20160209HP01.m4a |
Në tryezat e festës së Vitit të Ri Kinez pa dyshim ai që nuk ka si të mungojë është mishi, e po ashtu pjesë e tryezës janë edhe pijet, jo vetëm ato alkoolike, por edhe pijet joalkoolike, lëngjet, pijet freskuese etj. Kryetari dhe presidenti i Kompanisë së Pijeve Freskuese "Tiandi Yihao" dhe i Kompanisë Ushqimore "Yihao" të Guangdongut Chen Sheng është pasuruar duke u bërë miliarder pikërisht nga prodhimi e tregtimi i pijeve freskuese, veçanërisht të një lloji të veçantë pijesh si uthulla e frutave, dhe nga tregtimi i mishit, më së shumti i mishit të derrit.
Kur dëgjon se 55-vjeçari Chen Sheng është një miliarder, mund të mendosh se ai është një nga ato themeluesit super të suksesshëm të kompanive kineze të internetit. Por Chen-i beson se bizneset e teknologjisë së re e të lartë nuk janë e vetmja rrugë për pasurimin.
Në të vërtetë, Chen Sheng-u u beson më shumë sektorëve tradicionalë, duke e ushtruar biznesin në një shumëllojshmëri të tyre: pasuritë e patundshme, pijet dhe ushqimet. Por ai po ashtu është i përfshirë në tregjet e kapitaleve, investon në kompanitë fillestare, e madje ka themeluar një institucion arsimor.
Dhe të mendosh se ai e filloi karrierën e tij të jashtëzakonshme si një nëpunës i thjeshtë në drejtorinë ekonomike të bashkisë së vendlindjes së vet Zhanjiang, në provincën Guangdong të Kinës Jugore, pas diplomimit për ekonomi në Universitetin e Pekinit në vitin 1984.
Rroga e punës në shtet ishte vetëm 80 juanë në muaj, pak më shumë se 12 dollarë amerikanë me kursin e sotëm. Gjashtë vjet në atë punë zyre e bindën Chen Sheng-un se ai donte të bënte diçka tjetër në jetë. Dhe kështu në vitin 1990 Chen Sheng-u e la punën dhe nisi të merrej me tregti, si edhe me prodhimin dhe shitjen e fruta-perimeve. Kjo i solli atij milionin e parë në juanë. Më pas Chen Sheng-u bëri një hap që u duk si një prapakthim. Ai e la biznesin e vet privat dhe filloi përsëri punë në shtet, këtë herë për një ndërmarrje ndërtimi shtetërore. Këtë herë rroga e tij ishte gati katër herë më e madhe, 300 juanë (mbi 45 dollarë). Po sigurisht nuk ishte rroga ajo që i interesonte të riut. Ai kishte nisur punë në atë ndërmarrje vetëm për të mësuar më shumë lidhur me sektorin e pasurive të paluajtshme. Dhe kështu në vitin 1993 Chen Sheng-u themeloi kompaninë e vet të ndërtimit, e cila vetëm brenda tre vjetësh u bë më e madhja në qytetin e tij të lindjes Zhanjiang.
Por më pas, nga një rastësi, Chen Sheng-u do të niste ta zgjeronte biznesin e vet në prodhimin dhe tregtimin e pijeve freskuese. Chen Sheng-ut i lindi ideja për biznesin tjetër të vet në një tryezë ngrënieje. "Në vitin 1997, një drejtues i qeverisë qendrore që kishte ardhur për vizitë në Guangdong, zgjodhi të përziejë 'Sprite'-in me uthull gjatë një banketi. Kjo formulë bëri bujë. Duke nuhatur te kjo pije një mundësi të mirë, vendosa të eksploroj potencialin e tregut të kësaj pijeje me uthull," tregon Chen Sheng-u.
Dhe kështu kompania e Chen Sheng-ut nisi prodhimin e uthullës së mushtit të mollës. Pija e re u quajt "Tiandi Yihao" (tiandi do të thotë "qielli dhe toka" dhe yihao "numri 1") dhe u bë mjaft e njohur dhe e pëlqyer. Edhe kompania që e prodhonte këtë pije mori emrin e saj, duke u pagëzuar kështu Kompania e Pijeve Freskuese "Tiandi Yihao".
"Tiandi Yihao" është tani marka më e madhe e pijeve me uthull në mbarë Kinën, duke zënë një pjesë tregu prej më shumë se 40 për qind. Në provincën e Chen Sheng-ut, Guangdong, ku e ka selinë Kompania e Pijeve Freskuese "Tiandi Yihao", pijet me uthull të saj zënë deri në 80 për qind të tregut.