Ndalimi i përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshe
2023-06-06 10:51:49

Mbetjet plastike në det (Foto Abcnews.al)

Mbetjet plastike në det (Foto Abcnews.al)

Në fund të majit 2023, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj paraqitën Grupin e Punës, Task Forcën e Përbashkët të të dyja ministrive, për të kufizuar deri në ndalim të plotë përdorimin në tregjet tona të qeseve plastike njëpërdorimshme me trashësi më pak se 70 mikron, të cilat ndotin ndjeshëm mjedisin.

Nje vit me pare, me ndryshimin ne Ligjin e Perpunimit te Mbetjeve, vendi yne i tha ‘Jo!’ përdorimit të qeseve plastike njeperdorimshe në çdo njësi tregtare, duke lejuar përdorimin e vetëm atyre qeseve me trashësi mbi 70 mikron.

Krijimi i Task Forcës për mjedisin (Foto Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)

Krijimi i Task Forcës për mjedisin (Foto Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)

Sipas ndryshimeve ligjore, personat që prodhojnë, importojnë ose hedhin në treg qese plastike njëpërdorimshe gjobiten me 500 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje, vlera e gjobës trefishohet në 1.500.000 lekë, me sekuestrim të gjithë sasisë së qeseve plastike të ndaluara. Në rast se e përsërisin, bizneseve u hiqet licensa.

Qëllimi është ulja e ndotjes së lartë të mjedisit, kryesisht të lumenjve e deteve, me plastikë që nuk riciklohet.  Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit, në Shqipëri, përdoreshin mesatarisht rreth 3,2 miliardë qese plastike në vit, ose 26.280 tonë qese plastike. Një qytetar përdorte mesatarisht 3 qese njëpërdorimshme në ditë, deri përpara hyrjes së ndryshimeve ligjore më 1 qershor 2022.

Vetëm si pasojë e hedhjes së paligjshme të qeseve njëpërdorimshme, çdo vit shpenzohen 1.5 milionë euro për pastrimin e mbetjeve të hedhura në mënyrë të paligjshme dhe mbi 2 milionë euro për pastrimin e plazheve.

 

Pas 1 qershorit 2022, shumë njësi tregtare i zëvendësuan gjatë kësaj periudhe qeset tejet të dëmshme plastike, me qese letre, duke mbrojtur Shqipërinë dhe fëmijët nga dëmi i frikshëm i qeseve shumë të holla plastike, të cilat helmojnë mjedisin dhe nuk reçiklohen. Vetë qytetarët, të ndërgjegjësuar tashmë, nisën të pajisen me trasta, për blerjet e tyre të përditshme.

 

Ndalimi i qeseve plastike (Foto ATSH)

Ndalimi i qeseve plastike (Foto ATSH)

Megjithatë, sidomos në mjedise tregtare jo standarde, në pika të shitjes në rrugë, etj., vijoi përdorimi i qeseve të holla plastike njëpërdorimshe.

 

Pas një viti pune sensibilizuese dhe duke parë situatën në terren, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë po krijojnë këtë grup të posaçëm pune të përbashkët, për të forcuar kontrollin e imtë,  duke ndëshkuar këdo që prodhon, importon dhe shet qeset e holla mbajtëse nën 70 mikron.

Task Forca është një koordinim mes Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Policisë së Shtetit dhe policive bashkiake në çdo qytet të vendit. Përmes saj, inspektorët e këtyre strukturave kanë mundësinë të ushtrojnë kontrolle të imta, të shpeshta dhe të vazhdueshme në tregje dhe përtej tyre, në pikat jo standarde dhe spontane të tregtimit. 

Të dyja ministret dhe ekspertët përkatës të ministrive diskutuan mbi ri-koordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion, për vijimin dhe koordinimin e kontrolleve në terren për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimit i ligjit. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim, në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.

Riciklimi i mbetjeve (Foto Ecovolis)

Riciklimi i mbetjeve (Foto Ecovolis)

Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore, sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.

Ndryshimet ligjore të qershorit 2022 dhe Urdhri i posaçëm i Kryeministrit parashikojnë disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësive të vetëqeverisje vendore, përmes policisë bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.

Fatos Çoçoli