Të hënën pasdite, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, vizitoi me ftesë Muzeun e Orsejit në Paris së bashku me bashkëshorten e presidentit francez Emmanuel Macron, Brigitte Macron.
Zonja Macron e priti ngrohtësisht zonjën Peng Liyuan në hyrje të muzeut. Bashkëshortet e dy krerëve të shtetit hynë në muze dhe panë ekspozitën me temë “Paris 1874 - Krijimi i impresionizmit” dhe ekspozitën me piktura të njohura vaji të muzeut. Ato ndaluan herë pas here për të admiruar veprat klasike impresioniste të krijuara nga piktorë të famshëm. si Monet, Van Gogh e Renoir, duke shkëmbyer ndjenjat dhe mendimet e tyre.
foto nga CMG
Peng Liyuan tha se kinezët dhe francezët e duan shumë artin e pikturës dhe shprehu shpresën që të dy palët të kryejnë më shumë shkëmbime, në mënyrë që popujt e të dy vendeve të ndiejnë më shumë forcën tërheqëse të kulturave të njëri-tjetrit dhe të thellojnë mirëkuptimin e ndërsjellë. "Shpresojmë që artistët nga të dy vendet do të forcojnë shkëmbimet e mësimin e ndërsjellë, do të frymëzojnë njëri-tjetrin dhe do të krijojnë vepra arti më të shkëlqyera," vuri në dukje ajo.
Në sallën e muzeut, bashkëshortet e dy krerëve të shtetit komunikuan përzemërsisht me studentët francezë që kishin ardhur për të vizituar dhe studiuar. Studentët ndanë përvojat e tyre të mësimit të kinezishtes dhe shprehën dashurinë e tyre për kulturën kineze. Zonja Peng i inkurajoi të gjithë që të studiojnë me zell gjuhën kineze dhe, nëse kanë mundësi, të shkojnë në Kinë për shkëmbime e studime, të vizitojnë e të shohin më shumë dhe të ndiejnë Kinën reale dhe tredimensionale. Ajo shprehu shpresën që studentët do të bëhen ambasadorë të miqësisë kino-franceze, do të ndërtojnë një urë komunikimi mes dy popujve dhe ta përcjellin miqësinë kino-franceze brez pas brezi.
Muzeu i Orsejit është muzeu kombëtar francez, i ndërtuar në vitin 1986. Ai është muzeu me koleksionin më të pasur të veprave impresioniste dhe postimpresioniste në botë. (Fang Xiaoyu/Artan)