20150614renquan |
Më 8 qershor, zyra e informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës botoi Librin e Bardhë "Progresi i çështjes së të drejtave të njeriut në Kinë për vitin 2014" për të shfaqur progresin e kësaj çështjeje në Kinë në vitin e kaluar. Ky është libri i 12-të i bardhë i të drejtave të njeriut i botuar nga qeveria kineze dhe në të pasqyrohen përpjekjet e qeverisë kineze për të siguruar të drejtat ekonomike, shoqërore e kulturore të shtetasve me qëllim përfitimet për popullin kinez nga zhvillimi i shtetit.
Libri i Bardhë "Progresi i çështjes së të drejtave të njeriut në Kinë për vitin 2014" ka rreth 21 mijë shkronja dhe shfaq përmes shumë të dhënave dhe fakteve arritjet e Kinës në çështjen e të drejtave të njeriut në 9 aspekte, duke përfshirë të drejtat e zhvillimit, të drejtat personale, të drejtat demokratike, të drejtat e gjykimit të barabartë, të drejtat e pakicave kombëtare, të drejtat e grave, fëmijëve e pleqve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, të drejtat e mjedisit, shkëmbimet e bashkëpunimi i jashtëm.
Profesori i institutit studimor të strategjisë ndërkombëtare pranë Shkollës Qendrore të Partisë Li Yunlong është i mendimit se vitin e kaluar, krahas thellimit të reformës dhe nxitjes së zhvillimit të shëndetshëm ekonomik e shoqëror, qeveria kineze i kushtoi shumë rëndësi përfitimit të qytetarëve nga zhvillimi. Ai tha:
"Në Librin e Bardhë të këtij viti ka shumë pika tërheqëse dhe 3 pika prej tyre më kanë bërë përshtypje: së pari, përmirësohet më tej niveli i jetesës së popullit. Nën presionin e madh të rënies ekonomike, të ardhurat e qytetarëve u rritën me 8%, të ardhurat e fshatarëve me 9.2% si dhe u shtua me 13 milionë numri i të punësuarve. Së dyti, niveli i jetesës së banorëve në krahinat e varfra u përmirësua më tej. Së treti, qeveria ka forcuar mbrojtjen e mjedisit, duke shënuar rezultate të dukshme në eliminimin e ndotjes, përmirësimin e cilësisë së ajrit etj."
Në krahasim me librat e bardhë të kaluar, Libri i Bardhë i këtij viti thekson rolin e rëndësishëm të sigurisë juridike për nxitjen e çështjes së të drejtave të njeriut. Në Librin e Bardhë thuhet se në vitin 2014, organet e ndryshme të drejtësisë kineze ndërmorën reformën gjyqësore, me synim gjykimin e barabartë. Lidhur me këtë, zv-drejtori i qendrës studimore të të drejtave të njeriut pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Liu Huawen u shpreh:
"Vitin e kaluar, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës miratoi 'Vendimin për nxitjen e gjithanshme të qeverisjes së shtetit me ligj' që përcaktoi masat në fushën e qeverisjes me ligj dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht në atë të reformës së sistemit të drejtësisë. Për shembull Gjykata Supreme Popullore krijoi 3 platforma si ajo e informimit të hapur për proceset gjyqësore, platforma e teksteve të hapura gjyqësore dhe ajo e informacioneve të hapura të zbatimit të gjykimeve, të cilat kanë shtuar transparencën në drejtësi, duke i kushtuar rëndësi të madhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut me ligj."