PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Yusuo, pasurimi nga energjia e pastër
2016-03-15 14:26:26 CRI Komenti juaj Printoni

Wang Yusuo shprehet se grupi që ai ka themeluar e drejton, po kërkon mënyrat për t'i kthyer mbetjet e dioksidit të karbonit në burime të dobishme, gjë që sipas tij do të ishte një risi e madhe.

Grupi po ashtu është zgjeruar edhe përtej sektorit të energjetikës, në hoteleri e turizëm. Kompania Turistike e Gjirit Beibu e Grupit ENN u regjistrua në Bursën e Shangait në mars të vitit të kaluar.

Lidhur me suksesin e grupit të tij, Wang shprehet: "ENN ka qenë në gjendje të shfrytëzojë mundësitë që i janë paraqitur në kohën dhe në vendin e duhur dhe të parashikojë prirjet e zhvillimit. Pse? Besoj se kjo ka ndodhur ngaqë e kuptoj shumë mirë drejtimin e politikës së reformës ekonomike në Kinë. Mbase kjo ka ardhur edhe për shkak të përfshirjes sime në politikë: unë jam anëtar i KKPPK-së që prej vitit 1994. Nëpërmjet kësaj veprimtarie politike, unë mund të kem një vështrim më të mirë e më të kthjellët se shumë sipërmarrës të tjerë dhe, si pasojë, kam më shumë gjasa t'i parashikoj prirjet dhe mbi këtë bazë t'i rregulloj strategjitë e biznesit të kompanisë sime."

"Kemi pasur fatin të mos kemi pasur ndikim të madh gjatë shtrëngimit të politikës makroekonomike nga qeveria. Kjo ka të bëjë shumë me nuhatjen që kemi pasur për të zgjedhur," thotë Wang Yusuo.

Wang Yusuo i kushton një rëndësi të madhe menaxhimit të kompanisë. Ai thekson: "Në Kinë ka shumë mundësi të mira biznesi, por ajo që mungon shpesh, është një menaxhim i mirë. Një biznes nuk mund të ketë një rritje të vazhdueshme pa një menaxhim të efektshëm. Vendet e huaja kanë një përvojë më të pasur në këtë drejtim, por një model i huaj menaxhimi nuk është i përshtatshëm për Kinën. Nga ana tjetër, bizneset private kineze nuk kanë trashëguar ndonjë lloj stili menaxhimi, prandaj ne duhet ta krijojmë vetë një të tillë."

Wang Yusuo vë në dukje se në vitet e fundit ENN ka përshtatur të tilla strategji menaxhimi që kanë siguruar vijimësinë e suksesit të grupit.

Lidhur me planet për zgjerimin global, Wang Yusuo thotë se ENN ka si objektiv të vetin që të sigurojë 50 % të të ardhurave nga tregjet jashtë vendit. "Ne do ta nxitim strategjinë tonë globale në dy fronte. Së pari, ne planifikojmë të depërtojmë në tregjet e huaja duke shfrytëzuar teknologjinë në inxhinierinë kimike të qymyrgurit dhe në gazifikimin e qymyrgurit. Ne po punojmë për ta bërë teknologjinë tonë të energjisë diellore e të biomasës edhe më konkurruese. Zgjidhjet tona për kursimin e energjisë dhe pakësimin e lëshimit të ndotjeve janë diçka për të cilën ka nevojë çdo vend i botës. Së dyti, ne planifikojmë të fokusohemi në blerjet dhe bashkimet jashtë vendit. Në të ardhmen inxhinieria kimike dhe energjetika mund të orientohen drejt qymyrgurit, dhe një arsye për këtë është se gazi natyror ka ardhur duke u shtrenjtuar. Nëse ndodh një gjë e tillë, ENN mund të jetë i interesuar për blerje si në sektorin e qymyrgurit, ashtu edhe në atë të gazit, po të kesh parasysh pasuritë kemi në të dy këta sektorë."

Për të ardhmen, Wang Yusuo shprehet se ENN po përpiqet të hyjë në "Listën e 500 kompanive kryesore të botës" të revistës "Fortune" deri në vitin 2020. Por ai vë në dukje që, përpara se të bëhet një kompani udhëheqëse në shkallë botërore, ENN duhet të përmbushë disa objektiva. "Së pari, strategjia jonë afatgjatë duhet të jetë në rrugën e duhur dhe duhet të mbështetet në zotërimin e burimeve të duhura. Së dyti, sistemi ynë i menaxhimit duhet të jetë i efektshëm dhe të përbëjë një rrjet të tërë të ndërlidhur, për të ditur në çdo çast se çfarë ndodh në kompanitë e Grupit. Së treti, ne duhet të kemi një sistem të krijimit dhe të menaxhimit të talenteve. Është gjë e mirë të kesh pasardhës, por është edhe më e rëndësishme të kesh një strukturë të mirë institucionale," vë në dukje Wang Yusuo.

Përveçse kryetar i Bordit të Grupit ENN, Wang Yusuo është gjithashtu zv.kryetar i Dhomës Kineze të Tregtisë, zv.kryetar i Federatës së Industrisë dhe të Tregtisë të Provincës Hebei dhe kryetar i Federatës së Industrisë dhe të Tregtisë të Langfang-ut. Pasuria e 52-vjeçarit llogaritet tashmë në 3 miliardë dollarë amerikanë.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China