive midis dy krerëve të shteteve ishte rifillimi i komunikimi të nivelit të lartë midis dy ushtrive në bazë të barazisë dhe respektit, takimet e punës të Ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve dhe takimet lidhur me Marrëveshjen Këshillimore Ushtarake Detare Kinë-SHBA, si edhe zhvillimi i bisedimeve telefonike ndërmjet komandantëve të zonave luftarake. Gjithashtu të dy presidentët pranuan të vazhdojnë ruajtjen e komunikimeve të shpeshta.

Temë sensitive e bisedimeve ishte edhe kriza klimatike në këtë dekadë kritike dhe u theksua rëndësia e punës së përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet për ta trajtuar atë duke përshpejtuar veprimet konkrete lidhur me klimën.

Në komentin e tij për shtypin mbi samitin mes presidentit Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan Joe Biden të mërkurën, kryediplomati kinez Wang Yi deklaroi se takimi shkoi shumë mirë, duke shtuar se ky samit u zhvillua në bazë të respektit reciprok.

Wang theksoi tre tiparet e këtij takimi dhe së pari, ai është një takim strategjik dhe sqaroi se Presidenti Joe Biden i dërgoi një ftesë të posaçme presidentit Xi. Ky ishte një takim ndryshe nga takimet e tjera dypalëshe të APEC-ut. Së dyti, sipas tij Samiti Xi-Biden është një takim historik. Ky takim është organizuar në sfondin e një periudhe kyçe në marrëdhëniet kino-amerikane. Komuniteti ndërkombëtar ka nevojë për marrëdhënie të qëndrueshme kino-amerikane më shumë se kurrë më parë. Së treti, ai theksoi se ky është një takim drejtues. “Të dy udhëheqësit zhvilluan shkëmbime të thella ballë për ballë për të pasur një njohje të drejtë reciproke, për të kontrolluar si duhet divergjencat dhe për të nxitur bashkëpunimin e dialogun”.

Tani që është arritur të mësohen disa gjëra më kryesore të përmbajtjes së bisedimeve në nivelin më të lartë kino-amerikan dhe një numër rezultatesh të tyre shtohet shpresa në komunitetin ndërkombëtar për lëvizje në drejtimin e duhur si të Kinës ashtu edhe të SHBA-së.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mirëpo jo se popujt nuk përshëndesin çfarë u arrit në San Francisko, përkundrazi njerëzimi pret realizimin e tyre konkret, sepse në të kaluarën në një farë mënyre (e me të drejtë) nuk ka munguar doza e humbjes së besimit në premtimet e fuqive të mëdha, veçanërisht të SHBA. Dhe 14 nëntori 2022 në Bali është i freskët si datë e Samitit Xi-Biden, ku kreu i shtetit amerikan deklaroi publikisht pesë “Jo-të” sipas të cilave Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një luftë të re të ftohtë me Kinën, nuk kërkojnë të rigjallërojnë aleancat kundër saj, nuk mbështesin "pavarësinë e Tajvanit", nuk mbështesin "dy Kina"ose "një Kinë, një Tajvan" dhe nuk ka ndërmend të ketë një konflikt me Kinën; po ashtu në atë kohë pala amerikane deklaroi se nuk ka ndërmend të kërkojë shkëputje/përmbajtje të Kinës për të ndaluar zhvillimin ekonomik të saj. Mirëpo realiteti ka dëshmuar se disa veprime amerikane më 2023 ishin në shkelje të ‘Jo-ve’ dhe u drejtuan kundër përmirësimit të lidhjeve të SHBA-së me Kinën. Kështu faktet tregojnë se shitjet e armëve Tajvanit vazhduan sikurse edhe vizitat e një numër zyrtarësh të lartë ushtarakë e politikë amerikanë në Tajvan, sanksionet ndaj kompanive kineze u shtuan, vazhdoi zgjerimi i kufizimeve të mëtejshme të eksportit të mikroçipave, kurse në aspektin ushtarak u vu re shtim i njësive të forcave detare në ujërat e Detit të Kinës Jugore. Lista e ‘shkeljes se fjalës’ së dhënë nga Uashingtoni në Bali mund të jetë më e gjatë por veprimet amerikane kanë qenë një kontrast i dukshëm nga premtimet e presidentit Biden me realitetin. Përkundrejt veprimeve të tilla Kina ka qenë e detyruar të kundërveprojë si në rastin e Tajvanit- ‘vija e kuqe’ kineze - ashtu edhe në aspekte të tjera ushtarake, gjeopolitike, ekonomike e tregtare. Kina e ka deklaruar më se njëherë solemnisht se nuk ka frikë nga konkurrenca, por është e mendimit se marrëdhëniet Kinë-SHBA nuk duhet të përcaktohen nga konkurrenca.  

Nuk dua të them se Kina është bërë e pakonkurrueshme në arenën ndërkombëtare,  përkundrazi politika e saj e jashtme përçohet në të gjitha drejtimet nga fryma e solidaritetit e bashkëpunimit të shëndetshëm të komunitetit ndërkombëtar. Vizioni i saj është se bota është ‘shtëpi e përbashkët’ e njerëzimit ku mirëqenia e popujve përbën detyrim moral. Prandaj janë përqafuar nga pjesa më e madhe e vendeve të botës tre nismat  e mirënjohura - Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global me synimin e ruajtjes së zhvillimit, të mbrojtjes së sigurisë dhe të shtimit të mirënjohjes së qytetërimeve. Këto tre iniciativa, së bashku me konceptin e ndërtimit të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit, megaprojektin “Një brez, një rrugë” etj., pasqyrojnë plotësisht dëshirën, gatishmërinë dhe sinqeritetin e Kinës për një botë më të lulëzuar dhe paqësore që mund të ndërtohet nëpërmjet veprimtarive konkrete në bazë të realizimit të interesave të përbashkëta të njerëzimit, dhe jo vetëm të atyre vetjake. 

Dhe realiteti dëshmon se asnjë prej këtyre ndërmarrjeve panbotërore nuk bie ndesh me interesat e askujt, përfshi SHBA; përkundrazi të gjitha vendet e botës janë të ftuara tu bashkohen këtyre përpjekjeve sepse Kina i sheh dhe i trajton marrëdhëniet e saj me të gjitha vendet, përfshi edhe SHBA, në përputhje me tre parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm të propozuara nga Presidenti Xi Jinping. Sikurse shikohet gjithnjë e më tepër politika e izolimit e ndjekur prej fuqive të mëdha perëndimore, kryesisht Uashingtonit, nuk ka funksionuar kundër Kinës dhe këtë e paralajmëroi edhe gazeta britanike ‘The Times’ në prag të Samitit në San Francisko në një editorial te saj që përfshinte pasazhin e mëposhtëm: “Biden duhet të ritheksojë mungesën e interesit të Amerikës që ishulli (Tajvani) të bëhet një shtet sovran. Politika e SHBA-së nuk mund të fokusohet vetëm në përballjen dhe izolimin e Kinës në një përsëritje të strategjisë së kontrollit të përdorur kundër Bashkimit Sovjetik. Kina është një fuqi shumë e madhe ekonomike dhe ka një potencial pafundësisht më të madh për të ndikuar në ekonominë globale”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke qënë gjithnjë optimistë e me shpresa për një atmosferë më të çtensionuar mes Pekinit dhe Uashingtonit pas një ‘beteje’ ekonomike e gjeopolitike 5-vjeçare për shumicën e analistëve të pavarur vazhdon të mbetet pikëpyetja nëse SHBA do tu përbahen premtimeve të bëra në takimin e San Franciskos. 

“Mospajtimet mes dy ekonomive më të mëdha të botës në këtë moment të tensionuar e përkeqësojnë ndikimin negativ të tronditjeve të ndryshme gjeopolitike që kanë goditur ekonominë botërore”, thotë profesori i politikave tregtare në Universitetit Cornell, Esëar Prasad i cituar nga VoA.

Duke lexuar mediat ndërkombëtare, përfshi ato amerikane gjatë këtyre ditëve, lidhur me ngjarjen historike ne San Francisko më tërhoqi vëmendjen një koment i Fox News më 11 nëntor që dëshmon se sa rëndësi e veçantë i ishte kushtuar vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në SHBA e takimit të tij me Biden jo vetëm nga autoritetet qëndrore por edhe ata lokale si në San Francisco, qyteti mikëpritës. Në raportimin e Fox News me titull “Qyteti i Kalifornisë largon të pastrehët në zbukurim përpara samitit të Biden me presidentin kinez Xi” thuhet se ajo ishte një përpjekje e rëndësishme e ndërmarrë nga Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom për të zbukuruar rrugët e San Franciskos përpara një samiti jetik SHBA-Kinë. “Përpjekjet për pastrimin e qytetit kanë krijuar pastërti “të dukshme” në rrugë”, tha Guvernatori. 

Një fakt i tillë është kuptimplot se dëshmon preokupacionin e përgjithshëm që mbizotëron në SHBA për të çuar përpara marrëdhëniet kino-amerikane themeli i të cilave është hedhur nga dy popujt, sikurse deklaroi Presidenti Xi Jinping në banketin e mirëseardhjes në San-Francisko të mërkurën. “Themeli i marrëdhënieve kino-amerikane është hedhur nga popujt tanë, dera e marrëdhënieve kino-amerikane është hapur nga popujt tanë, historitë e marrëdhënieve kino-amerikane janë shkruar nga popujt tanë dhe e ardhmja e marrëdhënieve kino-amerikane do të krijohet nga popujt tanë", Xi Jinping tha duke u shpreh i bindur se dera e marrëdhënieve Kinë-SHBA nuk mund të mbyllet përsëri pas hapjes dhe se kauza e miqësisë Kinë-SHBA nuk mund të ndalet në mes të rrugës pas nisjes!