II. Vihet në funksionim eksperimental GPS-i kinez, "Beidou"
Të martën Kina shpalli vënien në funksionim eksperimental falas në shkallë globale të sistemit të orientimit satelitor "Beidou", që quhet edhe GPS-i kinez. Me t'u publikuar lajmi, mediat kryesore botërore treguan vëmendje të madhe. Njoftimet vunë në dukje se Kina zotëron tashmë sistemin e orientimit, duke rivalizuar me Sistemin e Pozicionimit Global të SHBA-së, dhe kjo do të ushtrojë ndikim pozitiv për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik.
Që nga viti 2000 Kina filloi studimet për sistemin e orientimit satelitor "Beidou" dhe parashikohet se deri në vitin 2020 ky sistem do të përfshijë mbarë globin. Ashtu si sisteme të tjera ekzistuese të orientimit satelitor, ky sistem mund t'u ofrojë përdoruesve në mbarë globin shërbime shumë të sakta dhe të besueshmee të pozicionimit e orientimit. Jo vetëm kaq, por ky sistem ka funksionin e veçantë të dërgimit të mesazheve, që përdoruesi t'u njoftojë të tjerëve pozicionin e vet, duke realizuar një komunikim në dyanshëm.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Yang Yujun tha se sisteme të tjera të orienimit satelitor në botë ofrojnë shërbime ushtarake dhe civile, ndërsa ky sistem kinez synon në radhë të parë plotësimin e kërkesave të shumëllojshme civile dhe do të përdoret gjerësisht në fushat e komunikacionit e të telekomunikacionit, të meteorologjisë e të vëzhgimit hidrologjik.
BBC-ja e përshkroi sistemin "Beidou" si "rival i GPS-it amerikan" dhe analizoi se përdorimi i këtij sistemi do të ulë varësinë e Kinës te teknologjia e huaj. Në uebsajtin e revistës amerikane "America Aviation Week" dhe në gazetën indiane "India Economic Times" u komentua se, me vënien në shfrytëzim të sistemit "Beidou", Kina hodhi edhe një hap të madh në shkëputjen nga varësia te satelitët amerikanë.
Një specialist australian i fluturimeve kozmike tha në televizionin ABC se programi hapësinor kinez po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe, sipas kësaj prirjeje, në të ardhmen Kina do të jetë në gjendje të sfidojë hegjemoninë e SHBA-së në kozmos.
Në njoftimin e grupit mediatik bullgar "Bulgaria Darik News Net" thuhet se Kina do të vazhdojë të lëshojë më shumë satelitë që të sigurojë funksionimin normal të sistemit "Beidou".
Krahas sistemit amerikan "GPS" dhe sistemit kinez "Beidou", edhe Rusia e BE-ja po krijojnë sistemin e tyre të pozicionimit satelitor. Drejtuesi i sistemit kinez "Beidou" shprehu dëshirën për bashkëpunim dhe shkëmbime me vendet e tjera në sistemin e orientimit satelitor, për të shtuar pajtueshmërinë midis këtyre sistemeve dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët të çështjes botërore të orientimit satelitor.