Xi Jinping dhe Joe Biden takohen mes gjeopolitikës komplekse dhe agjende delikate
2023-11-15 11:58:31

 

San Francisko po pret për herë të parë takimin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) ku liderët e vendeve të Paqësorit do të mblidhen për të diskutuar çështjet tregtare dhe ekonomike që mund të ndikojnë në mënyrë thelbësore biznesin global. Por, ka javë tashmë që fokusi mediatik dhe politik është në takimin e shumëpritur Xi-Biden, pasi marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Kinës janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe të kohëve tona. Mes brishtësisë ekonomike, tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimit  të ndryshimeve klimatike, APEC përballet me sfida të rëndësishme ndërsa përgatitet të presë takimin e tij të 30-të në San Francisko. Me një PBB të kombinuar prej mbi 50 trilion dollarë, 21 ekonomitë anëtare në bregun e Paqësorit përbëjnë më shumë se 60% të PBB-së globale, duke e bërë akoma më kritik rolin e APEC-it në promovimin e tregtisë së lirë në të gjithë rajonin Azi-Paqësor. Megjithatë, ekonomia ndërkombëtare nuk mund të ndahet nga shqetësimet e brendshme ekonomike dhe sociale në botën e sotme komplekse, duke e komplikuar më tej misionin e APEC. Takimi ka një rëndësi të madhe për ekonominë globale, jo vetëm në aspektin kohor, por edhe për të gjithë tregun. APEC ka qenë një lojtar kyç në globalizim dhe gjatë tre dekadave të fundit, ka bërë arritje të jashtëzakonshme në drejtim të zhvillimit ekonomik global, komunikimit social dhe gjetjes së zgjidhjeve për sfidat duke ofruar mundësi të ndryshme për të gjitha vendet anëtare.

 

Avion i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping mbërriti në San Françisko, 14 nëntor 2023(Foto:VCG)

Avion i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping mbërriti në San Françisko, 14 nëntor 2023(Foto:VCG)

Marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe liderët në fokus

Marrëdhëniet pozitive Kinë-ShBA janë jetësore jo vetëm për të dy vendet por edhe për gjithë botën në përgjithësi. Pas më shumë se katër dekadave nga vendosja zyrtare e marrëdhënieve diplomatike, dy fuqitë më të mëdha ekonomike në botë kanë krijuar lidhje të ngushta e të paprecedenta. Por, shumë sfida u shtuan në këtë marrëdhënie pasi është insistuar nga establishmentet e fundit një ndryshim i thellë i politikës së ShBA-ve për Kinën duke e parë atë si një “kërcënim ekzistencial”. Në ndërtimin e marrëdhënieve paqësore midis fuqive të mëdha është e rëndësishme që secila palë të jetë e gatshme dhe në gjendje të mbajë fjalët e dhëna.

Xi Jinping dhe Joe Biden njihen prej kohësh personalisht. Hera e parë që dy liderët janë takuar, ka qenë në Romë në qershor 2011, kur të dy ishin me pozita të ndryshme nga të sotmet. Hera e fundit që Presidenit Xi ka shkuar në ShBA, ka qenë viti 2017, kur ai u prit nga Donald Trump në pronën e tij Mar-a-Lago.  Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, dhe ky takim në nëntor të vitit 2023 përbën vetëm takimin e dytë ballë për ballë që nga viti 2021, kur Biden u bë president. Ka shumë pritshmëri, disa realiste disa më pak, por një gjë është e sigurt, takimi i liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë, përbën lajm, sensacion dhe patjetër ngjall kureshtje gjeopolitike.

Xi Jinping dhe Joe Biden takohen për herë të parë pas një viti (takimi i fundit ka qenë në Bali të Indonezisë në kuadër të G20) dhe kanë një grup kompleks, urgjent çështjesh dypalëshe dhe globale për t'u trajtuar. Megjithatë, një temë do të tërheqë shumë vëmendje madhore: se si dy ekonomitë më të mëdha në botë planifikojnë të stabilizojnë lidhjet e tyre ekonomike dhe të ndihmojnë në nxjerrjen e ekonomisë globale nga gjendja e saj aktuale. Nga Bali në takimin e vjetshëm, pati sinjale pozitive,  dy liderët patën shkëmbime të hapura mbi çështjet me rëndësinë e strategjisë dypalëshe, rajonale e globale. Por, sapo Biden u kthye në Uashington filloi sërish narrativa dhe aksioni i “konkurrencës strategjike”, një togëfjalësh që Kina nuk e pranon të definojë marrëdhëniet dypalëshe.

Që nga takimi i fundit i dy presidentëve në Bali, si lidhjet ekonomike ashtu edhe ekonomia globale janë përballur me rreziqe dhe sfida në rritje. ShBA-të, megjithë premtimet e përsëritura se nuk kërkon të shkëputet ose të cungojë rrugën e zhvillimit të Kinës, ka vazhduar të godasë firmat dhe produktet kineze nën pretendimet e sigurisë kombëtare. Në një vit, i janë shitur armë Tajvanit, janë vendosur sanksione ndaj kompanive kineze, dhe mbi të gjitha duhet pasur parasysh së nuk ka më asnjë kanal komunikimi zyrtar midis dy ushtrive që nga vizita e Nensi Pelosi-t në Tajvan. Pra, të thuhet që situata është e nderë është vetëm fillimi...

Foto:VCG

Foto:VCG

Mes rreziqeve dhe sfidave të tilla të thella, takimi midis liderëve kinezë dhe amerikanë, pritet si kulmi i një morie ndërveprimesh zyrtare gjatë muajve të fundit, dhe një shenjë vendimtare e përpjekjeve për të menaxhuar dallimet dhe për të stabilizuar lidhjet. Takimi mes krerëve është i shumëpritur. Është me rëndësi të madhe për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të mbajnë një marrëdhënie solide dhe të ngushtë për ekonomitë e tyre dhe ekonominë globale në tërësi. Të dy vendet duhet të gjejnë një mënyrë për të punuar së bashku në mënyrë efektive dhe në harmoni, për hir të interesave të tyre por edhe të mbarë botës.

 

APEC dhe gjeopolitika

Samiti i APEC-ut të këtij viti do të trajtojë disa çështje thelbësore, duke përfshirë ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore, kujdesin shëndetësor, anti-korrupsionin, digjitalizimin, fuqizimin ekonomik të grave dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë, etj.

Edhe pse në thelb është një forum ekonomik, gjeopolitika globale nuk mund të shmanget nga APEC, pasi çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Këto çështje përfshijnë mosmarrëveshjet emocionale mbi kufijtë dhe demarkacionet detare, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore, Detin e Kinës Lindore dhe Tajvanin. Megjithatë, APEC gjithashtu nuk mund të injorojë konfliktet globale si konflikti Rusi-Ukrainë dhe situatën shqetësuese Hamas-Izrael, të cilat kanë prekur të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Lind si nevojë historike dhe detyrë e të dy vendeve më të fuqishme që të gjejnë një rrugë për të ulur tensionet dhe për ta bërë të ardhmen më të sigurt për të gjithë.

Tema e APEC 2023 është "Krijimi i një të ardhmeje elastike dhe të qëndrueshme për të gjithë" dhe bazohet në tre prioritetet e ndërlidhjes, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes. Në fakt, kjo temë përputhet me vizionin e Presidentit Xi Jinping për një bashkësi globale të së ardhmes së përbashkët dhe mund të interpretohet në dy mënyra. Së pari, i referohet nevojës për zhvillim ekonomik që është sa elastik dhe i qëndrueshëm për të luftuar ndryshimet klimatike. Së dyti, i përket APEC si një organizatë, me sfidat dhe ndarjet e saj të brendshme, duke qenë në gjendje të mbajë veten. APEC është një platformë thelbësore për bashkëpunimin shumëpalësh, veçanërisht në mes të tensioneve dhe sfidave të shumta me të cilat përballet bota.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së fundmi, fakti që po bëhet takim i  liderëve të lartë është patjetër një gjë e mirë. Kina dhe ShBA-të  janë stabilizuesit dhe motorët e ekonomisë globale, takimi i liderëve të dy vendeve padyshim pritet të injektojë pozitivitet, të paktën në ekonomi mes një periudhe rreziqesh të thella e prirjeve negative. Gjithësesi, dallimet e mëdha mbeten, pasi ShBA vazhdon të theksojë "konkurrencën" me Kinën duke përsëritur ankesat e kahershme. Nga Kina mesazhi është i qartë, nuk kemi frikë nga "konkurrenca" por është mirë që këto marrëdhënie të mos përcaktohen vetëm nga ky term, pasi bie ndesh me trendin e kohës dhe nuk do të zgjidhë problemet.

 

Dr. Marsela Musabelliu