“Një Brez, një Rrugë”-një e mirë publike në mbarë botën
2023-10-10 09:30:26

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Forumi i 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar i Nismës “Një Brez, një Rrugë” pritet të zhvillohet këto ditë në Pekin, Kinë. Nisma “Një brez, një rrugë” nisi rrugëtimin e saj në vitin 2013, dhjetë vite më parë, me paraqitjen që i bëri në publik Presidenti kinez Xi Jinping.

Kjo iniciativë, një projekt publik ndër më të parapëlqyerit ndërkombëtarisht, sot është shndërruar në platformën më të madhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, me investime që i afrohen vlerës së 1 triliardë dollarëve.

Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Evropian të Tiranës:” Projekti “Një Brez, Një Rrugë” mendoj se përbën një nga projektet më të rëndesishme në kuadrin e tregtisë globale. Impaktet e tij, pas një periudhë prej dhjetë vitesh që po zhvillohet ky projekt, kanë filluar tashmë që të bëhen të dukshme.

Prof. Selami Xhepa (Foto UET)

Prof. Selami Xhepa (Foto UET)

Zgjerimi i ndjeshëm i tregtisë globale dhe reduktimi i kostove të transportit në tranzitimin e mallrave, që nga Lindja e Largët dhe deri në kontinentin tonë, janë një dëshmi e rëndësisë ekonomike që ka zgjerimi i infrastrukturës së transportit dhe korridoreve të transportit.

Në këtë kuptim, roli dhe rëndësia e këtij projekti mbeten të jashtëzakonshëm.

Përtej aspekteve gjeopolitike, të cilat kanë marrë konsiderata të veçanta gjatë viteve të fundit, në kuptimin strikt ekonomik, mendoj që ky është një projekt që do të shërbejë edhe më shumë për të stimuluar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve midis zonave të ndryshme të globit. Në këtë këndvështrim, përfitimet që do të ketë ekonomia botërore mendoj se do të jenë të jashtëzakonshme”u shpreh ai.

Forumi për Bashkëpunimin Ndërkombëtar i Nismës “Një Brez, një Rrugë” është një forum politik dhe ekonomik. Ai vepron si program e platformë për hartimin e planeve të veprimit, për zbatimin e iniciativave në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe burimeve të lëndëve të para, të kapaciteteve prodhuese, tregtisë dhe investimeve, si dhe në identifikimin e projekteve madhore.

Forumi synon të jetë po ashtu një mundësi për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me vendet dhe organizatat ndërkombëtare, përmes bashkëpunimit financiar, si dhe një platformë e hapur bashkëpunimi për shkencën, teknologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Forumi i parë u mbajt më datat 14-15 maj 2017 në Pekin, me pjesëmarrjen e 29 drejtuesve të shteteve dhe qeverive, si dhe me përfaqësues nga më shumë se 130 vende dhe 70 organizata ndërkombëtare.

Në ceremoninë e hapjes së Forumit të parë, Presidenti kinez Xi Jinping theksoi rëndësinë e zhvillimit të një Rruge Dixhitale të Mëndafshit. Ai cilësoi se “Ne duhet të ndjekim zhvillimin e nxitur nga inovacioni dhe të intensifikojmë bashkëpunimin në fusha kufitare si ekonomia dixhitale, inteligjenca artificiale, nanoteknologjia dhe llogaritja kuantike, dhe të avancojmë zhvillimin e Big Data (Të dhënave masive), Cloud Computing dhe qyteteve inteligjente, në mënyrë që t'i kthejmë ato në një Rruge Dixhitale te Mëndafshit e shekullit të 21-të”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Forumi i dytë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar i Nismës “Një Brez, një Rrugë” u mbajt në datat 25-27 Prill 2019 po në Pekin, me pjesëmarrjen e 37 drejtuesve te shteteve dhe qeverive, si dhe me mbi pesë mijë pjesëmarrës të tjerë, shumica përfaqësues të strukturave shtetërore dhe të kompanive private të interesuara nga e gjithë bota. Forumi i dytë identifikoi 283 projekte, marrëveshje ose iniciativa që vijojnë nën nismën “Një Brez, një Rrugë”.

Gjatë këtij forumi, u krijua Koalicioni Ndërkombëtar i Zhvillimit të Gjelbër i Nismës, si një projekt i përbashkët me agjencitë mjedisore të 25 vendeve të tjera.

 

Aktivitetet gjatë forumit të tretë që po zhvillohet në Pekin, përfshijnë ceremoninë e hapjes, tre forume të nivelit të lartë mbi konektivitetin, zhvillimin e gjelbër dhe ekonominë dixhitale, si dhe gjashtë forume tematike: lidhjen tregtare, komunikimin mes njerëzve, shkëmbimet e grupeve të ekspertëve, Rrugën e pastër të Mëndafshit, bashkëpunimin nënkombëtar dhe bashkëpunimin detar.

Ky forum ka tërhequr përfaqësues nga 110 vende. Ata shpresojnë se Kina mund të luajë një rol më të madh në hapjen e drejtimeve të reja për bashkëpunimin ndërkombëtar, duke eksploruar forca të reja shtytëse për rritjen ekonomike globale, si dhe ndërtimin e një platforme të re për rritjen e marrëdhënieve ekonomike midis vendeve.

Gjatë dekadës së fundit, nisma “Një Brez, një Rrugë”  ka kontribuar në multilateralizmin dhe ka krijuar kushte më të mira zhvillimi për vendet në zhvillim. Ajo ka tërhequr pjesëmarrjen e më shumë se tre të katërtave të vendeve në botë dhe të 32 organizatave ndërkombëtare deri më tani.

Nisma ka zbatuar dhe po zbaton më shumë se 3,000 projekte bashkëpunimi, duke krijuar 420,000 vende pune dhe duke ndihmuar në daljen e 40 milionë njerëzve nga varfëria. Ajo ka ofruar gjithashtu modelin dhe përvojën e zhvillimit të Kinës, për vendet dhe rajonet e përfshira në të.

Nisma “Një Brez, një Rrugë”  është shndërruar kështu në një të mirë publike në mbarë botën, pasi ka sjellë shpresë, prosperitet dhe ka hapur një rrugë të re për zhvillimin ekonomik global.

Viti 2023 shënon 10 vjetorin e Nismës. Forumi i bashkëpunimit ndërkombëtar të saj nuk është vetëm podiumi i ngjarjeve përkujtimore për të shënuar përvjetorin, por edhe një platformë e rëndësishme për të gjithë partnerët, për të planifikuar një bashkëpunim cilësor dhe të shtuar, në kuadër të “Një Brez, një Rrugë”.  

Nisma e propozuar nga Kina nuk është një aleancë gjeopolitike, as një aleancë ushtarake, as edhe nuk paraqitet si një "grup eskluziv". Në vend të tyre, ajo përfaqëson një proces të hapjes, gjithëpërfshirjes dhe zhvillimit të përbashkët. Si e tillë, nisma “Një Brez, një Rrugë”  po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje nga qytetarët në mbarë botën.

 

Fatos Çoçoli