Këshilli i Shtetit i Kinës studion politikat për të përkrahur rimëkëmbjen ekonomike
2023-08-01 18:07:01

foto/VCG

foto/VCG

Këshilli i Shtetit i Kinës theksoi të hënën nevojën për të forcuar "rregullimet anticiklike" dhe për të hartuar më shumë politika në kohën e duhur, për të konsoliduar mëkëmbjen e për të nxitur rritjen e mëtejshme të ekonomisë kineze.

Nevojitet të bëhen përpjekje për të nxitur gjallërinë e investimeve private, për të forcuar tregun e kapitalit dhe për të rritur besimin e investitorëve, u tha në një mbledhje ekzekutive të Këshillit të Shtetit të drejtuar nga kryeministri Li Qiang.

Rregullimet anticiklike janë mjete makroekonomike të përdorura për të asnjanësuar efektet negative të cikleve ekonomike.

Eshtë gjithashtu e nevojshme të përshpejtohet inkubimi i sektorëve të rinj strategjikë, të nxiten industritë e reja shtyllë dhe të rriten aftësia konkurruese e ndikimi i Kinës në zinxhirët globalë të industrisë e të furnizimit.

foto/VCG

foto/VCG

Në mbledhje u theksua gjithashtu nevoja për të optimizuar politikat lidhur me tregun e pasurive të patundshme dhe për të hartuar politika të posaçme për qytetet, që mund të përmbushin kërkesat e ndryshme dhe sjellin zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të sektorit.

Punësimit duhet t'i kushtohet vëmendje e madhe dhe politikat për shtimin e punësimit e të sipërmarrjes duhet të integrohen dhe të optimizohen për të krijuar më shumë vende pune.

Rregullimet pasuese mbi politikat që do të përfundojnë këtë vit dhe vitin e ardhshëm janë të rëndësishme për stabilizimin e shpresave të biznesit dhe rritjen e besimit, vuri në dukje mbledhja, duke kërkuar zbatimin e plotë të tyre.

Në mbledhje u miratuan gjithashtu tre projekte të energjisë bërthamore, përkatësisht në Ningde të provincës Fujian, Xudapu të provincës Liaoning dhe gjirin Shidao në provincën Shandong, duke theksuar që siguria e cilësia do të jenë përparësia kryesore në ndërtimin e këtyre veprave.

foto/VCG

foto/VCG

Në mbledhje u diskutua dhe u miratua gjithashtu në parim projektvendimi mbi zgjerimin e autorizimit për Këshillin e Shtetit për të zbatuar një program pilot që lejon juristët nga Hong-Kongu dhe Makaoja të praktikojnë ligjin në nëntë qytete të provincës Guangdong në pjesën kontinentale.

Projektvendimi do të paraqitet në Komitetin e Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore për shqyrtim. (Artan)