Kina dhe Australia ridimensionojnë nivelin e lidhjeve të tyre përballë rreziqeve e sfidave globale
2023-11-11 15:10:17

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Australisë kanë bërë një hap të rëndësishëm përpara me vizitën 4-ditore të kryeministrit Anthony Albanese në Pekin që shënon një rimendisionim në të gjitha nivelet të lidhjeve të këtyre vendeve ndër më të rëndësishmit në rajonin e Azi- Paqësorit, çka u dëshmua nga takimet e tij me Presidentin Xi Jinping dhe udhëheqësit e tjerë të lartë të shtetit dhe qeverisë kineze dhe fryma që karakterizoi bisedimet midis tyre. Kjo vizitë u quajt ‘historike’ edhe për faktin se ajo përkoi me 50-vjetorin e vizitës së parë në Kinë nga një kryeministër australian, Gough Whitlam, në vitin 1973, dhe nga ana tjetër kjo është vizita e parë e një kreu të qeverise australiane në Kinë pas 7 viteve ndërpreje shkëmbimesh në këtë nivel.

Foto:Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin australian Anthony Albanese, 5 nëntor 2023, Pekin(Foto:Xinhua)

Rezultati kryesor i kesaj vizite të Albanese në Kinë ishte dakortësia midis udhëheqjeve respektive se ishte e rëndësishme për të dy vendet të ruanin tempin në zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të tyre, duke zgjeruar fushat e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e aspektet.

Të dyja palët theksuan natyrën plotësuese të lidhjeve të tyre ekonomike dhe u shprehën optimimist për eksplorimin e fushave të reja të bashkëpunimit në ndryshimet klimatike, energjinë e rinovueshme dhe bujqësinë, të cilat janë bërë urgjente në kushtet e tanishme kudo në botë të goditur nga kriza globale. Ata gjithashtu u angazhuan për të ruajtur dialogun e tyre të nivelit të lartë të rifilluar së fundmi, dhe ky përfshin takime vjetore në nivel kryeministrash dhe bisedime të tjera diplomatike, strategjike dhe ekonomike.

President Xi Jinping vlerësoi përpjekjet e Albaneses për rikthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në këtë nivel, duke e quajtur vizitën ‘një pikë të re nisje’.  Kreu i Shtetit kinez i tha kryeministrit australian në takimin e tyre më 6 nëntor se udhëtimi i tij në Kinë bazohet në të kaluarën dhe sjell të ardhmen. “Mund të jemi absolutisht partnerë të besimit të ndërsjellë dhe arritjeve reciproke”, deklaroi Xi. 

"Ky vit shënon 50- vjetorin e vizitës së kryeministrit australian Gough Whitlam. Vizita juaj është një udhëtim për të rigjurmuar historinë dhe planin për të ardhmen. Falë përpjekjeve të përbashkëta të të dyja palëve, Kina dhe Australia kanë rifilluar shkëmbimet në fusha të ndryshme dhe marrëdhëniet janë futur në rrugën e duhur të përmirësimit të tyre”, deklaroi Xi. Presidenti vuri në dukje se Kina dhe Australia janë të dyja vende të rajonit Azi-Paqësorit dhe anëtarë të rëndësishëm të G20, pa ankesa historike apo konflikte thelbësore interesi, por kanë çdo arsye për të qenë partnerë të besimit të ndërsjellë dhe të arritjeve reciproke dhe sipas tij, të dy palët duhet të qëndrojnë në drejtimin e duhur të marrëdhënieve dypalëshe mes ndryshimeve të thella në botë.

Nga këndvështrimi i interesit vetjak, bota është e vogël dhe e mbushur me njerëz, me rreziqe dhe konkurrencë gjatë gjithë kohës. Nga këndvështrimi i fatit të përbashkët, bota është tepër e madhe dhe e gjerë, me mundësi bashkëpunimi kudo. Në ujërat e stuhishme të krizës globale, vendet nuk janë duke hipur në më shumë se 190 varka të vogla, por në vend të kësaj në një varkë të madhe me një fat të përbashkët, tha Xi. Kina dhe Australia duhet të ndjekin trendin e kohës, të ndjekin interesat e përbashkëta të të dy vendeve, të realizojnë një marrëdhënie dypalëshe, që karakterizon trajtimin e njëra-tjetrës në baza të barabarta, kërkimin e bazës së përbashkët, duke lënë mënjanë dallimet, dhe të bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm, dhe të çojnë përpara partneritetin strategjik gjithëpërfshirës Kinë-Australi, tha Xi.

Kjo u shërben interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve, përmbush pritshmëritë e përbashkëta të vendeve në rajon dhe ndihmon komunitetin ndërkombëtar t'u përgjigjet më mirë rreziqeve dhe sfidave të shkaktuara nga ndryshimet e papara në një shekull, theksoi ai.

Foto:Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin australian Anthony Albanese, 5 nëntor 2023, Pekin(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez vuri në dukje se aktualisht, ekonomia globale po përballet gjithnjë e më shumë me faktorë destabilizues, të pasigurt dhe të paparashikueshëm dhe se ekonomitë e të gjitha vendeve po përballen me sfida të konsiderueshme. Përballë një mjedisi të jashtëm kompleks, ekonomia kineze i ka rezistuar presionit, ka stabilizuar madhësinë e vet, duke përmirësuar cilësinë e saj.  Ai tha se Kina ndjek një strategji të favorshme të hapjes, kërkon një model të ri zhvillimi dhe promovon tërësisht ndërtimin e Kinës në një vend të fortë dhe arritjen e përtëritjes kombëtare përmes një rruge kineze drejt modernizimit, e cila do të sjellë mundësi të paprecedenta për Australinë dhe vende të tjera.

Dhe në fakt, pavarësisht tensioneve që ekzistonin me Australinë nën qeverinë Morrison, tregtia e përgjithshme dypalëshe ka vazhduar të rritet, duke arritur në afro 300 miliardë dollarë në vitin 2022. Kjo tregon se sa komplementare janë në të vërtetë dy ekonomitë, si dhe interesin e ndërsjellë të të dy palëve për qëndrueshmërinë e këtyre lidhjeve ekonomike.

Ndërkohë Xi vuri në dukje domosdoshmërinë e shfrytëzimit të plotë të potencialit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Australi, dhe inkurajoi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tilla të reja si ndryshimi i klimës dhe ekonomia e gjelbër, mbështetjen e sistemit global dhe rajonal të tregtisë së lirë dhe krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi për investime dhe funksionim të kompanive.

Presidenti Xi theksoi se në rajonin Azi-Paqësorit, Kina nuk angazhohet në klika ekskluzive, politikë blloku ose konfrontim kampesh. Klikat e vogla as nuk mund të zgjidhin sfidat kryesore me të cilat përballet bota dhe as të përshtaten me ndryshimet drastike në botën e sotme. Ai kërkoi vigjilencë dhe kundërshtim ndaj atyre përpjekjeve për të futur rajonin në kaos. "Kina është e gatshme për të nxitur më shumë bashkëpunim trepalësh dhe shumëpalësh me Australinë për të mbështetur vendet e Paqësorit të Jugut në rritjen e qëndrueshmërisë së zhvillimit, adresimin e ndryshimeve klimatike dhe sfidat e tjera, dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Azi-Paqësorit përmes hapjes dhe gjithëpërfshirjes", tha presidenti kinez.

Nga ana e tij Albanese tha se ishte një nder i madh të bënte një vizitë zyrtare në Kinë në këtë rast historik të 50-vjetorit të vizitës së zotit Whitlam në Kinë. Vitet e fundit, Kina ka realizuar arritje të jashtëzakonshme në zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin. Australia dhe bota kanë përfituar ndjeshëm nga zhvillimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i Kinës.

Më tej Albanese shtoi se të dy palët duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të jenë të barabarta dhe të përfitojnë nga njëra-tjetra, të qëndrojnë në komunikim, të rrisin mirëkuptimin dhe bashkëpunimin dhe të arrijnë rezultate të favorshme. Ai tha se populli kinez ka të drejtën e zhvillimit dhe ai ishte gjithmonë optimist për ekonominë e Kinës.

Meqenëse Australia dhe Kina kanë sisteme të ndryshme politike, është normale që të ketë dallime, por ata nuk duhet të lejohen të përcaktojnë marrëdhëniet midis tyre. Australia dhe Kina ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe dialogu e bashkëpunimi janë zgjidhja e duhur, tha ai.

Kryeministri kinez Li Qiang në ceremoni për ta mirëpritur homologun australian Anthony Albanese, 7 nëntor 2023, Pekin(Foto:Xinhua)

Për më tepër Albanese theksoi se Australia i përmbahet politikës së një Kine dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të forcuar shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, për të rritur bashkëpunimin në energjinë e pastër dhe ndryshimet klimatike dhe për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt. Ai shprehu gatishmërinë për të avancuar komunikimin me Kinën për çështjet rajonale, duke përfshirë Forumin e Ishujve të Paqësorit. 

Vizita e kryeministrit australian, bisedimet e tij me Presidentin Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë të lartë si dhe pjesëmarrja e tij në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) (6-10 nëntor) në Shangai tërhoqën një vëmendje të veçantë të kancelarive diplomatike botërore dhe media në Kinë dhe Australi si dhe në vende të tjera të botës i kushtuan një vend të posaçëm me komente e analiza sigurisht me veçoritë e tyre. Por, për shembull, sa kemi lexuar media australiane u përqendrua në natyrën historike të vizitës si dhe rëndësinë nisur nga këndvështrimi i perspektivës ekonomike e tregtare. 

Nga ana e tij shtypi kinez e shikonte vizitën si një moment historik në marrëdhëniet dypalëshe dhe i vinte theksin faktit ndër të tjera se të dy vendet nuk kanë probleme historike me njëri-tjetrin dhe kanë treguar më parë se si një marrëdhënie e qëndrueshme dypalëshe mund të jetë reciprokisht e dobishme.  

Gjithashtu mediat kineze dhe australiane si dhe analistë të marrëdhënieve kino-australiane nxorën ne pah pjesëmarrjen e Albaneses në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai si simbol i rëndësisë së tregut kinez për Australinë. Ata e panë këtë si një tregues që Australia "nuk do të pajtohet me përpjekjet e SHBA për t'u shkëputur nga Kina".

Në një editorial me titull "Ndryshim i qartë në qëndrimin e Australisë": çfarë kishte më shumë rëndësi për Kinën për vizitën e Anthony Albanese” rrjeti i mirënjohur mediatik The Conversation më 8 nëntor vinte në dukje se udhëheqësit kinezë pranuan se qasja tradicionale e Partisë Laburiste Australiane ndaj politikës së jashtme thekson bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe institucionet rajonale. Në këtë kuadër, lidershipi kinez u fokusua në interesat e përbashkëta midis Kinës dhe Australisë (tregtia, ndryshimet klimatike), si dhe identitetet e tyre të përbashkëta (vende në Azi-Paqësor). “Në të njëjtën kohë, ata (udhëheqësit kinezë) në mënyrë delikate (ose troç sipas rastit) i kujtuan Kanberrës se angazhimet e saj në aleancë me SHBA dhe anëtarësimi në marrëveshjet e sigurisë si AUKUS dhe Quad nuk duhet të jenë në kurriz të marrëdhënieve Australi-Kinë dhe sigurisht jo të interesave të kineze”, vinte në dukje editoriali.   

Pjesëmarrës australianë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, 2023, Shangai(Foto:hnntv)

Pjesëmarrës australianë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, 2023, Shangai(Foto:hnntv)

Ky rigjallërim i marrëdhënieve midis Pekinit dhe Kanberras u dëshmua edhe nëpërmjet një veprimi simbolik të kryeministrit Albanese gjatë udhëtimit në Kinë, i cili vizitoi Tempullin e lashtë të Qiellit më 6 nëntor 2023 dhe postoi në rrjetet sociale foto nga aktiviteti. 50 vite më parë Gough Whitlam, ish- kryeministër i Australise (1972 - 1975) udhëtoi në Kinë në atë që është quajtur vizitë historike. Kryeministri laburist australian Gough Whitlam tregohet në një fotografi bardh e zi gjatë vizitës së tij midis 31 tetorit dhe 4 nëntorit 1973, dhe i veshur me një pallto të gjatë ai ka vënë veshin e tij në një pjesë të murit rrethor ‘Echo’ në Tempullin e Qiellit në Pekin. 

“Ky mëngjes ishte një mundësi për të rigjurmuar historinë. Partia Laburiste kujdeset për historinë tonë”, tha Albanese gjatë vizitës në Tempull më 5 nëntor i cituar nga globaltimes.cn. “Është një marrëdhënie e rëndësishme. Ajo ka ndryshuar në 50 vjet. Kina ka ndryshuar. Australia ka ndryshuar. Marrëdhëniet kanë ndryshuar”.

I pyetur për udhëtimin në Kinë, Albanese tha se ai kishte implikime të mëdha të brendshme me një focus të madh në rivendosjen e lidhjeve tregtare. “Dje (më 6 nëntor) isha me 250 biznese australiane (në një ekspozitë tregtare në Shangai)," ai tha. “Kjo ka të bëjë me vendet e punës në Australi. Kjo ka një ndikim në ekonominë tonë. Kjo ka një ndikim në inflacion dhe sa të suksesshëm jemi… Ne jemi një komb tregtar. Kjo është shumë në interesin kombëtar të Australisë që ne të angazhohemi, ashtu siç ishte në interesin kombëtar të Australisë që unë të angazhohesha në Shtetet e Bashkuara.”

Vizita e kryeministrit Albanese në Kinë dhe bisedimet me Presidentin Xi dhe udhëheqësit e tjerë kinezë, e gjithë atmosfera e vizitës së tij të gjatë ishin dëshmi e vullnetit e gatishmërinë së të dy palëve për të punuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme dypalëshe dhe për të promovuar partneritetin strategjik Kinë- Australi, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në vendet e tyre, në rajon dhe në botë në këto kohë të turbullta të ngarkuara me rreziqe të paparashikuara më seriozet që nga Lufta e Dytë Botërore.