Takimi i Presidentit Xi me Presidentin Biden, një pikënisja e re për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane
2023-11-17 23:29:39

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dyekonomitë më të mëdha në rang global. Së bashku dy ekonomitë prodhojnë më shumë se 40% të mallrave dhe shërbimeve në botë. Kina dhe Shtetet e Bashkuara përbëjnë 44 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në botë dhe janë emetuesit kryesorë të dioksidit të karbonit, duke emetuar kolektivisht gati gjysmën e gazrave serrë në botë. Kina është një partner tregtar më i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Që kur Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) më 11 Dhjetor 2001, tregtia midis dy vendeve është rritur disa herë nga 122 miliardë dollarë në vitin 2001 në 691 miliardë dollarë në vitin 2022. SHBA importon më shumë mallra nga Kina se nga çdo vend tjetër, dhe Kina është tregu i tretë më i madh i eksportit për mallrat amerikane.

Foto:VCG

Foto:VCG

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet SHBA dhe Kinës janë përkeqësuar ndjeshëm nën administratat e Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Donald Trump. Trump vendosi tarifa 25% mbi 34 miliardë dollarë të importeve amerikane nga Kina në korrik të vitit 2018, 25% tarifa për 16 miliardë dollarë importe në gusht të vitit 2018 dhe 10% tarifa për 200 miliardë dollarë importe në shtator të vitit 2018, duke rritur më vonë shkallën e këtyre detyrimeve në 25% në qershor të vitit 2019. Në shtator 2019, Trump vendosi tarifa 15% për një shtesë prej 102 miliardë dollarësh të importeve, duke ulur më vonë normën e këtyre detyrimeve në 7.5% në shkurt të vitit 2020, sipas marrëveshjes së Fazës së Parë SHBA-Kinë. Administrata Biden i ka mbajtur kryesisht këto tarifa të paprekura – tarifat ndaj Kinës janë ende mesatarisht në nivelin 19% në dytë tretat e importeve amerikane nga Kina.

Megjithëse Presidenti Biden lehtësoi politikën e ashpër të Presidentit Trump në disa fusha, si shëndetësia, mjedisi duke përsëri ka vazhduar mbrojtjen e tregtisë. Më 7 Tetor të vitit 2022, administrata Biden njoftoi masa më të dëmshme kundrejt Kinës si kontrollet gjithëpërfshirëse të eksportit që ndalojnë shitjen e çipave të fundit gjysmëpërçues, pajisje të avancuara të nevojshme për prodhimin e tyre dhe ekspertizë gjysmëpërçuese nga SHBA. Gjithashtu parashikuan sanksione në një gamë më të gjerë sektorësh të teknologjisë së lartë, si inteligjenca artificiale (AI) dhe teknologjia e mbikëqyrjes.

Në Nëntor 2022 në takimin në Bali, Presidentit Xi vlerësoi  se marrëdhëniet e tensionuara nuk janë në interesin themelor të dy vendeve e popujve, dhe nuk janë ato që pret komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu edhe se të dy vendet duhet të kenë një ndjenjë përgjegjësie për historinë, për botën dhe për njerëzit, dhe se në epokën e re duhet të eksplorojnë mënyrën e duhur për t'u marrë vesh me njëri – tjetrin. Presidenti Xi nënvizoi se : “ të dy vendet duhet tí vendosin marrëdhëniet në rrugën e duhur dhe ta rikthejnë atë në rrugën e rritjes së shëndetshme dhe të qëndrueshme në dobi të dy vendeve dhe botës në tërësi, shtoi ai”.  Duke riafirmuar se një Kinë e qëndrueshme dhe e begatë është e mirë për SHBA-në dhe botën, Biden theksoi se : “SHBA-të dhe Kina kanë një përgjegjësi të përbashkët për t'i treguar botës se mund të menaxhojnë dallimet e tyre dhe të shmangin dhe parandalojnë keqkuptimet ose konkurrencën e ashpër që të kalojnë në konfrontim ose konflikt” .

Foto:VCG

Foto:VCG

Në takimin në Bali në vitin 2022, të dy vendet u angazhuan të jenë të përkushtuara për thellimin dhe zgjerimin e partneriteteve globale, trajtimin e ndryshimeve klimatike, ruajtjen e stabilitetit global financiar, shëndetit publik, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, shkëmbimeve njerëzore si dhe ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të promovuar zgjidhjen e më shumë çështjeve. Objektivi i këtij takimi ishte krijimi i një platforme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, por në fakt nuk dha një listë me rezultate të rëndësishme. Megjithatë, pavarësisht tensioneve, Shtetet e Bashkuara dhe Kina arritën nivele rekord të tregtisë në vitin 2022, duke treguar se thirrjet për shkëputje të rëndë apo edhe totale ekonomike midis dy superfuqive ekonomike të botës, mund të jenë të pavëmendshme. Vlera e tregtisë SHBA-Kinë u rrit ndjeshëm midis viteve 2019 dhe 2022, pavarësisht nga rëniet në flukset tregtare të disa produkteve dhe kategorive të caktuara si p.sh., shitjet e Boeing në Kinë dhe tregtia SHBA-Kinë në gjysmëpërçuesit për shkak të luftës tregtare. Këmbëngulja, dhe madje rritja e tregtisë totale të dy vendeve, pavarësisht nga mosmarrëveshjet politike,pasqyron përfitimin e ndërsjellë që firmat private shohin në këtë marrëdhënie tregtare.

Gjatë vitit të kaluar, zyrtarët amerikanë hodhën bazat për përgatitjen e samitit të APEC që do të mbahet në San Fracisko dhe takimit të Presidentit Biden me Presidentin Xi. Për të rivendosur marrëdhëniet midis dy vendeve, këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, është takuar tre herë me ministrin e Jashtëm kinez,Wang Yi, ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo dhe i dërguari i SHBA për klimën, John Kerry, të gjithë kanë udhëtuar për në Pekin.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, dhe zyrtarë të tjerë të administratës së Presidentit Biden, kanë mohuar çdo synim për të "shkëputur" marrëdhëniet e SHBA me Kinën; përkundrazi, ata flasin për "diversifikim" të zinxhirëve të furnizimit për të reduktuar varësinë nga Kina për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Në një seancë dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve në qershor 2023, Yellen i quajti çdo përpjekje të SHBA për t'u shkëputur nga Kina "katastrofike" dhe në fakt mbrojti thellimin e lidhjeve ekonomike SHBA-Kinë. Për më tepër, në fund të shtatorit 2023, Departamenti i Thesarit i SHBA-së dhe Ministria e Financave e Kinës, krijuan dy grupe pune ekonomike dhe financiare në një përpjekje për të thelluar lidhjet dhe për të zvogëluar mosmarrëveshjet.

Të mërkurën sipas kohës vendore, Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan një takim në San-Francisko në kuadrin e Samitit të APEC. Të dy krerët e shteteve patën një shkëmbim të sinqertë e të thelluar mendimesh për çështje strategjike gjithëpërfshirëse, me rëndësi të madhe për drejtimin e marrëdhënieve kino-amerikane, si edhe për çështje të tjera që ndikojnë mbi paqen dhe zhvillimin botëror. Presidenti Xi, theksoi se : “ Kina dhe SHBA-ja nuk mund t'ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës dhe nuk duhet të përpiqen ta ndryshojnë njëra-tjetrën, theksoi ai. Konflikti dhe kundërvënia do të sjellin pasoja të papërballueshme për të dyja palët. Konkurrenca mes vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina e SHBA-ja, apo edhe mbarë bota. Bota është mjaft e madhe dhe të dy vendet mund të bashkëjetojnë në të, dhe suksesi i njërit vend është edhe një mundësi e mirë për vendin tjetër”.

Në takimin dypalësh u diskutua mbi një vizion të ri dhe se të dy vendet duhet të ndërtojnë së bashku pesë shtylla për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, si : (i) formimi i përbashkët i një perceptimi të drejtë të një marrëdhënieje të qëndrueshme, të shëndetshme e të vazhdueshme; (ii) administrimi i përbashkët i mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive; (iii) çuarja e përbashkët përpara e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë; (iv) të dy vendet duhet të marrin përsipër së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha, dhe se (v) të dy vendet duhet të promovojnë së bashku shkëmbimet njerëzore.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Presidenti Xi vuri në dukje se veprimet e SHBA-së kundër Kinës lidhur me kontrollin e eksportit, shqyrtimin e investimeve dhe sanksionet e njëanshme, dëmtojnë seriozisht interesat e ligjshme të Kinës.  Është e rëndësishme që pala amerikane të marrë seriozisht shqetësimet e palës kineze dhe të ndërmarrë hapa konkretë për t'i hequr sanksionet e saj të njëanshme, me qëllim që të sigurojë një mjedis të barabartë, të drejtë e jodiskriminues për bizneset kineze. Presidenti Biden është shprehur se : " është gjithmonë i mendimit se marrëdhëniet amerikano-kineze janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme, ……, se një Kinë e qëndrueshme dhe e zhvilluar përputhet me interesat e SHBA-së e të botës dhe se rritja e ekonomisë kineze favorizon SHBA-në dhe botën”. 

Të dy presidentët ranë dakord të nxisin dhe të forcojnë dialogun e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë bisedimet qeveritare kino-amerikane mbi inteligjencën artificiale dhe ngritjen e një grupi pune mbi bashkëpunimin kundër narkotikëve, rritjen e komunikimit në nivelin më të lartë ndërmjet dy ushtrive,  rritjen e mëtejshme të fluturimeve të planifikuara të udhëtarëve në fillim të vitit të ardhshëm; si edhe për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, studentore, rinore, kulturore, sportive e të biznesit, si dhe punën e përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike.

Takimi i dy presidentëve u konsiderua një takim pozitiv, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv. Ky takim duhet të bëhet pikënisja e re për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane. Të dy krerët e shteteve kërkuan nga delegacionet e të dy palëve që në bazë të vënies në zbatim të mendimeve unanime të arritura në Bali, të zbatojnë në kohë vizionet e reja të parashtruara në këtë takim.

Prof. Dr. Petraq Milo