PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Ethet" e mësimit të kinezishtes
2016-02-23 09:42:26 CRI Komenti juaj Printoni

Chen Yuling-u ka thënë se e ka pasur gjithmonë përkrahjen e Kinës për realizimin e ëndrrës së vet, duke shtuar se të tërë bashkëkombasit e saj jashtë vendit e kanë gjithashtu të domosdoshme mbështetjen e atdheut. Nga ana tjetër, përpjekjet për përhapjen e gjuhës e të kulturës kineze ajo i sheh edhe si një detyrim ndaj atdheut dhe kombit të vet dhe si një shenjë mirënjohjeje për këtë ndihmë e mbështetje që ka pasur gjithmonë nga vendi amë. Për këtë arsye, znj. Chen vitet e fundit themeloi Fondacionin Kinez të Arsimit të Afrikës së Jugut.

Chen Yuling-u mbërriti në Afrikën e Jugut në vitin 1982, për të kërkuar mundësi biznesi, në kohën kur në Kinë sapo kishte filluar procesi i Reformës dhe i Hapjes, i ideuar nga udhëheqësi pragmatik e largpamës Ten Hsiao Pin. Në fillim Chen Yuling-u hapi një restorant e një dyqan veshjesh, duke u marrë njëkohësisht me import-eksport ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut. Mprehtësia në biznes i solli sukses, duke sjellë konsolidimin e pozitat në bashkësinë vendore, veçanërisht atë të biznesit, duke bërë që të shërbente si kryetare e Shoqatës "Redbud" të Afrikës së Jugut dhe kryetare e Shoqatës së Grave Sipërmarrëse të Afrikës së Jugut. Chen Yuling-u gjithashtu mori pjesë në themelimin e Qendrës Kineze për Politikat e Bashkëpunimit në Komunitet dhe të gazetës kineze në gjuhën angleze "African Times".

"Nuk kishte një medie të posaçme në Afrikën e Jugut me lajme nga pjesa kontinentale e Kinës kur hapëm 'African Times' në vitin 2005. Ne e nisëm këtë gazetë, sepse besojmë se bashkësia kineze në Afrikë duhet ta marrë një informacion të tillë," vë në dukje Chen Yuling-u.

Në qershor të vitit 2012, Chen Yuling-u themeloi Fondacionin Kinez të Arsimit të Afrikës së Jugut. Ky fondacion kishte si objektiv themelor promovimin e mësimit të kulturës kineze në shkollat ​​afrikane, si të mësimit të gjuhës kineze, të arteve, të bukurshkrimit etj. Projekti ka marrë mbështetje edhe nga Zonja e Parë e Afrikës së Jugut.

Sipas Chen Yuling-ut, afrikanojugorët janë entuziastë për mësimin e gjuhës kineze, siç mund të shihet edhe nga popullariteti e kurseve që organizon fondacioni i saj. Mësimi i gjuhës kineze është jo vetëm një dritare në njohjen e kulturës së lashtë 5-mijëvjeçare kineze, por edhe u ofron të rinjve mundësi të mëdha punësimi e arsimimi.

Chen Yuling-u thotë se gjen një kënaqësi të madhe edhe në punët më të thjeshta për mirëqenien publike. Ajo ka investuar në projekte për uljen e varfërisë, mbështetjen e arsimit dhe luftën ndaj fatkeqësive në Afrikën e Jugut. Ndërkohë, në atdheun e vet, Chen Yuling-u ndër të tjera mbështet prej më shumë se një dhjetëvjeçari edhe një shkollë në një konte të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore.

E ndërsa Chen Yuling-u punon për përhapjen e gjuhës kineze në Afrikën e Jugut, një vajzë e re u mëson gjuhën kineze të huajve që ndodhen në Kinë.

Kur Wang Rong-u dhe shoqet e saj vendosën të hapin një shkollë të gjuhës kineze më shumë se tre vjet më parë, ato gjetën një vend që është vetëm 5 minuta larg në këmbë nga Universiteti i njohur "Fudan" i Shangait. Universiteti nuk ndodhet në qendër të Shangait, po në veriperëndim të megapolit kinez. Një gjë e mirë është se universiteti ka rreth 7 000 studentë të huaj. Këta studentë përbëjnë një treg shumë të madh për shkollat e mësimit të kinezishtes si "Go East". "Shumë nga konkurrentët tanë i kanë hapur shkollat e tyre në qendër të Shangait, ku ka shumë biznesmenë të huaj. Pas disa kërkimesh, ne zbuluam se në këtë zonë jo në qendër, ku ka shumë universitete, ka më pak konkurrencë, prandaj e hapëm shkollën tonë këtu," shprehet Wang Rong-u.

Përparësia është se mund të gjenden ata studentë që nuk i kuptojnë mirë mësimet e kinezishtes në universitet dhe kanë nevojë për ndihmë shtesë pas mësimit. Shumë prej tyre mësuan për "Go East"-in nga fletushkat dhe postimet në internet.

Vlerësohet se ka rreth 400 mijë studentë të huaj në Kinë, të cilët sigurisht duhet të njohin gjuhën kineze jo vetëm për të studiuar, por edhe për nevojat e jetës së përditshme. Ata dhe biznemenët e huaj në Kinë krijojnë një treg shumë të madh për shkolla si "Go East".

Por si nisi e gjitha. Përpara se të hapnin "Go East", Wang Rong dhe shoqet e saj studiuan në Universitetin "Fudan" në degën e mësimdhënies së kinezishtes si gjuhë e huaj, dhe gjetën punë me kohë të pjesshme, duke u mësuar kryesisht biznesmenëve të huaj. "Shumë prej të huajve të cilëve u kam dhënë mësim, e kishin tashmë një mësues privat, por ishin të pakënaqur, sepse mësuesit e tyre kishin pak njohuri lidhur me gjuhën. Po ashtu, ne zbuluam se mjaft prej atyre mësuesve komunikonin me studentët e tyre në një mënyrë që i bënte këta studentë të ndiheshin të fyer. Duhen aftësi për t'u mësuar të rriturve një gjuhë të huaj dhe për t'i bërë ata të nxënë si fëmijë," vë në dukje Wang Rong-u. Dhe shton: "Për sa i përket çmimit, shumë prej tyre ishin të gatshëm të paguanin shumë për një mësues të mirë".

Shumica e biznesmenëve thanë se ishin të gatshëm të paguanin më shumë se 30 dollarë në orë për një mësues të aftë, mbi dy herë më shumë se çmimi më i ulët i tregut në atë kohë. Kështu Wang Rong-u dhe shoqet e saj vendosën të nisin biznesin e tyre. Ideja e tyre siguroi financim për bizneset fillestare në kuadër të projektit të risive të iniciuar nga universiteti i tyre. Ato mblodhën 300 mijë juanë (afro 50 mijë dollarë amerikanë), duke përdorur këtë fond, kursimet e tyre vetjake dhe paratë e huajtura nga familjet. Dhe kështu nisi Shkolla Gjuhësore "Go East".

Wang Rong-u dhe bashkëthemelueset e tjera të shkollës kishin njohur e takuar shumë studentë gjatë punës së tyre të pjesshme si mësuese të kinezishtes, kështu që kur krijuan shkollën, këta studentë u bënë klientët e tyre të parë. Pas sigurimit të studentëve, ato siguruan edhe paratë për vijimin e biznesit nëpërmjet pagesës për kurset. Paratë e investimit i nxorën vetëm dhjetë muaj më vonë. "Ne përdorëm 40 % të të ardhurave si rroga për mësueset. Meqë ne jemi vetë mësuese, ne dimë si t'i trajtojmë mirë ato," vëren Wang Rong-u.

Gjithnjë e më shumë sipërmarrje po përfshihen në mësimdhënien e gjuhës kineze. Sipas një hulumtimi, edhe përpara se të krijohej "Go East"-i, kishte rreth 50 shkolla të mësimit të gjuhës kineze në Shangai që funksiononin prej të paktën dy vjetësh. Por meqë ato janë të vogla, konkurrenca ende nuk është shumë e madhe.

E me gjithë këtë numër të madh, "Go East"-i vlerësohet se është diçka disi e veçantë. Lidhur me atë se çfarë e dallon atë nga shkollat e tjera simotra në Kinë, profesori i asociuar në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit Teng Jimeng shprehet: "Së pari, mendoj se janë mësuesit e kualifikuar. 'Go East' ka një grup mësuesish vërtet profesionistë, që kanë studiuar në institucione të njohura arsimore si Universiteti "Fudan", ndër universitetet më prestigjioze në Kinë. Së dyti, klientët që ka si objektiv të vetit. 'Go East' ka bërë një hulumtim të hollësishëm të tregut, duke parë potencialin e zonës ku janë të përqendruara universitetet dhe duke pasur si objektiv të vetin studentët e huaj të këtyre universiteteve. Dhe kështu, në vend që këta studentë të shkojnë në shkollat në zonën qendrore të qytetit, mund ta gjejnë një shkollë si ajo që kërkojnë shumë pranë vendit ku studiojnë e banojnë. Zgjedhja e vendit ku janë përqendruar studentët e huaj është pra një epërsi e madhe e 'Go East'-it. Së treti, themeluesja dhe drejtuesja e 'Go East'-it është vetë një mësuese e gjuhës kineze, që arriti ta masë pulsin gjithnjë në rritje të interesit për mësimin e gjuhës kineze dhe arriti ta shohë atë si një mundësi të mirë biznesi".

Megjithatë, sa i përket tregut të mësimit të gjuhës kineze në Kinë, universitetet zënë një pjesë më të madhe se kompanitë private. Por këto universitete e ofrojnë mësimin e gjuhës kineze zakonisht në një përmasë më të madhe, shpesh rreth 30 nxënës në një klasë. Wang Rong-u thekson se shkollat private të mësimit të gjuhës kineze nuk janë në konkurrencë me universitetet, për shkak se arsimi i lartë nuk mund t'u kushtojë vëmendje nevojave individuale të çdo nxënës, meqë pra klasat janë të mëdha. Ndërkohë, shkollat private kanë klasa më të vogla, duke ofruar mësim sipas kërkesave të studentit a të studentes.

Në universitetet kineze ka një degë që quhet "Mësimdhënia e kinezishtes për folësit e gjuhëve të tjera". Kjo degë nisi rreth 30 vjet më parë, pas fillimit të Reformës dhe Hapjes në Kinë, kur kontaktet me të huajt nisën të shtoheshin, dhe ishte me shumë përfitime për studentët që diplomoheshin në të. "Vendi ynë ishte i varfër dhe shkollat nuk kishin shumë para. T'u mësoje të huajve gjuhën kineze në atë kohë shihej si një mënyrë e mirë për të bërë para, veçanërisht në monedhë të huaj, por teksa ekonomia e vendit zhvillohet, ne kemi një buxhet më të madh për arsimin, prandaj mësimdhënia e kinezishtes në universitete nuk është më aq e spikatur kur vjen fjala për përfitueshmërinë," shprehet dr. Gen Zhi, pedagog në Universitetin "Fudan" të Shangait.

Në të kaluarën, shumë prej atyre që studionin në degën e mësimdhënies së kinezishtes për folësit e gjuhëve të tjeraqëndronin në universitet pas diplomimit, nëse donin që t'u mësonin të huajve gjuhën kineze, sepse universitetet kishin pjesën më të madhe të tregut. Por, teksa gjithnjë e më shumë shkolla private për mësimin e gjuhës nisën të shfaqen në Kinë, të diplomuarit kanë më shumë zgjedhje. Një prej tyre është edhe Luo Qiong-u.

Luo Qiong-u ka qenë mësuese e gjuhës kineze për më shumë se 10 vjet. Ajo tani punon me Wang Rong-un në "Go East", duke u mësuar aty gjuhën kineze studentëve të huaj. Gjatë punës së saj Luo Qiong-u njohu shumë veta që shpresonin të bëheshin mësues të gjuhës kineze, një pjesë e mirë e të cilëve mendonin se kjo është një gjë e lehtë. Por Luo Qiong-u thekson se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. "Ata që nuk merren me këtë punë, mund të mendojnë se gjithkush që është nga Kina mund të japë mësimin e gjuhës kineze. Duhen vite kualifikimi profesional për t'u bërë një mësues i vërtetë i gjuhës kineze," vëren Luo Qiong-u.

Po cila është mënyra për tëpasur mësues të tillë profesionistë të gjuhës kineze. Njëra rrugë është përgatitja nga universitetet e një numri më të madh mësuesish të kualifikuar të gjuhës kineze. Një numër gjithnjë e në rritje universitetesh në Kinë kanë hapur kurse për të rinjtë që duan të merren me mësimdhënien e gjuhës kineze. Përveç kësaj, po krijohen edhe stimuj për nxitjen e një numri sa më të madh mësuesish të gjuhës kineze.

Në Kinë ka një provim për mësuesit e kinezishtes, i quajtur Provimi për Certifikatën e Kualifikimit për Mësimin e Gjuhës Kineze për të Huajt. Ky është i vetmi provim i tillë zyrtar dhe nëpërmjet tij testohet njohja e gjuhës dhe e kulturës kineze në përgjithësi nga mësuesi ose mësuesja, si aftësia e mësimdhënies dhe e komunikimit me njerëz nga prejardhje të ndryshme kulturore. Provimi, i cili u ndërpre në vitin 2005, rifilloi dy vjet më parë, dhe kërkesat për pjesëmarrjen në të nuk ishin të rrepta, duke e vënë theksin kryesisht në përvojën praktike të mësimdhënies.

"Kina po nxit përhapjen e gjuhës kineze jashtë vendit. Tani është koha kur një gjë e tillë po intensifikohet. Prandaj, nëse e lëmë të na ikë ky rast, duke mos përgatitur mësuesit dhe materialet e duhura, kjo do ta ngadalësojë arritjen e këtij qëllimi. Kështu, duke ulur kërkesat për dhënien e provimit, mund të tërheqim më shumë veta në këtë fushë, që dikur ka qenë shumë e vogël".

Me rritjen e "Go East"-it, Wang Rong-u shpreson ta zgjerojë biznesin e saj edhe jashtë Shangait. Profesor Teng Jimeng-u i Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit e gjykon këtë si një ide të mirë. "Mund të thuhet se tregu i mësimit të gjuhëve në Kinë është deri diku i ngopur, por jo plotësisht. Në qytetet e mëdha si Shangai, Pekini e Guangzhou, mund të gjesh shumë shkolla të mësimit të gjuhëve si 'Go East', por në qytetet e mesme e të vogla kërkesa është ende e lartë dhe numri i atyre që duan të studiojnë në shkolla të tilla është i madh. Prandaj mendoj se është një gjë shumë e mirë synimi i 'Go East'-it për t'u zgjeruar," thotë Teng Jimeng-u. Dhe më tej ai shton: "Në të ardhmen, mendoj se 'Go East' do të rritet dhe do të njohë një zgjerim të jashtëzakonshëm."


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China