Kina dhe Indonezia angazhohen për thellimin e bashkëpunimit strategjik
2023-07-28 14:31:18

Kina dhe Indonezia u zotuan të thellojnë bashkëpunimin strategjik gjatë një takimi të enjten ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij indonezian Joko Widodo në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore.

Widodo arriti në qytet të enjten për të ndjekur ceremoninë e hapjes të Lojërave të 31-ta Universitare Botërore Verore të FISU-s dhe për të vizituar Kinën.

Gjatë takimit, presidenti kinez u kërkoi të dy palëve të sigurojnë standardin dhe cilësinë e lartë të hekurudhës së shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung, duke i dhënë një shtysë  më të madhe zhvillimit të Indonezisë.

Kjo hekurudhë është një projekt i rëndësishëm në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë" të propozuar nga Kina dhe një shembull i bashkëpunimit me cilësi të lartë ndërmjet Kinës dhe Indonezisë.

Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Indonezinë në mekanizmat shumëpalësh, të tilla si G20 dhe BRICS, u shpreh Xi.

Nga ana e tij, Widodo vuri në dukje se Indonezia ndjek pa luhatje politikën e "Një Kine" dhe është e gatshme të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si investimet, peshkimi, siguria ushqimore dhe kujdesi shëndetësor.

Pas takimit, të dy krerët e shtetit ishin dëshmitarë të nënshkrimit të një numri dokumentesh të bashkëpunimit dypalësh mbi eksportin e prodhimeve bujqësore indoneziane në Kinë, shëndetësinë, kërkimin dhe zhvillimin e përbashkët, si dhe ndërtimin e kryeqytetit të ri të Indonezisë dhe projektit "Dy vende, parqe binjake".