III. Retë e luftës mbi Gjirin Persik
Që nga e shtuna e kaluar Irani ka filluar zyrtarisht manovrat ushtarake 10-ditore me emrin e koduar "Mbrojtja 90", në sferën nga ngushtica e Hormuzit deri në Gjirin Aden. Në këtë hapësirë detare me rreze prej qindra miljesh mbizotëron një atmosferë serioze. Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes George Little tha këtë javë se ushtria amerikane është gati për luftë kundër Iranit. Mbi Gjirin Persik po enden përsëri retë e luftës.
Vëzhguesit mendojnë se kësaj here manovrat e Iranit po zhvillohen në sfondin e përkeqësimit të marrëdhënieve të tij me vendet perëndimore dhe synojnë demonstrimin e potencialit të tij ushtarak dhe të aftësisë së reagimit në rast lufte. Me këto manovra Irani paralajmëron gjithashtu vendet perëndimore të mos veprojnë në mënyrë të pakujdesshme.
Zgjedhja nga Irani e ngushticës së Hormuzit për zhvillimin e manovrave gjithashtu ka qëllim të veçantë. Kjo ngushticë quhet "gryka e Gjirit". Nga këtej kalojnë 40 % e naftës botërore, si edhe një pjesë e konsiderueshme e gazit natyror për në vendet e ndryshme të botës, ndërsa Irani ndodhet pikërisht pranë kësaj gryke. Ky kanal i ngushtë ujor është bërë një as në mëngët e Iranit. Zv.presidenti i parë iranian Mohammad-Reza Rahimi tha këtë javë se, nëse Perëndimi do të vendosë sanksione mbi eksportin e naftës nga Irani, ky i fundit do të bllokojë ngushticën e Hormuzit dhe prej andej nuk do të kalojë "asnjë pikë naftë".
Kundrejt manovrave ushtrakare dhe thënieve të sipërpërmendura, zëdhënësi i Pentagonit George Little tha më 28 dhjetor se çdo orvatje për ndërhyrje në transportin normal në ngushticën e Hormuzit është fare e patolerueshme dhe se ushtria amerikane është e gatshme për luftë.
Pavarësisht nga qëndrimi i ashpër i SHBA-së dhe paralajmërimet për luftë nga vendet e tjera perëndimore dhe nga Izraeli, Televizioni "Al-Xhazira" analizoi se SHBA-ja e pagoi shtrenjtë luftën e Irakut, që sapo përfundoi, prandaj tani për tani nuk do të shpërthejë luftë kundër Iranit, që është më i fuqishëm se Iraku. Nga ana tjetër, SHBA-ja nuk ka dalë akoma nga resecioni ekonomik dhe vendet e BE-së ndodhen ende në krizën e borxheve. Në këto rrethana, vendet perëndimore nuk guxojnë të ndërmarrin veprime të nxituara ushtarake ndaj Iranit.
Bashkëpunëtori i Institutit Kërkimor për Amerikën e Veriut dhe Evropën pranë Universitetit të Teheranit Zaid Mohammad Marandi tha se SHBA-ja e Izraeli nuk guxojnë të veprojnë ushtarakisht ndaj Iranit, sepse, me të shpërthyer lufta, e gjitha Lindja e Mesme do të përfshihet nga flakët e saj. Sipas tij, "të gjitha pajisjet e prodhimit të naftës e gazit natyror, anijet cisternë, si dhe naftësjellësit do të shkatërrohen tërësisht", prandaj kërcënimi për përdorimin e forcës është "vetëm një mjet i SHBA-së dhe Izraelit për t'u imponuar vendeve të tjera vullnetin e tyre."
Duke iu referuar analizave të specialistëve ushtarakë, agjencia e lajmeve "Rojter" njoftoi se armatimet e ushtrisë iraniane nuk mund të krahasohen me ato amerikane, megjithatë do të prishin rëndë linjat e transportit detar.
Nga gjendja e përgjithshme sot mund të thuhet që, megjithëse SHBA-ja dhe Irani tregohen të fortë, qëndrimi i tyre ka për qëllim ushtrimin e presionit, ose për shkaqe zgjedhore, ose për fitime. Në lojën e sotme politike ndërkombëtare asnjëri nuk i dëshiron rreziqet e sjella nga lufta.