Xi Jinping thekson solidaritetin dhe bashkëpunimin në samitin e OBSh-së
2023-07-04 23:03:22

Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë pasditen e së martës në Pekin në mbledhjen e 23-të të Këshillit të Krerëve të Shtetit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Ai mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku theksoi solidaritetin e bashkëpunimin dhe shtimin e sigurisë e energjisë pozitive në ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Xi Jinping-u u shpreh se, së pari, të gjitha vendet duhet të forcojnë komunikimin dhe koordinimin strategjik, të nxitin dialogun për të kapërcyer dallimet dhe bashkëpunimin për të kapërcyer konkurrencën, të respektojnë interesat thelbësore e shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe të mbështesin me vendosmëri njëri-tjetrin në arritjen e zhvillimit dhe rigjallërimit. Duke u nisur nga interesat e përgjithshme dhe afatgjata të rajonit, vendet duhet të hartojnë në mënyrë të pavarur politikat e tyre të jashtme dhe të marrin në duart e veta të ardhmen dhe fatin e zhvillimit dhe përparimit kombëtar.

Së dyti, Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të zbatuar Nismën e Sigurisë Globale, duke këmbëngulur në zgjidhjen e dallimeve dhe kontradiktave midis vendeve përmes dialogut dhe konsultimeve. Duhet të goditen ashpër "tre forcat e së keqes", si organizata e "Turkistanit Lindor", kontrabanda e drogës, krimi kibernetik dhe i organizuar ndërkombëtar. Po ashtu, duhet të zgjerohet bashkëpunimi në fushat e sigurisë jotradicionale, si siguria e të dhënave, siguria biologjike dhe siguria hapësinore, dhe të përkrahet Afganistani në rrugën drejt rindërtimit paqësor brenda mekanizmave aktuale.

Së treti, Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global, t'i përmbahet drejtimit të duhur të globalizimit ekonomik, të kundërshtojë proteksionizmin, sanksionet e njëanshme dhe përgjithësimin e konceptit të sigurisë kombëtare, si edhe "shkëputjen dhe prishjen e zinxhirëve", për të bërë që nga rezultatet e zhvillimit të përfitojnë në mënyrë më të barabartë popujt e të gjitha vendeve.

Së katërti, Kina mirëpret të gjitha palët që të punojnë së bashku për të zbatuar Nismën e Qytetërimit Global, për të promovuar bashkëjetesën gjithëpërfshirëse të qytetërimeve të ndryshme dhe për të nxitur mirëkuptimin dhe miqësinë e ndërsjellë midis popujve të të gjitha vendeve. “Ne duhet të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në arsim, shkencë dhe teknologji, kulturë, shëndetësi, sport, media dhe fusha të tjera,” u shpreh Xi. Ai shtoi se, në tre vjetët e ardhshëm, Kina do të ofrojë 1000 bursa për mësuesit e huaj të gjuhës kineze dhe 3000 kampe verore "Ura kineze" në vendet e organizatës, si edhe do të ftojë 100 shkencëtarë të rinj të marrin pjesë në shkëmbimet e kërkimit shkencor në Kinë.

Foto:CMG

Foto:CMG

Së pesti, nevojitet të ruhet sistemi ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, dhe të kundërshtohet hegjemonizmi dhe politika e forcës, duke punuar së bashku për të qenë ndërtues të paqes botërore, kontribues në zhvillimin global dhe mbrojtës të rendit ndërkombëtar.

Udhëheqësit pjesëmarrës folën pozitivisht për arritjet e jashtëzakonshme në zhvillimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, mirëpritën Iranin që t'i bashkohet zyrtarisht OBSh-së dhe shprehën shpresën që Bjellorusia të përfundojë sa më shpejt procedurat për anëtarësimin në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Të gjitha palët u shprehën se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait ka dhënë kontribut të rëndësishëm në thellimin e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, mbrojtjen e interesave të përbashkëta të shteteve anëtare, promovimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon e botë dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ajo është bërë një model i besimit të ndërsjellë, dialogut të barabartë dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Është e nevojshme të përmirësohet mirëkuptimi dhe koordinimi i ndërsjellë, të promovohet bashkëpunimi ekonomik rajonal, si edhe të kundërshtohet konfrontimi ideologjik, ndarja dhe diskriminimi. Duhet të forcohen ndërlidhja rajonale dhe ndërtimi i korridoreve të mëdha, të mbështetet integrimi i nismës "Një brez, një rrugë" dhe i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, të thellohet bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, tregtisë, financave, energjetikës, teknologjisë, mbrojtjes së mjedisit, ekonomisë digjitale dhe shkëmbimeve njerëzore e kulturore, duke trajtuar së bashku sfidat globale si krizat ushqimore e energjetike dhe ndryshimi klimatik. Palët duhet të luftojnë së bashku terrorizmin dhe "forcat e tjera të së keqes" dhe të ndërtojnë një pengesë të fortë rajonale të sigurisë. Ato duhet të mbrojnë multilateralizmin e vërtetë, të mbështesin rolin udhëheqës të Kombeve të Bashkuara dhe të forcojnnë qeverisjen globale.

Udhëheqësit e shteteve anëtare nënshkruan dhe publikuan "Deklaratën e Nju-Delhit të Këshillit të Krerëve të Shtetit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait", publikuan së bashku një deklaratë për bashkëpunimin në luftën kundër ekstremizmit dhe një deklaratë për bashkëpunimin në fushën e transformimit dixhital, dhe miratuan dhënien Iranit të statusit si vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Ata nënshkruan edhe një sërë dokumentesh, duke përfshirë Memorandumin e Mirëkuptimit për Detyrimet e Bjellorusisë për Anëtarësim në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait dhe strategjinë e zhvillimit ekonomik të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait deri në vitin 2030.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Mbledhja u kryesua nga Narendra Modi, kryeministri i Indisë, që mban presidencën e radhës të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Në këtë mbledhje morën pjesë presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kirgizistanit Sadyr Japarov, kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif, presidenti i Rusisë Vladimir Putin, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon, presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi, presidenti i Mongolisë Ukhnaa Khurelsukh dhe presidenti i Turkmenistanit  Serdar Berdimuhamedov. Ishin të pranishëm gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Zhang Ming, Drejtori i Komitetit Ekzekutiv të Strukturës Antiterroriste Rajonale të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Ruslan Mirzaev dhe drejtues të tjerë të organizatave ndërkombëtare e rajonale.(Zhang Yan/Artan)