20160315hppj1 |
Ekziston mendimi se në Kinë përdoren gjerësisht burime të tilla energjie që sjellin ndotje të rëndë si qymyrguri, gjë që ka shkaktuar probleme të mëdha mjedisore. Por një numër kompanish novatore kineze po bëjnë përpjekje për ta kthyer pasurinë qymyrgurore të vendit në një burim të pastër energjie. Një prej tyre është edhe ENN e krijuar dhe e drejtuar nga Wang Yusuo. Ajo është një ndër kompanitë më të mëdha private të energjetikës në Kinë dhe ndër kompanitë e para shpërndarëse të gazit natyror në Kinë. Por ambiciet e kësaj kompanie janë zgjeruar edhe përtej shpërndarjes së gazit natyror, në prodhimin e qymyrgurit të pastër, si edhe të energjisë diellore.
Wang Yusuo ka lindur më 16 prill 1964 në Bazhou të provincës kineze Hebei. Për shkak të varfërisë së familjes, atij iu desh të punojë që i vogël. Më pas, ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë në atë kohë, Wang Yusuo mendoi se shkollimi do të ishte një mënyrë për ta nxjerrë veten dhe familjen nga varfëria, por dështoi tre herë në provimet e pranimit në universitet. Ishte fillimi i viteve '80 të shekullit të kaluar dhe në Kinë kishte filluar Reforma dhe Hapja, çka i dha vrull sipërmarrjes private. Kështu që edhe i riu Wang Yusuo hoqi dorë përkohësisht nga arsimimi i mëtejshëm, dhe vendosi të nisë tregtinë. Në fillim ai u mor me shitjen e farave të lulediellit e të birrës, për të kaluar më pas te veshjet, dhe në fund duke punuar si agjent shitjesh për një fabrikë produktesh plastike. E megjithëse bëri gjithë këto punë, sërish paratë që fitoi nuk ishin të mjaftueshme. Por megjithatë, me gjithë vështirësitë e trysninë, Wang Yusuo vendosi të mos heq dorë. Gjatë Festës së Pranverës (ose Vitit të Ri Kinez) të vitit 1986, Wang Yusuo, që deri atëherë pothuajse kishte dështuar në çdo nismë të vet, vendosi të marrë hua 100 juanë (vetëm 16 dollarë amerikanë sot, po për kohën një shumë e konsiderueshme) dhe të nisë biznesin e vet të transportit, por i thanë se nuk lejohej të merrte makina me qira. Por pas këtij dështimi të radhës, fati do t'i ndriste më në fund edhe Wang Yusuo-s dhe këmbëngulja e tij do të shpërblehej. Dhe kjo ndodhi pikërisht kur ai vendosi të përfshihej në biznesin e shitjes së bombolave të gazit. Dhe ky vendim mund të thuhet se erdhi nga një rastësi.
Një ditë duke ecur në një rrugicë pranë shtëpisë së vet të marrë me qira në qytetin Renqiu, Wang Yusuo pa një grua të moshuar që shiste bombola gazi. Ai mendoi se mbase mund të bënte para duke shitur edhe ai gaz dhe e pyeti shitësen e moshuar nëse mund të blinte disa bombola. Shitësja i tha se kishte në shtëpi dhe të dy e lanë për t'u takuar në mbrëmje në shtëpinë e së moshuarës.
"Dhe kështu bleva një qese me kajsi si dhuratë për të moshuarën dhe në mbrëmje shkova në shtëpinë e saj," tregon Wang Yusuo. Por ai u befasua shumë kur pa se i shoqi i shitëses së bombolave të gazit ishte një i moshuar të cilin ai e kishte ndihmuar pak kohë më parë. "Përse nuk më the se do të më vije në shtëpi, që të kisha përgatitur diçka," i tha i moshuari djaloshit 22-vjeçar, gjithmonë duke i qenë mirënjohës për ndihmën, por Wang iu përgjigj se nuk e dinte që ishte shtëpia e tij. I moshuari i dha djaloshit më shumë bombola sesa ky i fundit kishte mundësi të blinte, duke i thënë se mund t'i paguante më vonë, pasi t'i shiste. "Nuk e di se përse ndjeva se e ardhmja e biznesit që kisha vendosur të nisja këtë herë më në fund do të ishte e suksesshme," tregon Wang Yusuo.
Të nesërmen Wang Yusuo mori një dyqan të vogël me qira dhe vuri një reklamë. Me të parë atë reklamë, klientët nisën të shkonin te dyqani i vogël. Vetëm brenda disa ditëve Wang shiti 40 bombola gazi, duke fituar 1000 juanë. Ishte një shumë mjaft e madhe për kohën, po të kesh parasysh që në atë kohë në Kinë, kur po fillonin të krijoheshin të pasurit e parë, një familje e pasur quhej "familje 10-mijëjuanëshe", pra 10000 juanë ishte pragu kur filloje të quheshe i pasur. Më pas, fillimisht me ndihmën e të moshuarit, rruga e biznesit dhe e pasurimit të Wang Yusuo-s nuk do të ndalej.
Në vitin 1989, kur kishte mbledhur tashmë kapitalin e mjaftueshëm, Wang Yusuo krijoi kompaninë e taksive "Xiali". Gjatë atyre pak viteve që u mor me biznesin e shërbimit taksi, Wang Yusuo pa potencialin e madh të produkteve të naftës. Por megjithatë, në fillim të viteve '90, pas edhe politikave lehtësuese nga qeveria kineze për hyrjen e biznesit privat në sektorin e gazit natyror, Wang-u u rikthye te gazi, por këtë herë duke blerë sipërfaqe në fushën gazmbajtëse "Huabei". Kjo përkoi me krijimin e Zonës së Zhvillimit të Langfang-ut, edhe ky qytet në provincën Hebei. Pa kaluar shumë, falë përvojës dhe seriozitetit të tij në menaxhim, Wang Yusuo siguroi kontratë për furnizimin me gaz të kësaj zone. Wang Yusuo krijoi kompaninë ENN, që nisi ndërtimin e gazsjellësit për furnizimin e Langfang-ut, i pari në këtë qytet e madje edhe në mbarë provincën Hebei.
Në vitin 1998 Wang Yusuo e ndjeu se së shpejti do të krijohej një treg gjigant i gazit natyror, për shkak të gazsjellësit Lindje-Perëndim, që kalonte nëpër tetë provinca e rajone autonome të Kinës për të përfunduar në Shangai. Në vitin 1999 Wang Yusuo e kaloi kompaninë e tij në shpërndarjen e gazit në provincën lindore Shandong dhe në provincën verilindore Liaoning, e në vitin 2000 gazsjellësi i ENN-it mbulonte 80 qytete në 14 provinca, duke furnizuar 4.5 milionë familje dhe 13 500 kompani. Përveç kësaj ENN krijoi edhe pika karburanti në më shumë se 200 qytete të Kinës. Sot afro 25 mijë taksi dhe mbi 1000 autobusë funksiojnë me karburant të furnizuar nga pikat e ENN-së.
Në vitin 2004 ENN hyri në atë që quhet industri kimike e qymyrgurit. "Kurrë nuk kisha menduar se shpërndarja e gazit mund të krijonte ndonjë vlerë. Ishte thjesht një biznes transaksionesh ku ne rishitnim gazin që blinim. Modeli i biznesit ishte i lehtë dhe i thjeshtë për t'u kopjuar nga të tjerët, ndërsa nga ana tjetër ishte e vështirë për të kontrolluar rezervat e gazit. E vrisja shumë shpesh mendjen se çdo të ndodhte nëse ne nuk do të kishim më mundësi të shitnim produktet e të tjerëve. Çfarë duhej të bënim? Gjithmonë ishim të vetëdijshëm se kriza mund të shfaqej në çdo çast, prandaj gjithmonë ishim në kërkim të mundësive të tjera që mund të na shfaqeshin," shprehet Wang Yusuo. Dhe më tej tregon: "Në korrik 2003 pashë një lajm për përdorimin e qymyrit të pastër dhe gjithë natën nuk më zuri gjumi. Në atë kohë kompania jonë po kërkonte të zbulonte rrugë të reja për të marrë pjesë në biznesin e energjisë, por tre kompani vendëse mbizotëronin në sektorin e naftës e të gazit e pjesa tjetër zihej nga një numër i vogël shumëkombëshesh të fuqishme. Ndjeva se kishte një mundësi të mirë në prodhimin dhe përdorimin e qymyrit të pastër." Kompanitë e naftës dhe të gazit nuk ishin të interesuara për sa i përket prodhimit dhe përdorimit të qymyrit të pastër, pasi kjo ishte një punë e rrezikshme dhe ku fitimet arriheshin me vështirësi. Po ashtu, edhe kompanitë e qymyrgurit kishin pak interes lidhur me këtë, ndërsa kompanitë e huaja ende nuk kishin përfituar nga ushtrimi i një biznesi të tillë në Kinë.
"Por Kina," thekson Wang Yusuo, "ka nevojë të madhe për të krijuar teknologji të qymyrgurit të pastër, meqë është një vend i pasur në qymyrguri, por i varfër në naftë e gaz. Qymyrguri përbën mbi 70 % të konsumit të përgjithshëm të energjisë në Kinë, por përdorimi i tij në termocentrale ka krijuar probleme serioze mjedisore, për shkak të lëshimit të dioksidit të karbonit, përveç ndotësve të tjerë. Në vitet '60 të shekullit të kaluar, në Kinë u ndoq një strategji që fokusohej te nafta e gazi dhe jo te qymyrguri. Kjo e bëri energjinë e pastër me bazë qymyrgurin një mundësi të madhe biznesi".
Grupi ENN ka tashmë më shumë se 30 000 të punësuar, ai furnizon me gaz natyror mbi 40 milionë banorë në më shumë se 70 qytete të Kinës, si edhe me gaz natyror të lëngëzuar pikat e karburantit në më shumë se 20 qytete.
ENN është përfshirë edhe në prodhimin e qymyrgurit të pastër, si edhe të energjisë diellore, duke e quajtur veten tashmë një shpërndarës të energjisë së pastër.Procesi i pastrimit të qymyrgurit përfshin gazifikimin e tij dhe kthimin pastaj në eter dimetili, i cili përdoret jo vetëm si lëndë djegëse në centralet elektrike, për gatim ose si karburant për automjetet, por edhe si lëndë e parë për produktet kimike. Një nga anët pozitive të eterit të dimetilit është se nuk lëshon dioksid sulfurik ose blozë kur digjet. Në një projekt së bashku me kompaninë amerikane IFC, ENN po e kthen qymyrgurin e Mongolisë së Brendshme në metan, për prodhimin e eterit të dimetilit. Mbi bazën e këtij projekti ENN prodhon tashmë 400 mijë tonë eter dimetili në vit, që shpërndahet në mbarë Kinën. ENN ka krijuar po ashtu një qendër kërkimore-shkencore në provincën Hebei, për të përmirësuar teknikat e gazifikimit të qymyrgurit, duke përdorur për shembull, ndër të tjera, energjinë diellore.