Sëmundjet që sulmojnë më shpesh zemrën
Ataku
Ataku kardiak është sulmi që realizon ndalimin e zemrës, sidomos kur shfaqen simptomat e para dhe pacienti nuk i drejtohet spitalit kur ai ndjen shqetësimet më të para, të cilat vazhdojnë për më tepër se dhjetë minuta. Ataku i zemrës nuk është përherë i paparashikueshëm.
Miokarditis
Miokarditis është ndezje e përgjithshme e muskulit të zemrës, gjë që paraqitet si rezultat i sëmundjeve të tjera, ndonjë infeksion më i madh si gripi, reumatizmi i dhëmbëve, bajameve etj.
Infarkti
Infarkti është vdekje e një pjese të indit muskulor të zemrës. Kjo sëmundje paraqitet nga mbyllja e ndonjë dege të arterieve të cilat ushqejnë zemrën, gjatë kontraksionit (ngushtimit) momental të arterieve, ndonjë plasaritjeje e arterieve e përcjellë me gjakderdhje, gjatë streseve ose si pasojë e shtypjes së lartë.
Aritmia
Aritmia është rrahje e shpejtë dhe e ngadalshme e zemrës ose rrahje e përzier e ngadalësuar dhe e shpejtuar me kërcime dhe ndërprerje të rrahjeve. Kjo dukuri është pasojë e kontrollit të zhbalancuar të ngacmimeve nervore të punës së zemrës, të cilat e kanë prejardhjen nga qendrat e sistemit nervor.
Arterioskleroza
Arterioskleroza është grumbullimi i lëndëve të yndyrshme dhe kripërat e kalciumit në brendi në muret e arterieve, kjo çon deri tek mbyllja e tyre dhe zvogëlimi i qarkullimit të gjakut me shumë pasoja si dhe zmadhimi i shtypjes së gjakut, e cila mund të shkaktohet edhe nga gjendjet nervore, streset etj.
Embolia
Embolia është mbyllja e ndonjë arterie të trurit, një lloj si infarkti i zemrës. Kjo shkakton dëmtimin e ndonjë qendre dhe me këtë rast paraqitet paraliza ose vdekja.
Profesori Zhou Yujie i qendrës së kujdesit shëndetësor për të moshuarit pranë spitalit Anzhen të Pekinit, tha se për momentin, trajtimi i sëmundjeve koronare të zemrës përfshin disa mënyra si terapinë mjekësore, operacionin bajpas etj. Terapia e barnave është baza e të gjitha trajtimeve, shumë pacientë pas trajtimit me ilace mund të kenë një përmirësim të dukshëm
Operacioni bajpas i zemrës përfshin atë proçedurë që zëvendëson një arterie të mbyllur të zemrës nëpërmjet një rruge tjetër përçuese të gjakut. Arteriet koronare janë enë të vogla gjaku që furnizojnë muskulin e zemrës me oksigjen. Yndyrnat dhe kolesteroli mund të vendosen në muret e arterieve koronare dhe në mënyrë graduale të shkaktojnë mbylljen e tyre, për këtë arsye zemra nuk ushqehet më me gjak dhe vuan. Për të zëvendësuar venën e bllokuar mund të përdoren vena e këmbës e quajtur safena, ose arteria mamare e vendosur në brendësi të kafazit të kraharorit si dhe arterie të tjera.
Yujie Zhou tha se megjithëse ndërhyrja kirurgjikale mund të rezultojë e suksesshme, pacientët duhet të marrin ilaçe edhe pas operacionit.
"Është i gabuar mendimi se pas operacionit koronar bajpas ose pas lidhjes së arterieve të gjakut nuk është i nevojshëm mjekimi.
Vitet e fundit, rastet e vdekjes së papritur tek pacientët me sëmundje koronare të zemrës janë shtuar ndjeshëm. Profesori Zhou Yujie kujtoi se zbulimi në një fazë të hershme i sëmundjeve koronare të zemrës ka rëndësi thelbësore për trajtimin dhe kurimin. Nëse pësohet një infarkt, trajtimi do të jetë më i vështirë ose mund të rrezikohet edhe vet jeta e të sëmurit. Ai theksoi se EKG-ja është një nga mjetet për sëmundjet e zemrës, por për pacientët me sëmundje koronare të zemrës, saktësia diagnostikuese e EKG-së nuk është shumë e lartë. Prandaj, për diagnostikimin e sëmundjeve koronare të zemrës duhet të përdorin metodat të tjera, më të përparuara si angiografi koronare, ose CT të arterieve koronare.
Në përgjithësi, sëmundjet koronare të zemrës shkaktohen nga disa faktorë si konsumimi i alkoolit, tensioni i gjakut, pirja e duhanit, niveli i sheqerit në gjak, mbipesha, mënyra e ushqyerjes, niveli i stresit etj.
Profesori Zhou Yujie paralajmëroi se pacientët me sëmundje koronare të zemrës duhet të kontrollojnë rreptësisht konsumin e kripës, sheqerit dhe të vajit, për të parandaluar këtë sëmundje.
" Personat me sëmundje koronare të zemrës dhe me presion të lartë të gjakut, duhet të kufizojnë përdorimin e më pak se 3 gr kripe në ditë. Gjithashtu edhe sasia e sheqerit dhe e vajit duhet të kontrollohen. Në ditët e sotme ushqimet kanë përmbajtje kolesteroli më të lartë se në të kaluarën, prandaj këshillohen ushqimet bio, zarzavatet dhe mishi pa dhjamë. Ushqimet duhet kontrolluar rreptësisht".
Profesori Zhou Yujie shtoi se shumica e pacientëve me sëmundje koronare të zemrës kanë lidhje me aktivitetin mendor. Personat me sëmundje koronare të zemrës janë shpesh gjaknxehtë, konkurrues dhe me synime të forta për fitore. Prandaj, pacientët me sëmundje koronare të zemrës duhet të forcojnë vetërregullimin psikologjik, duke qëndruar të përmbajtur dhe të sjellshëm ndaj të tjerëve.
"Personat që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës janë shpesh ata që i përkasin grupit A të gjakut, krijues dhe shumë aktivë. Nëse një person ka tension të lartë gjaku, diabet, apo është duhanpirës i rregullt, duhet të ngadalësohen ritmet. Sëmundjet e zemrës shkaktohen edhe nga inati, mbilodhja dhe gjaknxehtësia. Prandaj personat me këtë sëmundje duhet të ngadalësojnë ritmet e jetës, të bëjnë një jetë të qetë dhe të qëndrueshme, të kenë më shumë kujdes, të jenë të vetpërmbajtur, veçanërisht të ruajnë si duhet ritmet dhe të mos nxitohen "
( Zhai)(Albana)


















