20160126HPpj2 |
16-vjeçari mori një telefonatë nga stafi i regjisorit të pavarur të avangardës Li Yang. Personazhi protagonist i filmit të parë të Li Yang-ut, "Pusi i verbër i minierës", ishte një djalosh naiv fshati që punonte si minator. Li Yang-u e kishte përzgjedhur Wang Baoxiang-u për të luajtur këtë rol. Li parapëlqente amatorët, duke menduar se ata do të ishin në gjendje ta luanin karakterin më mirë. Përunjësia, fytyra me quka dhe buzëqeshja e pafajshme e Wang Baoxiang-ut bënë që regjisori t'ia besonte atij këtë rol.
Ndonëse fillimisht i zhgënjyer që filmi nuk ishte me arte marciale, Wang Baoxiang-u e kuptoi se ky ishte një rast i mirë për të nisur karrierën e vet dhe nuk e la t'i ikte nga dora kjo mundësi, me gjithë vështirësitë. Aktorë të tjerë u tërhoqën kur kishte skena që duheshin xhiruar në një galeri miniere qindra metra nën tokë, por Wang zbriti deri në ato thellësi.
Regjisori Li u prek nga një gjë e tillë: "Wang ishte nga shtresat më të zakonshme të zakonshme të shoqërisë. Ai e dinte se jeta është e vështirë, kështu që e vlerësonte çdo mundësi që i paraqitej."
Shumë prej atyre që ashtu si Wang Baoxiang-u pritnin jashtë Kinostudios së Pekinit për ndonjë rol, menduan se ai ishte thjesht me fat, por Wang-u e dinte se fati nuk është gjithçka. Ai mbante një fjalor me vete gjatë gjithë kohës, sepse në tempullin "Shaolin" nuk kishte marrë një shkollim tradicional. Wang-u Baoxiang-u shkruante me shkronja latine shqiptimin e atyre hieroglifeve që nuk i njihte dhe i mësonte përmendsh të gjitha fjalët që kishte për të thënë përpara se të niste xhirimi.
Wang Baoxiang-u fitoi vetëm 1 000 juanë (pak më shumë se 150 dollarë amerikanë) nga roli, por më e rëndësishme se kjo, është se ai more çmime në festivale filmi kombëtare dhe ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, i riu mori një ftesë për të punuar me regjisorin e njohur Feng Xiaogang.
Filmat e Feng Xiaogang-u zënë vendet e para të renditjes kur është fjala për shitjen e biletave në Kinë. Të luash në një film të tij do të thotë të bëhesh i njohur për miliona miliona shikues. Dhe do të ishte pikërisht filmi "Një botë pa hajdutë" i vitit 2004 i këtij regjisori që do ta bënte Wang Baoxiang-un të njohur nga publiku i gjerë.
Wang Baoxiang-u piu tre gota të mëdha me raki kur u takua me regjisorin e njohur. Të pirit tradicionalisht është një mënyrë për të treguar respekt, por Wang Baoxiang-u piu gjithashtu sepse ishte nervoz.
Regjisori Feng Xiaogang e pyeti Wang-un nëse mund të gjente katër muaj kohë për filmin. Përgjigjja e Wang-ut ishte: "Po, edhe një vit, nëse është e nevojshme."
Personazhi që duhej të luante Wang Baoxiang-u ishte përsëri një djalosh fshatar naiv, që kthehej me tren për në vendlindje me kursimet e punës së vet të rëndë disavjeçare dhe që besonte se në botë nuk ka hajdutë dhe se të gjithë njerëzit janë të mirë.
Filmi i solli 20-vjeçarit famë e sigurisht do të shënonte edhe fillimin e pasurimit të tij, por përsëri kishte nga ata që mendonin se ai ishte thjesht një djalë fshati, që kishte fatin të luante personazhe të ngjashme me vetveten. Por ky opinion shumë shpejt do të ndryshonte. Roli i ardhshëm i Wang Baoxiang-ut ishte ai i një agjenti të verbër, por me aftësi të rralla dëgjimi, të quajtur A Bing, në një serial televiziv të vitit 2005, i cili ishte shumë i ndjekur atë vit. Ishte diçka e vështirë për Wang Baoxiang-un që të luante rolin e një të verbri, prandaj para se të nisnin xhirimet, ai shkoi të jetojë me njerëz vërtet të verbër. Më pas, kur ndodhej në sheshxhirimin e një filmi tjetër, njerëzit që jetonin aty pranë, i thoshin njëri-tjetrit të habitur: "Shiko, qenka A Bingu, por nuk qenka i verbër."
Sidoqoftë, roli që do të shënonte një tjetër pikë kthese në karrierën e Wang Baoxiang-ut ishte në një serial tjetër televizive dy vjet më pas, "Dalja nga rrethimi", që do ta rendiste atë ndër aktorët më të njohur bashkëkohorë kinezë. Në këtë serial Wang Baoxiang-u interpreton Xu Sanduo-n, një rekrut fshatar që, ndonëse jo mendjemprehtë, me karakterin, çiltërsinë dhe vendosmërinë e vet, bëhet një ushtar i shkëlqyer dhe i dashur nga të gjithë shokët e kompanisë. Përsëri xhirimet ishin të vështira, por Wang Baoxiang-u këmbënguli që t'i luante vetë të gjitha pjesët e tij, pa dublantë, dhe u lëndua në shumë raste, madje një herë pothuajse u mbyt.
Me këtë rol Wang Baoxiang-u mori çmimin "Aktori më i mirë" i serialeve televizive të vitit 2007 në Kinë.
Për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm të serialit "Dalja nga rrethimi" e të popullaritetit të madh të personazhit të luajtur prej tij në këtë serial, Wang Baoxiang-uu bë një nga njerëzit me ndikim më të madh në Kinë në vitin 2007. Si përvoja e personazhit në serinë televizive, ashtu edhe vetë historia e jetës së Wang Baoxiang-ut patën ndikim te të rinjtë në Kinë. Shpirti dhe vlerat e mishëruara si nga aktori, ashtu dhe nga personazhi, u vlerësuan si një shembull i mirë për rininë kineze. Në fund të vitit 2007, uebsajti "pcpop.com" zhvilloi një sondazh për 10 figurat kryesore ndër të lindurit në vitet '80 të shekullit të kaluar që kishin ndikim më të madh për publikun në vitin 2007. Wang Baoxiang-u u rendit në krye të kësaj renditjeje. Nëpër forumet dhe blogjet e ndryshme në internet, njerëzit shkruanin se Wang Baoxiang-u u përzgjodh pasi ai përfaqëson shpirtin e fshatit kinez dhe u jep shpresë miliona të rinjve që përpiqen për një jetë më të mirë.
32-vjeçari luan thuajse në një film në vit, filma të cilët edhe falë pranisë së tij në to bëhen mjaft të ndjekur e sjellin fitime të mëdha nga shitjet e biletave. Wang Baoxiang-u ka arritur të gjejë tashmë ato që kërkonte që ç'prej kur ishte i vogël gjetur: famë dhe para për të ndihmuar familjen. Ai është shpesh në kopertinat e revistave më të njohura dhe i ftuar në emisionet më të ndjekura televizive. Ndonjëherë qëllon që ai jep deri në shtatë apo tetë intervista në ditë.
Dikur e tërë familja e Wang Baoxiang-ut kishte të ardhura vjetore prej rreth afro 1 000 juanësh, ndërsa tani Wang-u ka paguar 500 000 juanë për ndërtimin e një shtëpie të re për prindërit e vetj, sigurisht më e mira në fshat. Por megjithëse tani është një aktor i njohur dhe i pasur, buzëqeshja e pafajshme e Wang Baoqiang-ut nuk ka ndryshuar, si atëherë kur ishte thjesht një njeri i panjohur. "Gjithmonë mendoj se jam një njeri i varfër," thotë ai. "Ti mund të ndihesh sikur je i fuqishëm, por gjithmonë ka të tjerë që janë më të fuqishëm; mund të ndihesh sikur je i pasur, por gjithmonë ka të tjerë që janë më të pasur. Unë jam një njeri i lumtur i varfër tani. Kam një punë me të cilën mund të siguroj jetesën dhe kaq më mjafton."
Duke e kthyer kokën pas në të kaluarën e vet, Wang Baoqiang-u shprehet se për të sukses do të thotë të bësh çdo gjë me zell, pavarësisht sa e vogël ose e parëndësishme të të duket ajo të po bën. "Duhet të qëndrosh i fortë kur të duket sikur ke rënë poshtë ose ndihesh i pashpresë, sepse suksesi mund të jetë diku aty rrotull," thotë aktori me buzëqeshjen e vet të pandryshuar.