BE-ja aplikon sanksionet ndaj naftës iraniane
Më 1 korrik BE-ja filloi zyrtarisht zbatimin e sanksioneve ndaj naftës së Iranit. Kjo ka për qëllim të detyrojë Iranin të heqë dorë nga programi bërthamor. Analistët janë të mendimit se 80% e të ardhurave valutore të Iranit vijnë nga eksporti i naftës. Sanksionet e naftës do të vënë Iranin në një gjendje më të vështirë, por akoma nuk mund të detyrojnë Teheranin të tërhiqet nga programi bërthamor.
Zbatimi i sanksioneve ndaj naftës së Iranit vjen pas vendimit të marrë nga BE-ja në fillim të vitit. Kështu ndalohet importi dhe transferimi i naftës nga Irani nga vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu nuk mund të ofrohen shërbime tregtare dhe financiare ose të sigurimeve ndaj naftës së Iranit. Për arsye se duhet të zbatonin kontratat e mëparshme dhe të kërkonin vende të reja për importin e naftës, sanksionet hynë në fuqi nga 1 korriku. Kohë më parë BE-ja, SHBA-ja dhe disa vende aleate të SHBA-së vendosën sanksione ekonomike ndaj Iranit, por kësaj rradhe sanksionet janë më të ashpra.
Për sanksionet e kësaj here të BE-së, ministri iranian i naftës, Rostam Ghasemi tha se Irani ka miratuar projektin e përballimit të situatës dhe se ka aftësi të plotë të përballet me këto sanksione. Ai është i mendimit se nafta e Iranit është cilësore dhe me çmim të arsyeshëm, mirëpritet në tregun ndërkombëtar dhe si rrjedhojë nuk është e vështirë për të gjetur blerës të tjerë. Analistët janë të mendimit se Irani po tenton të gjejë blerës të tjerë në vend të atyre të Bashkimit Europian, por kjo ndoshta nuk mund të realizohet lehtë, pasi blerësit e tjerë u ndikuan nga BE-ja. Ata kanë thënë se do të pakësojnë importet e naftës nga Irani, prandaj ka pak mundësi që vëllimi i shitjes së naftës iraniane të shtohet.
Gazeta amerikane "Chicago Tribune" shkruan se vendet perëndimore nuk po tentojnë ende të zgjidhin problemin bërthamor të Iranit nëpërmjet diplomacisë dhe si pasojë vendosin sanksione ndaj Teheranit. Sipas gazetës, kjo tregon vetëm se vendet perëndimore nuk janë të sinqerta që të zgjidhin problemin e Iranit, por vetëm dëshirojnë të shkatërrojnë ekonominë e këtij vendi. Padyshim kjo do të shërbejë si presion negativ në bisedimet mes Iranit dhe vendeve perëndimore.
Një artikull i agjencisë Reuters thotë se qeveritë perëndimore duhet të paralajmërohen se sanksionet ndaj Iranit po arrijnë nivelin e ekstremizmit. Embargoja e gjerë ndaj Iranit, e ngjashme me sanksionet ndaj Irakut pas luftës, duhet t'i kujtojë vendeve perëndimore se veprimet e tyre krijuan mjaft vështirësi për popullin irakian.
Analistët janë të mendimit se sanksionet e vendeve perëndimore kanë patur ndikim të madh në zhvillimin e ekonomisë iraniane dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Synimi i vendeve perëndimore është që ta detyrojnë Iranin që të bëjë lëshime duke i vendosur sanksione ekonomike, por deri tani, nuk mund të shihet asnjë shenjë reagimi nga Teherani. Nëse do të realizohet synimi dhe shpresa e vendeve perëndimore, duhet të presim ende.