CMG: "Vizioni i San-Franciskos" duhet të kthehet në realitet
2023-11-17 20:06:07


Në rezidencën Filoli të San-Franciskos, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden biseduan për gati katër orë dhe arritën 20 konsensuse në fushat politike, diplomatike, të shkëmbimeve njerëzore, të qeverisjes globale, ushtarake dhe të sigurisë kombëtare etj. Këto mendime unanime formojnë "Vizionin e San-Franciskos" të orientuar drejt së ardhmes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke shtuar faktorë sigurie dhe qëndrueshmërie në një botë plot luhatje dhe ndryshime.

foto: CMG

foto: CMG

Çfarë është "Vizioni i San-Franciskos"? Kina e përshkruan atë me përpjekjet e përbashkëta në pesë drejtime lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane, që janë përkatësisht krijimi i konceptimit të drejtë të njëri-tjetrit, menaxhimi në mënyrë efektive i mosmarrëveshjeve, nxitja e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë, mbajtja e përgjegjësive ndërkombëtare të vendeve të mëdha dhe promovimi i shkëmbimeve kulturore-njerëzore.

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), vitet e fundit, arsyeja thelbësore pse marrëdhëniet kino-amerikane kanë arritur në një pikë të ulët është se ShBA-ja gabimisht e konsideron Kinën si konkurrente kryesore dhe sfidën më të rëndësishme gjeopolitike, prandaj ka hartuar politika dhe ka ndërmarrë veprime të gabuara.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

"Kina nuk do të ndjekë rrugën e vjetër të kolonizimit dhe shtypjes, apo rrugën e gabuar të kërkimit të hegjemonisë me anë të forcës në rritje. Kina nuk e eksporton ideologjinë e vet dhe as nuk përfshihet në kundërvënie ideologjike me ndonjë vend tjetër. Kina nuk ka në plan ta tejkalojë apo zëvendësojë ShBA-në dhe as ShBA-ja nuk duhet të planifikojë ta shtypë dhe frenojë zhvillimin e Kinës." Në takim, presidenti kinez shpjegoi thellësisht perspektivat e zhvillimit dhe synimet strategjike të Kinës. Sidomos për çështjen e Tajvanit, Kina kërkon që ShBA-ja të respektojë parimin e "Një Kine", të kundërshtojë "pavarësinë e Tajvanit", të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës. Ndërsa, pala amerikane u angazhua përsëri për respektimin e pesë pikave të premtuara në takimin e vjetshëm në Bali, duke deklaruar se "një Kinë e qëndrueshme dhe në zhvillim është në interes të ShBA-së dhe të botës". “Shpresojmë që pala amerikane ta mbajë fjalën e dhënë dhe të mos e kalojë kufirin apo të mos luajë me zjarrin,” thuhet në koment lidhur me këtë qëndrim.

foto: CMG

foto: CMG

Për ta vënë në realitet "Vizionin e San-Franciskos", Kina dhe ShBA-ja duhet t'u përgjigjen së bashku rreziqeve e sfidave të jashtëzakonshme të shoqërisë njerëzore,vijon komenti. Para takimit ndërmjet krerëve të shteteve, të dy palët shpallën një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit për të përballuar ndryshimet klimatike, për të cilën opinioni ndërkombëtar është i mendimit që ka rëndësi të madhe për planetin tonë Tokë. Kina propozoi këtë herë edhe rritjen e fluturimeve ajrore ndërmjet dy vendeve, nxitjen e bashkëpunimit turistik, zgjerimin e shkëmbimeve ndërmjet pushteteve vendore dhe forcimin e bashkëpunimit arsimor dhe për çështjen e njerëzve me aftësi të kufizuara. Nëse këto masa zbatohen, do të konsolidojnë bazën e zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane dhe do t'u japin më shumë forcë të dy vendeve për të rritur besimin dhe bashkëpunimin.

foto: VCG

foto: VCG

Tani San-Francisko është bërë një pikënisje e re për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane. “Shpresojmë që ShBA-ja të mos përsërisë gabimin e kaluar të devijimit të konsensusit të Balit, duke ecur së bashku me Kinën dhe duke zbatuar rezultatet e rëndësishme të arritura këtë herë nga dy krerët e shteteve, për ta kthyer vizionin në realitet,” përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)