Sëmundjet koronare të zemrës janë cilësuar si " vrasësi kryesor për shëndetin e njeriut".Vitet e fundit, krahas rritjes së standardit të jetesës, janë shtuar edhe rastet e sëmundjeve koronare të zemrës. Nga viti në vit, po vihet re një prirje e shtimit të numrit të pacientëve të rinj në moshë.
Sëmundjet koronare, që përfshijnë problemet e arterieve që furnizojnë zemrën me gjak mund të shkaktojnë vdekje të papritur. Mundësia e vdekjes nga një sëmundje e tillë, pa shenja paralajmëruese, në fakt është e frikshme. Kardiologët thonë se kjo sëmundje godet papritur dhe prek rreth 50 për qind të burrave dhe 65 për qind të grave. Ajo shfaqet me një goditje të vogël në zemër, pa dhimbje, dhe kjo shpesh mund të jetë shenja e parë dhe e fundit. Sipas mjekëve kardiolog, goditjet pa dhimbje janë më të rrezikshme për zemrën. Studimet kanë treguar se ndonjëherë këto goditje pa dhimbje në zemër janë shpesh më të rrezikshme sesa ato me dhimbje të cilat mund të dallohen dhe trajtohen. Dhimbja që njerëzit ndjejnë gjatë një goditje të zakonshme në zemër ndodh kur fijet nervore të zemrës përplasen ose ndërthuren me fijet nervore të krahut, gjoksit ose shtyllës kurrizore. Pacientët në këto raste mund t'iu nënshtrohen analizave të stresit dhe skanimeve dhe mjekët madje mund të fusin kamera shumë të vogla nëpër arteriet e gjakut për të parë nëse në to është depozituar kolesterinë ose nëse arteriet janë ngushtuar.
Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës. Shifra e frikshme mësohet nga studimi i fundit që Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka kryer për përhapjen e sëmundjeve kardiovaskulare në vend. Sipas ISHP-së, vendi ynë vazhdon të regjistrojë shifra të larta vdekjesh nga sëmundjet kardiovaskulare, duke e renditur atë në vendin e parë të listës së vdekshmërisë në vend. Sipas një studimi të kryer nga ISHP-ja, gati gjysma e numrit të vdekjeve janë nga problemet e koronareve. Të gjithë ekspertët e Shëndetësisë, sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë, duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme. Sipas tyre, një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve të rrezikut, të cilët janë: diabeti, pirja e duhanit, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, familjarët me sëmundje të zemrës etj.
Simptomat
Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, "Nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi". Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët), të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja.


















