Integrimi europian i Shqipërisë
Shumica e prioriteteve të prashtruara në planin e veprimit janë plotësuar. Një qëndrim i tillë u bë publik gjatë javës që po lëmë pas nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Në një renditje të këtyre prioriteteve, ministrja Bregu veçoi ecuritë pozitive në administratën publike, konkretisht në përmirësimin e kuadrit ligjor.
Njëkohësisht sipas saj, në sistemin e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionin është bërë mjaft progres, duke ndikuar dhe në rritjen e mëtejshme të transparencës.
"Prioritet që i janë dhënë Shqipërisë, shumica janë zbatuar. Për 3 muaj nga miratimi i planit, në lidhje me administratën publike, është përmirësuar kuadri ligjor dhe ligji i shërbimit civil, themi që pika 6 e planit është përmbushur. Kemi ulje të numrit të kontratave të përkohshme të punës. Sa i përket reformës në gjyqësor kemi dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave pr/ligjin për gjykatën e lartë", tha ajo.
Ashtu si kundër është bërë progres në luftën kundër trafiqeve të drogës, duke zbatuar maksimalisht ligjin antimafia.
Gjithashtu, ministrja Bregu ka ripërsëritur sërish ftesën ndaj opozitës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, duke e parë atë si një çështje mjaft të rëndësishme në rrugën drejt integrimit të vendit në BE. Madje, kjo rëndësi është e barazvlefshme me vetë realizimin në kohë të reformës zgjedhore, për të cilën Bregu kërkoi nga klasa politike të nxitojë në arritjen e një konsensusi, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR.
"Përsëris thirrjen e PD për opozitën, që të bashkohet për heqjen e imunitetit. Nuk ka asnjë pengesë për këtë cështje, Kjo mazhorancë është e gatshme të votojë atë që do opozita. Se kuptoj pse tërhiqet zvarrë cështja a imunitetit. Opozita e lidh atë me përmbylljen e reformës zgjedhore, por janë dy cështje që s'kanë lidhje", tha ministrja Bregu.
Nga ana e tij, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i rikujtoi politikës shqiptare faktin se Bashkimi Europian e ka bërë të qartë qëndrimin e saj duke kërkuar përmbylljen e reformës zgjedhore. Sipas tij, heqja e imunitetit, gjithashtu, është me rëndësi për integrimin.
"Komisioneri Fule e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të bëjë progres në reforma në mënyrë që Komisioni Europian ta rekomandojë atë për marrjen e statusit kandidat në muajin tetor. Plotësimi i reformave për zgjedhjet dhe mënyrën se si funksionon parlamenti mbeten jetësore. Në të njëjtën kohë nuk do të na bëjë të humbasim vëmendjen nga prioritetet e tjera."- deklaroi Sequi.
Më tej, ambasadori i BE-së nënvizoi se një rekomandim pozitiv për marrjen e statusit kandidat është akoma i mundshëm, por sipas tij, koha për përmbushjen e prioriteteve është e shkurtër.
"Vullneti politik është esencial që Shqipëria të ecë përpara. Ju mund ta kryeni këtë, ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim, por vendimet mund të merren vetëm nga Shqipëria. Tani duhet të lëvizni", u shpreh Sequi.