Vlora, skenë e koncertit me muzikë klasike franceze
2023-07-07 15:35:26

Foto nga instagrami

Foto nga instagrami

Instrumentisti shqiptar Vlorent Xhafaj së bashku me dy artistë të huaj solli në qytetin bregdetar në Vlorës një koncert klasik për artdashësit vlonjatë, por edhe turistët e huaj. Violonçelisti  Vlorent Xhafaj  dhe dy instrumentistët e huaj performuan pjesë të kompozitorëve francezë në teatrin “Petro Marko”. Koncerti  i muzikës klasike u ndoq me mjaft interes dhe u duartokit nga publiku. Virtuozi i violonçelit, Vlorent Xhafaj interpretoi me Anna Göckel në violinë  dhe Pierre-Yves Hodique në piano. Publiku artdashës shijoi muzikën e bukur klasike franceze, ndërsa trio-ja priti duartrokitjet e ngrohta të publikut shqiptar. Në Teatrin "Petro Marko" përveç publikut shqiptar pati shumë interes edhe nga turistët e huaj italianë, francezë e spanjollë, të cilët janë adhurues të muzikës klasike dhe muzikës së dhomës.

Trio klasike (Foto Shqiptarja.com)

Trio klasike (Foto Shqiptarja.com)

Pas koncertit violonçelisti Vlorent Xhafaj u shpreh mjaft i emocionuar

"Si përherë është shumë emocion në qytetin e lindjes, në Vlorë. Kisha 4 vjet që nuk kam luajtur këtu, që përpara pandemisë. Është përveçse kënaqësi edhe detyrim të vij herë pas here në qytetin e Vlorës për të luajtur vetë, por edhe për të sjellë kolegë të huaj me vlera që luaj me ta në skenat europiane. Publiku është shumë i ngrohtë si përherë", u shpreh Vlorent Xhafaj.

Tre  instrumentistët virtuozë luajtën pjesë të kompozitorëve të njohur francezë Ravel, Faure dhe Lekeu. Ky koncert u mbajt nën kujdesin e ambasadës franceze me rastin e Javës Kulturore Franceze në  Shqipëri. Ndjehet se publikut shqiptar, kryesisht nëpër qytetet e vendit, i kanë munguar koncertet e muzikës së dhomës, e vitet e fundit këto aktivitete kanë një shtrirje edhe më të gjerë nëpër Shqipëri, sidomos me rastin e aktiviteteve të realizuara në kuadër të Javës së Kulturës Ndërkombëtare.

Violinçelisti shqiptar V. Xhafaj

Violinçelisti shqiptar V. Xhafaj

Portret  i instrumentistit Vlorent Xhafaj

Artisti shqiptar Vlorent Xhafaj e ka nisur muzikën dhe instrumentin e violinçelit që në klasën e parë. Ai ka lindur në qytetin e Vlorës por  është larguar nga Shqipëria në moshën 16 vjeçare. Një pasion i madh për muzikën dhe një punë intensive me orë të zgjatura duke studiuar, e bëri atë të korrë sukses në skenat botërore. Violinçelisti shqiptar prej vitesh jeton në Francë, por me koncertet e tij është i kudo ndodhur në skena të ndryshme botërore. Prej vitesh Xhafaj është dhe drejtor artistik i  festivalit të muzikës së dhomës, “Different Trains Festival”.

Sava Lena

Vlorent Xhafaj (Foto nga instagrami)

Vlorent Xhafaj (Foto nga instagrami)

V. Xhafaj (Foto personale)

V. Xhafaj (Foto personale)