Shfaqja dhe trajtimi
Hiperhidroza ndahet në hiperhidrozë parësore ose idiopatike dhe dytësore, në varësi të shkaqeve të ndryshme. Ky klasifikim mund të kategorizohet më tej duke iu referuar paraqitjes klinike si hiperhidrozë e gjeneralizuar e tërë trupit ose fokale (e kufizuar).
Hiperhidroza parësore është zakonisht e kufizuar dhe haset në sqetulla, pëllëmbët e duarve ose të këmbëve dhe fytyrë. Hiperhidroza dytësore mund të jetë e lokalizuar ose e përgjithshme, që prek gjithë trupin.
Hiperhidroza dytësore, siç e tregon edhe vetë emri, shkaktohet si rezultat i një sërë shkaqesh dytësore. Këto shkaqe dytësore mund të përfshijnë disa gjendje mjekësore, medikamentet, ose përgjigjet e ekzagjeruara fiziologjike ndaj nxehtësisë, lagështirës ose aktivitetit fizik. Hiperhidroza e përgjithshme dytësore vërehet në patologji të ndryshme siç janë: çrregullimet endokrine, përfshirë këtu sëmundjet e tiroides, sëmundjen e diabetit, infeksionet akute ose kronike, sëmundjet malinje dhe sëmundjet e shoqëruara me çrregullime të mëdha të sistemit simpatik, si shoku kardiovaskular, pamjaftueshmëria respiratore dhe varësia nga alkooli dhe droga. Hiperhidroza dytësore mund të paraqitet gjithashtu si hiperhidrozë e lokalizuar. Hiperhidroza dytësore e paraqitur në mënyrë lokale lidhet në më të shumtën e rasteve me dëmtimet neurologjike. Trajtimi i kësaj sëmundjeje mund të jetë lokal, oral, kirurgjikal ose jokirurgjikal. Çdonjëra nga këto mënyra trajtimi është e ndryshme në varësi të indikacioneve, efikasitetit terapeutik, kohëzgjatjes të veprimit, efekteve anësore dhe kostos së terapisë. Megjithatë trajtimi i hiperhidrozës kërkon që të jetë një trajtim i individualizuar në varësi të gjendjes klinike dhe në bashkëbisedim me pacientin.
Përvecc trajtimit të sëmundjeve që sjellin shtimin e djersitjes, mund të marrim edhe disa masa të tjera që pakësojnë djersitjen dhe ndikimin negativ të saj.
Kështu, këshillohen disa norma higjienike, si: të përdoret sapun dhe detergjentë që respektojnë pH e lëkurës, të lahen shpesh duart, të shmangen substancat irrituese, të bëhet kujdes për plagët e lëkurës sado të vogla qofshin, të shmangen alkooli, duhani, kafeja, erëzat pikante etj.
Në përgjithësi, zgjidhja e parë për format e buta është me antidjersë me bazë kripërash të aluminit, ose alumin zirconium. Shumë persona i ngatërrojnë këto produkte me deodorantët, që sjellin shmangien e erërave të pakëndshme në trup dhe nuk ndikojnë në prodhimin e djersës. Megjithatë, në shitje ka edhe antidjersa me veprim deodoranti, për një aromë më të mirë.
Edhe depilimi ose heqja e qimeve në vendet që djersiten, është një hap në luftë ndnaj erërave të pakëndshme. Largimi i qimeve pengon mbajtjen e djersës dhe ndryshimin e përbërjes së saj kimike.
Pastrimi i rregullt, disa herë në ditë, po ashtu ndihmon shumë, por uji duhet të jetë i vakët. Nëse bëni dush me ujë të ftohtë, trupi tenton ta rikthejë sa më shpejt temperaturën, nxehet dhe atëherë sërish filloni të djersiteni.
Deodorantet është mirë të përdoren pas pastrimit, ndërsa shmangni parfumet e rënda, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës.
Një tjetër ilaç është iontophoresis, i cili synon të zvogëlojë sekretimin e gjëndrave ekrine duke përdorur elektricitet në një intensitet të ulët. Në përgjithësi rezultatet janë të kënaqshme pas 10-15 seancash.
Në rast se trupi juaj nuk u përgjigjet këtyre terapive, mund të zgjidhni kirurgjinë, për aq kohë sa ju besoni në duart e ekspertëve, për të minimizuar rrezikun e efekteve anësore dhe për të rritur shanset për sukses.
Përveç ndërhyrjes kirurgjikale, hiperidroza mund të trajtohet me rezultate shumë të kënaqshme me anë të injeksionit të botulinit (botoks). Ky medikament përmban toksinën botulinike të tipit A të purifikuar, injeksioni i së cilës bllokon lëshimin e acetilkolinës në nivelin e mbaresave nervore pre - sinaptike dhe si rrjedhojë, edhe trasmetimin e impulsit nervor. Me këtë mekanizëm bllokohet edhe prodhimi i djersës. Megjithëse përdoret tashmë prej shumë vitesh, duhet të kemi parasysh që, botulini është një medikament i cili duhet të aplikohet vetëm nga mjekë ekspertë, në klinika të specializuara. Duhet të bëhet kujdes që trajtimet me botulin të mos kryhen nga persona pa përvojë dhe është e ndaluar të kryhen auto - injeksione, pasi dëmet mund të jenë të konsiderueshme.
Trajtimi me botoks është komod, me pak dhimbje, nuk ka nevojë për anestezi dhe zgjat 15 - 30 minuta. Nuk është e nevojshme një periudhë rekuperimi pas trajtimit dhe rikthimi në jetën e përditshme është i menjëhershëm. Rezultati është shumë i kënaqshëm dhe zgjat mesatarisht 4 – 8 muaj. Më pas, djersitja do të rifillojë gradualisht, por shpesh, edhe pas një viti nuk arrihen nivelet e djersitjes para trajtimit. Në pjesën më të madhe të rasteve, për të mbajtur nën kontroll hiperidrozën, është i mjaftueshëm një trajtim në vit, duke preferuar periudhën para verës. (Albana)