PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Chen Sheng-u, "Mbreti i mishit të derrit"
2016-02-06 10:11:48 CRI Komenti juaj Printoni

Më 20 gusht të vitit të kaluar, Kompania e Pijeve Freskuese "Tiandi Yihao" u listua në atë që quhet Bordi i Ri i Tretë, me një ofertë publike fillestare 175 milionë juanë (më shumë se 26.6 milionë dollarë amerikanë). Lidhur me arsyen për këtë kuotim, Chen Sheng-u shprehet:

"Të kesh një fokus marketingu është çelësi i suksesit në sektorin në ndryshim të shpejtë të produkteve të konsumit. Megjithatë, kjo është diçka që ka nevojë për shumë fonde, veçanërisht në qoftë se kompanitë synojnë bashkimet dhe blerjet. Ne duam të mbledhim më shumë kapital për bashkimet dhe blerjet, sidomos në nivel strategjik."

Në tetor, kompania hodhi në treg 25 milionë aksione të tjera shtesë, përveç 410 milionëve që kishte tashmë, me një çmim 25 juanë (3.8 dollarë) secili, duke mbledhur 625 milionë juanë (mbi 95 milionë dollarë amerikanë). Vlera në treg e Kompanisë së Pijeve Freskuese "Tiandi Yihao" arriti kështu në rreth 13 miliardë juanë (afro dy miliardë dollarë amerikanë). Chen Sheng-u zotëron më shumë se 80 për qind të aksioneve të "Tiandi Yihao"-s, me një vlerë mbi 10 miliardë juanë (më shumë se 1.52 miliardë dollarë amerikanë).

Në periudhën janar-qershor 2015, të ardhurat e kompanisë patën një rritje vjetore 99 për qind, duke arritur në 639 milionë juanë (mbi 97 milionë dollarë amerikanë), me një fitim neto prej 148 milionë juanësh. Në vitin 2013 dhe 2014, të ardhurat e kompanisë "Tiandi Yihao" ishin përkatësisht 1.17 miliardë juanë (më shumë se 178 milionë dollarë amerikanë) dhe 1.13 miliardë juanë (172 milionë dollarë amerikanë), me një fitim neto 314 milionë juanë (më shumë se 47.8 milionë dollarë amerikanë) dhe 253 milionë juanë (38.5 milionë dollarë amerikanë).

Por Chen Sheng-u nuk është i njohur vetëm për suksesin financiar të "Tiandi Yihao". Ai po ashtu vlerësohet si "mbreti i mishit të derrit" në provincën Guangdong. Dhe kjo histori, po ashtu si ajo e prodhimit të pijeve freskuese me uthull, e ka zanafillën nga rastësia.

Në vitin 2003, lajmi i dhënë nga mediat se një i diplomuar në Universitetin e Pekinit punonte si kasap, shkaktoi sensacion në mbarë Kinën. Sa hap e mbyll sytë, Lu Buxuan-i u kthye nga një kasap i zakonshëm në, siç u quajt, "kasapi më i famshëm në Kinë", duke u bërë një figurë publike e debatueshme. Ai punonte në një profesion të tillë duke qenë i diplomuar në universitetin më të mirë në Kinë dhe në një ndër më të mirët në botë, që është ëndërr për shumë të rinj kinezë, siç është Universiteti i Pekinit.

Lu Buxuan-i kishte arritur rezultatin më të mirë në provimet e hyrjes në universitet për distriktin Changan të qytetit të Xian-it, kryeqendra e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, dhe për këtë arsye ishte pranuar në Universitetin prestigjioz të Pekinit, ku studioi për gjuhë dhe letërsi kineze. Lu Buxuan-i ishte ndër të tjera edhe një poet i talentuar. Por, pas diplomimit në vitin 1989, ai nisi punë në një uzinë në vendlindje. Ishte një punë jo e mirëpaguar dhe që nuk e tërhiqte, prandaj e la, duke filluar të bëjë punë të tjera, por gjithmonë dështonte, pasi, siç thotë vetë, ishte kokëfortë e fjalëpak, duke mos krijuar kështu marrëdhënie të mira me të tjerët. Dhe kështu në vitin 1999 ai vendosi të nisë biznesin e vet. Një nga mundësitë më të thjeshta ishte të kishte tezgën e vet ku të shiste mish. Por Lu Buxuan-i nuk i tha askujt se kishte kryer studimet e larta, për më tepër në një universitet të tillë si ai i Pekinit. Derisa në vitin 2003 një ekip i televizionit lokal zbuloi rastësisht se Lu Buxuan-i, një i diplomuar në Universitetin e Pekinit, shiste mish në treg.

"E pashë atë lajm në televizor," shprehet Chen Sheng-u, duke shtuar se kjo ndikoi që ai të mendojë për tregtimin e mishit të derrit, sidomos pasi zbuloi se tregu kaotik i këtij mishi paraqiste një mundësi të mirë biznesi.

Dhe kështu në vitin 2004, i ndikuar nga historia e Lu Buxuan-it, Chen Sheng-u krijoi Kompaninë Ushqimore "Yihao", që do të përqëndrohej në prodhimin dhe tregtimin e mishit të derrit të kultivuar në vend, në një kohë kur tregu mbizotërohej nga derrat e importuar.

"Që prej fillimit të Reformës dhe të Hapjes në Kinë," vë në dukje Chen-i, "gjithnjë e më shumë derra importi nisën të futen në vend. Popullariteti i tyre krahasuar me racat vendëse vinte për shkak të kostos së ulët të tyre. Gjithashtu, duhej më pak kohë për të rritur racat e importuara. Megjithatë, për sa i përket cilësisë, derri vendës është shumë më i mirë, mishi i tij është më i butë dhe më i lëngshëm."

Chen Sheng-u ishte i bindur se historia do të përsëritej. Ka pasur një kohë kur kinezët hanin në masë të madhe mishin e derrave të vendit. Tani, me rritjen e të ardhurave dhe synimin për një stil jetese të cilësisë së lartë, gjithnjë e më shumë ata i kishin mundësitë për të përballuar financiarisht mishin e derrit të vendit. Chen Sheng-u e dinte se ishte vetëm çështje kohe para se ata të rizbulonin shijen e mishit të derrave të vendit. Kështu, në vetëm dy vjet, Kompania Ushqimore "Yihao" e Chen Sheng-ut kishte një zinxhir prej 200 dyqanesh të tregtimit të mishit të derrit, me të ardhura vjetore prej 200 milionë juanësh (afro 30.5 milionë dollarë amerikanë). Po atë vit (2006) Kompania Ushqimore "Yihao", që ishte marrë kryesisht me tregtim, nisi të investojë në rritjen e derrit, duke hapur një numër fermash. Kompania e Chen Sheng-ut po ashtu krijoi markën e vet të mishit të derrit, të quajtur "Derri i vendit 'Yihao'". Zinxhiri i dyqaneve të shitjes së mishit të "Derrit të vendit 'Yihao'" nisi të rritej vit pas viti, duke arritur tani në më shumë se 800 dyqane dhe duke u shtrirë në Pekin, Shangai, Guangzhou, Shenzhen, Foshan, Zhongshan, Zhuhai dhe qytete të tjera në Deltës së Lumit të Perlave, me të ardhura vjetore më shumë se 1 miliard juanë (më shumë se 150 milionë dollarë amerikanë).

Po në vitin 2006 Chen Sheng-u u takua në Xian me "kasapin më të famshëm në Kinë", Lu Buxuan-in, dhe e ftoi t'i bashkohej kompanisë "Yihao" si konsulent. Në të vërtetë, pas bërjes së njohur të historisë së tij nga media, Lu Buxuan-i kishte marrë oferta të shumta pune nga individë e kompani të ndryshme, dhe kishte zgjedhur më në fund të punonte në Departamentin e Arkivave të Bashkisë së Xian-it. Ai ishte i kënaqur me jetën dhe me punën e vet, të cilën e përshkruan si "të qëndrueshme, të respektueshme dhe të rehatshme". Një vit më parë (2005) ai kishte botuar librin me kujtime "Bota në sytë e një kasapi", ku përshkruante përvojën e jetës së vet dhe që u bë një libër mjaft i lexuar për shumë vjet. Në të vërtetë, Chen-i donte ta përdorte "kasapin më të famshëm në Kinë" si një mjet marketingu, si njëfarë imazhi të kompanisë së vet. Lu Buxuan-i u mendua gjatë përpara se në vitin 2008 ta pranonte propozimin e "mbretit të mishit të derrit". Dhe vërtet, pas bërjes së Lu Buxuan-it pjesë e Kompanisë Ushqimore "Yihao", kjo e fundit nisi të bëhet e njohur në mbarë Kinën. Lu Buxuan-i është fytyra e biznesit të kompanisë.

Në maj 2010 Chen Sheng-u themeloi një shkollë për përgatitjen e kasapëve. 200 veta aplikuan dhe 68 prej tyre u pranuan. Shkolla është falas dhe nxënësve të saj po ashtu u afrohet edhe strehim e ushqim falas.

Chen-i bën këtë analizë të sektorit teksa shpjegon arsyet për vendimin për krijimin e shkollës: "Kompania ime ka qindra dyqane dhe çdo dyqan ka nevojë për tre kasapë. Në mbarë vendin ka mbi 600 milionë krerë derra që duhen therur përditë, dhe nevojiten 2 deri në 3 milionë kasapë ose shitës mishi derri".

40 veta u diplomuan në vitin e parë. "Ju jeni grupi i parë i të diplomuarve për prerjen e mishit në Kinë," u tha me krenari Chen Sheng-u atyre.

Sipas mendimit të Chen Sheng-ut, duhet të ketë një shkollë për çdo profesion që praktikohet nga të paktën 1 milionë veta. "Megjithatë, nuk ka institucione trajnimi në sektorin tonë, i cili ka miliona praktikues dhe që në të vërtetë është një sektor shërbimi dhe një sektor që kërkon teknika të përparuara," vë në dukje Chen-i.

Chen Sheng-u e ftoi Lu Buxuan-in të japë mësim në këtë shkollë. "Lu Buxuan-i zhvillon një kurs lidhur me marketingun e mishit të derrit. Ai ka kaq shumë përvojë në shitjen e mishit të derrit," shprehet Chen Sheng-u.

Në nëntorin e vjetshëm, Chen Sheng-u dhe Lu Buxuan-i u ftuan në universitetin ku kanë studiuar, për të ndarë me studentët përvojat e tyre në sipërmarrje. Chen Sheng-u u ofroi paga vjetore prej 200 mijë juanësh (mbi 34 mijë dollarë amerikanë) studentëve që do të pranonin t'i bashkoheshin biznesit të tij. Dhe mjaft prej tyre pranuan.

Duke pasur parasysh entuziazmin e studentëve për të krijuar kompani në sektorin e internetit, Chen Sheng-u u tha atyre se sektorët tradicionalë duhet të jenë fushëbeteja kryesore. Ai theksoi gjithashtu se ata duhet ta kalitin veten në bizneset tradicionale para se të fillojnë një biznes. Ai u shpreh: "Nëse do të doja të nisja një biznes, nuk do të hyja në zonën e internetit, por në qoftë se do të kisha interes për të investuar, mund të shqyrtoja mundësinë e financimit të disa kompanive fillestare të internetit, sepse do të merrja fitime në një kohë të shkurtër. Më duhet të pres të paktën tetë deri në dhjetë vjet për të pasur rezultate në një sektor tradicionale, por mund të siguroj fitime brenda vetëm tre deri në pesë vjetësh pasi një kompani interneti të regjistrohet në bursë".

"Mua nuk më pëlqen të shkoj pas rrjedhës," u tha Chen Sheng-u studentëve. Të rinjtë kinezë, vazhdoi ai, duhet të kuptojnë se ka mundësi biznesi edhe jashtë sektorit të internetit. Chen Sheng-u u shpreh se mbase ai mund të duket demode që është përfshirë në sektorë tradicionalë, por shtoi se biznesi i tregtimit të mishit nuk është i lehtë.

Për Chen Sheng-un thuhet se ka një dell aventurieri. Për të, një punë si nëpunës, pa marrë parasysh se sa mirë mund të paguhet, është frustruese. Si një njeri që nuk gjen qetësi, ai është i prerë për punë që kërkojnë iniciativë. Ai thotë se kurrë nuk mund të gjejë rehat si i punësuar, por do që të jetë gjithmonë bos, mbi të gjitha bos i vetvetes.

Më shumë sesa të fitojë miliarda, ajo që e nxit Chen Sheng-un të shkojë përpara është emocioni që i shkaktojnë sfidat dhe kapërcimi i tyre. Ai do që ta zgjerojë biznesin e kompanive të tij nga zona të caktuara dhe qytetet kryesore si Pekini, Shangai, Shenzhen dhe Guangzhou, në mbarë vendin. Dhe biznesmeni 55-vjeçar vëren se planet e tij janë tashmë drejt rrugës së zbatimit.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China