Përparime të dukshme në marrëdhëniet kino-amerikane
Pas takimit midis krerëve të Kinës dhe të ShBA-së në Fermën Annenberg të Kalifonisë në qershor 2013, opinioni publik perëndimor është i mendimit se marrëdhëniet kino-amerikane kanë qenë të tensionuara gjatë 16 muajve të kaluar. Gazetari i "Financial Times" Jeph Dell para mbërritjes së Obamës në Pekin u shpreh se kreu i Shtëpisë së Bardhë po hyn në dy vjetët e fundit të mandatit të tij, plot lëkundje, kurse Xi-u ka ende 8 vjet në mandat. "Të dy ndodhen në faza të ndryshme të mandatit dhe marrëdhëniet kino-amerikane keqësohen më tej," komentoi Dell. Por sot, krerët e të dy vendeve paraqitën një qëndrim të ngrohtë dhe miqësor në Pekin.
Në artikullin e gazetës amerikane "The Wall Street Journal" thuhet se ShBA-ja dhe Kina po konkurrojnë në Azi dhe Paqësor, ndërsa e para po orvatet të shtojë ndikimet e saj në rajon, Pekini ka vendosmëri të bëhet fuqi ushtarake dhe ekonomike, e pakrahasueshme në rajon. "Mirëpo një sërë marrëveshjesh të reja të arritura midis Kinës dhe ShBA-së në Pekin vërtetojnë se pavarësisht nga kriza, dy fuqitë mund të arrijnë përparime në temat thelbësore," vlerëson "The Wall Street Journal", duke shtuar se bisedimet maratonë gjatë dy ditëve midis Xi-ut dhe Obamës i çojnë përpara marrëdhëniet kino-amerikane.
"Sektorët e Mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen mbi krijimin e mekanizmit të njoftimit reciprok për veprimtaritë e mëdha ushtarake si dhe kriterin e veprimeve të sigurisë ushtarake detare e ajrore në hapësirën ujore ndërkombëtare. Të dyja palët duhet të thellojnë shkëmbimet, besimin reciprok dhe bashkëpunimin ushtarak në kuadër të këtyre marrëveshjeve." Këto fjalë të Xi Jinping-ut gjatë takimit më 12 nëntor me Obamën e bindën botën se Kina dhe ShBA kanë arritur konsensus edhe në fushën ushtarake. Xi Jinping paraqiti edhe propozimin prej 6 pikash për nxitjen e marrëdhënieve të tipit të ri kino-amerikane.
Specialisti i çështjeve të Kinës i Qendrës së Kërkimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare të Uashingtonit Gleisser tha se rezultatet e takimeve Xi-Obama në Pekin i tejkalojnë parashikimet. Gleisser u kushton rëndësi të veçantë dy marrëveshjeve ushtarake midis Kinës dhe ShBA-së. Zv/këshilltari i presidentit amerikan për çështjet e sigurisë, Rodez kishte thënë se ShBA-ja dhe Kina kanë diskutuar si të trajtojnë rastet kur forcat ushtarake të të dy vendeve janë "tepër të afërta". Gleisseri tha se në të ardhmen kur ShBA-ja dhe Kina të hasin raste të tilla, do ta zgjidhin çeshtjen sipas marrëveshjes. "Dy ushtritë do të njoftojnë njëra-tjerën për manovrat ushtarake, publikimin e raporteve të rëndësishme të mbrotjes, ndryshimin e politikës së rëndësishme të mbrojtjes etj., që të pakësojnë rreziqet e fërkimeve midis dy ushtrive. Gjithashtu, këto marrëveshje kino-amerikane do t'u shërbejnë si shembull midis palëve të tjera ushtarake."
Pakësimi i nivelit të ndotjes, shembull për botën
Foto: 郝群英 / 东方IC
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i ShBA-së Barack Obama shpallën bashkërisht më 12 nëntor në Pekin se dy vendet do të marrin përkatësisht masa për të pakësuar në masë të madhe shkarkimin e gazit serre. ShBA-ja premton se deri në vitin 2025 do të pakësojë 26% të shkarkimit, ndërsa Kina zotohet se para vitit 2030 do të ndalojë shtimin e shkarkimit të dyoksidit të karbonit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon përshëndeti deklaratën e Kinës dhe të ShBA-së. Ai shprehu admirim për përpjekjet e Xi-ut dhe të Obamës në përballimin e ndryshimit të klimës. Gjithashtu, ai i inkurajon vendet e tjera, veçanërisht ekonomitë e mëdha, të mësojnë nga Kina dhe ShBA-ja.
Premtimi i Kinës përcakton në fakt kulmin e shkarkimit të karbonit, që do të thotë Kina krijon "tavanin" për industrializimin dhe urbanizimin e vendit. Ky premtim do të ushtrojë një ndikim të madh në rregullimin e strukturës së energjisë dhe të industrisë të Kinës. Ndërmarrjet, që konsumojnë sasi të mëdha qymyrguri do të detyrohen të mbyllen, ndërsa shoqëritë që merren me energji të përtëritshme do të kenë shance të mira. Kontrolli i shkarkimit të karbonit do të kufizojë edhe veprimtaritë ekonomike të administratave lokale, duke nxitur zgjidhjen e ndotjeve të rënda, që u interesojnë qytetarëve kinezë. Njëkohësisht, me kufizimin e shkarkimit të karbonit, si do të realizohet rritje ekonomike dhe si do të garantohet punësimi, duke u bërë një tjetër problem i vështirë për qeverinë kineze. (Wang Lei)