Libri i bardhë: Në Kinë është formësuar një sistem i plotë i legjislacionit kibernetik
2023-03-16 20:29:50

Kina ka formuar një sistem ligjor relativisht të plotë kibernetik si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme në dekadën e kaluar për të nxitur punën e legjislacionit kibernetik, theksoi një zyrtar të enjten në një konferencë shtypi për publikimin e një libri të bardhë mbi qeverisjen e hapësirës kibernetike të Kinës

Ligjet dhe rregulloret synojnë të mbrojnë të drejtat e ligjshme dhe interesin publik të njerëzve e të japin garanci ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të hapësirës kibernetike, sipas librit të bardhë të titulluar "Qeverisja e hapësirës kibernetike e bazuar në ligj e Kinës në epokën e re."

Foto: VCG

Foto: VCG

Arritje të jashtëzakonshme janë bërë në legjislacionin kibernetik të Kinës gjatë 10-vjeçarit të fundit, me pesë ligje të posaçme  të miratuara, u shpreh Yue Zhongming, drejtor i Departamentit të Ligjit Ekonomik në Komisionin e Çështjeve Legjislative të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore.

Që nga hyrja në fuqi e "Ligjit të sigurisë kibernetike" në vitin 2016, është zbatuar një sistem i emrave të vërtetë në internet dhe janë marrë masa për të mbrojtur sigurinë e produkteve, shërbimeve, funksionimit dhe infrastrukturës kritike të informacionit të rrjetit.

Në vitin 2018 u shpall "Ligji i tregtisë elektronike", që rregullon operacionet e tregtisë elektronike dhe forcon mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe të të drejtave të pronësisë intelektuale.

"Ligji i sigurisë së të dhënave", i hyrë në fuqi më 2021, ka përmirësuar aftësitë kombëtare të sigurisë së të dhënave dhe ka nxitur përdorimin e ligjshëm, të arsyeshëm dhe efektiv të të dhënave. Po atë vit u zbatua ligji për mbrojtjen e informacionit personal,  për të forcuar ruajtjen e privatësisë dhe për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e njerëzve.

Vitin e kaluar, Kina miratoi "Ligjin mbi luftën kundër mashtrimeve të telekomunikacionit dhe në internet", duke ofruar mbështetje të fortë ligjore në luftën kundër krimit dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të pronës të njerëzve.

Yue tha se Kina vazhdoi gjithashtu të zgjerojë normat ligjore tradicionale në hapësirën kibernetike, duke përfshirë amendimin e ligjeve të tilla si "Ligji për mbrojtjen e informacionit personal", "Ligji për sigurinë ushqimore" dhe "Ligji për mbrojtjen e të miturve".

Sipas prirjes së zhvillimit të internetit, Kina e ka përmirësuar qeverisjen e saj të hapësirës kibernetike nëpërmjet legjislacionit që zbatohet "në një mënyrë të mirëmenduar e demokratike", duke çuar në një legjislacion kibernetik "sistematik, tërësor, të bashkërenduar e të efektshëm", thuhet në librin e bardhë.