Kina dhe Amerika, dy partnerët më të fuqishëm të globit. Biden premton publikisht përkushtim për bashkëpunim
2023-11-17 17:49:06

Xi Jinping, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës është takuar ditën e mërkurë (15 nëntor 2023) me Joe Biden, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Takimi është zhvilluar në rezidencën Filoli në San-Francisko, të SHBA-ve, me ftesë të Presidentit Biden, në kuadër të Samitit Kinë – SHBA dhe takimit të vendeve të APEC, pikërisht në vendin ku 50 vite me parë Kina dhe SHBA nënshkruan Kartën e OKB-së.

Takimi i zhvilluar në frymën e një shkëmbimi të sinqertë e të thelluar mendimesh për çështje strategjike gjithëpërfshirëse, me rëndësi të madhe për drejtimin e marrëdhënieve kino-amerikane, si edhe për çështje të tjera që ndikojnë mbi paqen dhe zhvillimin botëror, duket se do jetë një udhërrëfyes për marrëdhëniet e mëtejshme të dy partnerëve më të fuqishëm të globit.

Xinhua

Xinhua

Duket se argumenti deduktiv pa ekuiovoke i Presidentit Xi Jinping që “Kina dhe ShBA-ja kanë dy alternativa në këtë epokë transformimesh globale të papara në një shekull. Alternativa e parë është forcimi i solidaritetit dhe i bashkëpunimit, për të përballuar sfidat globale dhe për të promovuar sigurinë e lulëzimin global, ndërsa alternativa tjetër është ndjekja e mendësisë së ‘lojës ku fituesi i merr të gjitha’ dhe provokimit të rivalitetit dhe kundërvënies, që e çon botën drejt trazirave dhe ndarjeve. Këto dy zgjedhje çojnë në dy drejtime të ndryshme, që do të vendosin të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit tone. Marrëdhëniet kino-amerikane, të cilat janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, duhet të perceptohen dhe të vështrohen mbi bazën e këtij konteksti të gjerë. Kina dhe ShBA-ja nuk mund t'ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës dhe nuk duhet të përpiqen ta ndryshojnë njëra-tjetrën. Konflikti dhe kundërvënia do të sjellin pasoja të papërballueshme për të dyja palët. Konkurrenca mes vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina e ShBA-ja, apo edhe mbarë bota. Bota është mjaft e madhe dhe të dy vendet mund të bashkëjetojnë në të, dhe suksesi i njërit vend është edhe një mundësi e mirë për vendin tjetër”, ka qenë i drejtpërdrejtë dhe mjaftueshmërisht i përshtatshëm që pala amerikane dhe Presidenti Biden të dakordësojnë dhe të theksojnë se: “San-Francisko është vendi ku kinezët arritën së pari në ShBA, ku nënshkruam së bashku Kartën e OKB-së dhe ku u vendosën marrëdhëniet e para të binjakëzimit mes qyteteve të ShBA-së dhe Kinës. Takimi ynë përsëri sot në San-Francisko ka rëndësi të veçantë. Shpresoj që të arrijmë mendime unanime dhe rezultate të reja mbi bazën e takimit të Balit, ku vitin e kaluar, ne bëmë një takim të rëndësishëm me presidentin Xi. Jam gjithmonë i mendimit se marrëdhëniet amerikano-kineze janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme, se konflikti ndërmjet ShBA-së e Kinës nuk është i pashmangshëm, se një Kinë e qëndrueshme dhe e zhvilluar përputhet me interesat e ShBA-së e të botës dhe se rritja e ekonomisë kineze favorizon ShBA-në dhe botën. Ruajtja e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve amerikano-kineze, parandalimi i konfliktit, administrimi i dallimeve dhe zhvillimi i bashkëpunimit në fushat që përputhen me interesat e të dy palëve, mund t'i ndihmojnë të dy vendet në trajtimin e problemeve të tyre të veçanta, si edhe të atyre të përbashkëta”.

Xinhua

Xinhua

Më tej, kreu i shtetit i Kinës shtjelloi tiparet thelbësore të modernizimit kinez dhe rëndësinë e tij, perspektivat e zhvillimit të Kinës dhe synimin e saj strategjik. Ai vuri në dukje se zhvillimi i Kinës drejtohet nga logjika dhe dinamika e vet e brendshme. Kina po promovon rilindjen kombëtare në të gjitha fushat nëpërmjet modernizimit kinez. Ajo nuk do të ndjekë rrugën e vjetër të kolonizimit dhe shtypjes, apo rrugën e gabuar të kërkimit të hegjemonisë me anë të forcës në rritje. Kina nuk e eksporton ideologjinë e vet dhe as nuk përfshihet në kundërvënie ideologjike me ndonjë vend tjetër. Kina nuk ka në plan ta tejkalojë apo zëvendësojë ShBA-në dhe as ShBA-ja nuk duhet të planifikojë ta shtypë dhe frenojë zhvillimin e Kinës.

Presidenti Xi e vuri theksin te (1) respekti i ndërsjellë, (2) bashkëjetesa paqësore dhe (3) bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella, që janë pikërisht tre mësimet më të mëdha nga marrëdhëniet 50-vjeçare kino-amerikane, si edhe nga konfliktet midis vendeve të mëdha përgjatë historisë. Në këtë kuadër, Kina dhe ShBA-ja duhet të kenë një vizion të ri dhe të ndërtojnë së bashku pesë shtylla për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe që janë: 

Xinhua

Xinhua

1. Formimi i përbashkët i një perceptimi të drejtë për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme, të shëndetshme e të vazhdueshme, duke shpresuar që të dy vendet të jenë partnerë që respektojnë njëri-tjetrin dhe bashkëjetojnë në paqe. Kina ka interesa që duhen mbrojtur, parime që duhen ruajtur dhe vija të kuqe që nuk duhen shkelur.

2. Menaxhimi i përbashkët i mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive, pasi ato nuk janë humnerë që ndajnë dy shtetet, por janë mundësi për të ndërtuar ura që mundësojnë të ecim drejt njëri-tjetrit. Për këtë nevojitet më shumë shumë komunikim, më shumë dialog e konsultime dhe trajtim me qetësi të dallimeve si dhe të aksidentet që mund të ndodhin midis partnerëve.

3. Avancim në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, sepse Kina dhe ShBA-ja kanë shumë interesa të përbashkët në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë qoftë ato tradicionale, si ekonomia, tregtia e bujqësia, ashtu edhe ato të reja, si ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale dhe kjo duke përdorur me eficiencë dhe efektivitet të mekanizmave aktualë që funksionojnë dhe të mekanizmave të tjerë të rinj në politikën e jashtme, ekonomi, financë, tregti, bujqësi e fusha të tjera, si edhe të zhvillohet bashkëpunim lidhur me luftën kundër narkotikëve, çështjeve gjyqësore e të zbatimit të ligjit, inteligjencës artificiale, shkencën dhe teknologjinë, etj.

4. Dy vendet duhet të marrin përsipër së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha. Problemet me të cilat ndeshet shoqëria njerëzore nuk mund të zgjidhen pa bashkëpunim ndërmjet vendeve të mëdha. Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin duke dhënë një shembull, duhet të rritin bashkërendimin e bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe të ofrojnë më shumë produkte publike për botën. Të dy palët duhet t’i mbajnë nismat e tyre të hapura për njëra-tjetrën ose t’i bashkërendojnë e t'i ndërthurin ato.

5. Kina dhe ShBA-ja duhet të promovojnë së bashku shkëmbimet ndërnjerëzore, të dyja palët duhet të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta, të çojnë përpara bashkëpunimin turistik, të zgjerojnë shkëmbimet në nivel pushteti vendor, të forcojnë bashkëpunimin në arsim dhe në fushën e njerëzve me aftësi të kufizuara, të pakësojnë elementet negative që pengojnë shkëmbimet ndërnjerëzore, si edhe të inkurajojnë e të mbështesin ndërveprimin e rëndësishëm dhe komunikimin midis popujve, për të vendosur një bazë të mirë për zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane.

Në lidhje me parashtrimin e pikëpamjeve të qartë dhe racionale të Presidentit Xi Jinping, Presidenti Joe Biden tha: “Dëshiroj të ritheksoj përsëri pesë premtimet në takimin e Balit:

1. ShBA-ja nuk synon një Luftë të Ftohtë të re,

2. SHBA nuk synon ndryshimin e sistemit të Kinës,

3. SHBA nuk synon forcimin e aleancave për t'iu kundërvënë Kinës,

4. SHBA nuk përkrah “pavarësinë e Tajvanit”

5. SHBA nuk dëshiron të ketë konflikt me Kinën.

Më tej ai theksoi se “ekonomia amerikane dhe ekonomia kineze janë të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe SHBA-ja mirëpret zhvillimin e lulëzimin e Kinës dhe nuk synon shtypjen e zhvillimit të Kinës apo shkëputjen nga Kina”.

Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje më tej se: “Problemi i Tajvanit mbetet çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Kina i merr seriozisht deklaratat pozitive të bëra nga Shtetet e Bashkuara në takimin e Balit. ShBA-ja duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbajtur premtimin e saj se nuk do të përkrahë “pavarësinë e Tajvanit”, do të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe do të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës. Kina do ta realizojë ribashkimin dhe kjo është e diçka e pandalshme, dhe Presidenti Joe Biden, në vijim, në lidhje me këtë theksoi: “ShBA-ja zbaton politikën e ‘Një Kine’, mirëpret dialogun në nivele të ndryshme mes sektorëve të ndryshëm të të dy palëve dhe dëshiron të vazhdojë ruajtjen e komunikimit të hapur e të sinqertë, të forcojë njohjen, të shmangë keqkuptimet dhe të administrojë dallimet. Pala amerikane dëshiron të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me palën kineze dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të rëndësishme, si ndryshimi i klimës, lufta kundër drogës, inteligjenca artificiale etj. Pala amerikane mirëpret shtimin e fluturimeve ajrore ndërmjet të dy vendeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, tekniko-shkencore dhe njerëzore”.

Të dy presidentët vlerësuan përpjekjet e ekipeve të tyre përkatëse për të diskutuar hartimin e parimeve lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane dhe theksuan se është e rëndësishme që të gjitha vendet ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe të gjejnë rrugët për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe për t’i mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, për të parandaluar konfliktin, për të respektuar Kartën e OKB-së, për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët dhe për të menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme aspektet konkurruese të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Përveç të tjerave, në takim u ra dakord edhe për të nxitur dhe forcuar dialogun e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë inteligjencën artificiale, ngritjen e një grupi pune për luftën kundër narkotikëve, rinisjen e komunikimit në nivel të lartë ndërmjet dy ushtrive, bashkërendimin e politikës së mbrojtjes Kinë-ShBA, marrëveshjet këshillimore ushtarako - detare, zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, studentore, rinore, kulturore, sportive e të biznesit, përshpejtimin e përpjekjeve për të trajtuar krizën klimatike, duke përfshirë veprimet kombëtare për të pakësuar emetimin e CO2, etj, dhe u shkëmbyen mendime për konfliktin palestinezo-izraelit dhe probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.

Padyshim që ky takim në kuadër të samitit Kinë – SHBA dhe takimit të vendeve të APEC, është një takim pozitiv, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, që tregoi qartë për përmirësimin, stabilizimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane, gjë që e përforcon edhe më shumë fakti se të dy presidentët pranuan të vazhdojnë ruajtjen e komunikimeve të shpeshta.