Mediat për zgjedhjet në Japoni
Partia Liberal-Demokrate e Japonisë fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare. Javën tjetër pritet të emërohet edhe kryeministri i ri, i cili do të jetë kreu i partisë, Shinzo Abe.
Zgjedhjet në Japoni tërhoqën vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP shkruante se gjatë gjashtë viteve Japonia ka ndryshuar disa kryeministra. Japonezët jo vetëm nuk janë të vendosur për kandidaturat për shefin e qeverisë, por edhe nuk kanë ndonjë interes për të votuar në përgjithësi. Analistët thonë se pasi kryeministri i ri të marrë drejtimin e qeverisë, gjëja e parë që duhet të zgjidhë është rimëkëmbja e Japonisë dhe ruajtja e marrëdhënieve të balancuara me Kinën dhe SHBA-në.
Agjencia britanike e lajmeve, Reuters shkroi se pas zgjedhjes, Abe duhet të merret me shpëtimin e ekonomisë së vendit dhe trajtimin e arsyeshëm të marrëdhënieve me Kinën, të cilat janë acaruar shumë kohët e fundit. Analistët vunë në dukje se qendrimi i fortë i treguar gjatë fushatës së tij do të zbutet më vonë dhe ai do të fokusohet që të shpëtojë ekonominë e Japonisë që është në prag të greminës nëpërmjet përmirësimit të marrëdhënieve të acaruara me Kinën. Këtë herë humbja e Partisë Demokratike tregon se edhe japonezët dëshirojnë të shohin marrëdhëniet të mira të Tokios me vendet fqinje, shprehen analistët.