Banka qendrore e Kinës favorizon uljen e normave të interesit për kreditë individuale të banesave
2023-08-02 19:40:43

foto/VCG

foto/VCG

Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, e bëri të qartë qëndrimin e saj për të favorizuar uljen e normave të interesit dhe raportit të parapagimit për kreditë individuale për banesa në një mbledhje pune të mbajtur të martën.

Kjo është pjesë e përpjekjeve për zbatimin e politikave të veçanta sipas qyteteve dhe të diferencuara të kreditimit për strehimin dhe për të përmbushur më mirë kërkesat e banorëve për strehim, sipas mbledhjes së mbajtur së bashku nga banka qendrore dhe Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor e Kinës mbi punën për gjysmën e dytë të vitit.

foto/VCG

foto/VCG

Banka qendrore tha se do të vazhdojë të udhëzojë bankat tregtare për të rregulluar normat e interesit për kreditë ekzistuese personale të banesave në kohën e duhur sipas ligjeve.

Për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të tregut të pasurive të paluajtshme, organet rregullatore pranuan domosdoshmërinë për të mbajtur të qëndrueshëm dhe të rregullt financimin e pasurive të paluajtshme dhe për të rritur mbështetjen financiare për qiradhënien e banesave, rinovimin e fshatrave urbane dhe ndërtimin e banesave të përballueshme.

Në mbledhje u theksua nevoja për të koordinuar përpjekjet për të zbutur rreziqet e borxheve të pushtetit vendor nëpërmjet përkrahjes financiare dhe për të pasuruar mjetet për parandalimin dhe zbutjen e rreziqeve sistemore, si edhe u propozua forcimi dhe përmirësimi i politikave të këmbimit valutor, për të ruajtur funksionimin e shëndetshëm të tregut valutor.

foto/VCG

foto/VCG

Punët e tjera të përmendura nga mbledhja përfshijnë promovimin e kujdesshëm të kërkimit dhe zhvillimit të juanit digjital, thjeshtimin e procedurave për investitorët e huaj në tregun kinez dhe diversifikimin e llojeve të aseteve të investueshme.   (Fang Xiaoyu/Artan)