Kina e ShBA-ja pranojnë të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë gjatë vizitës së Blinken-it
2023-06-19 11:36:06

Foto nga MPJ

Çështja e Tajvanit është në thelb të interesave thelbësore të Kinës dhe problemi me pasoja më të mëdha dhe me rrezik më të theksuar në marrëdhëniet kino-amerikane, tha të dielën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang gjatë një takimi me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken në Pekin.

Gjatë bisedimeve, Qin shprehu qëndrimin e vendosur të Kinës dhe paraqiti kërkesa të qarta mbi çështjen e Tajvanit dhe probleme të tjera me interes thelbësor dhe shqetësim kryesor për Kinën. Ai i kërkoi palës amerikane të respektojë parimin e "Një Kine" dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe të mbajë vërtet premtimin për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit".

Kreu i diploamcisë kineze theksoi se marrëdhëniet kino-amerikane janë në pikën më të ulët që prej vendosjes së tyre, çka nuk u shërben interesave themelorë të të dy popujve dhe nuk përmbush pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare.

Politika e Kinës ndaj ShBA-së mbetet e qëndrueshme dhe drejtohet nga parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Këto parime duhet të ruhen bashkërisht dhe të përbëjnë vijën e kuqe që duhet të mbrohet bashkërisht dhe objektivin që duhet të ndiqet bashkërisht nga të dy palët, tha Qin.

Ai shtoi që Kina është e përkushtuar për të pasur marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme dhe konstruktive me ShBA-në dhe shpreson se pala amerikane do të ketë një perceptim objektiv dhe të arsyeshëm të Kinës, do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, do të ruajë themelet politike të marrëdhënieve kino-amerikane dhe do t'i trajtojë ngjarjet e papritura e sporadike në një mënyrë të qetë, profesionale dhe arsyeshme.

Foto nga MPJ

Sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze, të dy palët zhvilluar bisedime të sinqerta, të thella dhe konstruktive mbi lidhjet e gjithanshme dypalëshe dhe çështje të tjera të rëndësishme. Palët pranuan të zbatojnë së bashku konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy presidentët në Bali, të menaxhojnë efektivisht dallimet dhe të promovojnë dialogun, shkëmbimet dhe bashkëpunimin.

Të dy vendet pranuan gjithashtu të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë, vë në dukje deklarata. Blinken-i e ftoi Qin Gang-un  të vizitojë ShBA-në dhe kryediplomati kinez shprehu gatishmërinë e tij për ta bërë vizitën në një kohë të përshtatshme për të dy palët.