Shqipëria, e para në rajon për parqet e erës
2023-08-08 10:00:24

Parqe eolike në Shqipëri (Foto Monitor)

Parqe eolike në Shqipëri (Foto Monitor)

Më 25 korrik 2023, Ministria e Energjisë dhe Infrastruktures përfundoi ankandin për ndërtimin e parqeve eolike(të erës) për prodhimin e energjisë elektrike, me kapacitet total 222.6 megavat/orë(MGW/h).

Është sikur, pa harxhuar asnjë lek nga paratë e taksapaguesve, të ndërtohet një hidrocentral i dytë i Vaut të Dejës, i cili e ka kapacitetin 250 megavat/orë. Ky ankand është i pari që organizohet nga qeveria shqiptare dhe po ashtu i pari i llojit të vet në rajon.

Në garë morën pjesë 14 kompani të huaja dhe vendase. Në fund të ankandit, komisioni i vlerësimit të ofertave të Ministrisë shpalli fituese nje bashkim kompanish te huaja, nje kompani te huaj dhe nje bashkim kompanie te huaj dhe shqiptare.

Te tria bashkimet ofruan të ndërtonin tre parqe eolike me paratë e tyre, si dhe pranuan kushtin që 100 përqind të energjisë së prodhuar t’ia shesin shtetit shqiptar me çmim mesatar 64.5 euro për megavat/orë.

Parqe eolike (Foto Konicaa.al)

Parqe eolike (Foto Konicaa.al)

Kompanitë do të blejnë vetë tokën nga privatët, pra nuk e marrin nga shteti. Do të ndërtojnë parqet eolike ne pozicionet ne Shqiperi qe do te zgjedhin ato, si dhe kanë detyrimin që të gjithë energjinë që do të prodhohet, t’ia shesin shtetit shqiptar.

Çmimi mesatar fiks, me të cilin shteti ynë do të blejë nga këto kompani energjinë prej 64.5 euro/megavat-orë, eshte shumë më i ulët se çmimi mestar me të cilin shteti gjerman ose shteti francez, në të njëjtën kohë(qershor-korrik 2023, do ta blejnë energjinë nga marrëveshje të lidhura me kompani private, ndërtuese të parqeve eolike në vendet përkatëse.

Shteti yne përfiton 111.3 megavat-orë kapacitet të instaluar, me çmim 64.5 euro për megavat-orë. çmimi mesatar i pëfituar nga kjo procedurë është shumë më i ulët nga çmimet mesatare të përftuara nga ankande të ngjashme për energjinë e erës në Evropë.

Në raundin e fundit të ankandit të këtij viti në Gjermani, çmimi mesatar i dhënë ishte 73.40 euro/MWh, pasi qeveria ngriti çmimet maksimale të ofertës me një të katërtën, duke reflektuar presionet inflacioniste mbi kostot e projektit dhe rritjen e normave të interesit.

Ndërsa në ankandin e fundit francez të parqeve të erës në tokë, u dhanë 73 projekte me një kapacitet total prej 1,156 MW, të cilat do të prodhojnë energji elektrike për një çmim mesatar prej 85.29 euro/MWh.

Ankandi i parqeve eolike konfirmoi diçka me shumë rëndësi. Sa herë në procedurat e prokurimit marrin pjesë kompani serioze ndërkombëtare, ulet ndjeshëm çmimi i përfitimit të shërbimit për qytetarin shqiptar. Kjo është vërtet një punë e mirë.

Është dëshmia e fuqisë së ankandit ndërkombëtar dhe transparent, ku ai që fiton është interesi publik dhe rritja e ndjeshme e kapaciteteve prodhuese të energjisë në Shqipëri, nga burime të ndryshme nga uji.

Për më tepër, e gjithë kjo energji që do të prodhohet brenda pak kohe ndërtim të parqeve eolike(një vit-një vit e gjysëm), njëherë që është siguruar toka, do të blihet nga shteti e gjitha për llogari të qytetarëve konsumatorë shqiptarë, me një çmim dy herë më të ulet, nga mesatarja pesëvjeçare e importit të energjisë në periudhat pik në tregjet ndërkombëtare.

Ankandi i parqeve diellore në Spitallë dhe Karavasta, i fituar nga gjigandi tjetër francez Voltalia, është një tregues edhe ai i transparences dhe i garës së hapur ndërkombëtare.

Për të ndihmuar kompanitë që do të merrnin pjesë në ankand, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me konsulentët e Bankes Boterore, hartoi një studim, i cili është një analizë e përgjithshme e erës në territorin shqiptar, për të treguar zonat potencialisht të përshtatshme për zhvillimin e projekteve të reja eolike, si dhe zonat e papërshtatshme/të papranueshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së erës, të përcaktuara si “të kufizuara” ose “zona të ndaluara”.

 

Ministrja Balluku dhe ekspertët për parqet eolike (Foto Abcnews)

Ministrja Balluku dhe ekspertët për parqet eolike (Foto Abcnews)

Energjia nga era jo vetëm do ta diversifikojë prodhimin e energjisë elektrike tek ne, por, duke qenë se i gjithë prodhimi blihet nga shteti shqiptar, do të shmangen blerjet e shtrenjta nga importi, mesatarja pesëvjeçare e të cilave është dy herë më shumë se çmimi mesatar 64.5 euro për megavat-orë i tre parqeve të erës. Për të mos folur për mesataren e importit të vitit të kaluar, e cila, për shkak të çmimeve të çmendura në tregjet ndërkombëtare, ishte 228 euro/MWh! Nga ana tjetër, parqet e erës ndërtohen shpejt dhe ndoshta brenda dy viteve, do të kemi një pavarësi akoma dhe më të madhe nga importi i energjisë, nga sa e kemi sot.

Fatos Çoçoli