PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Baoqiang-u, ëndrrat mund të bëhen realitet
2016-01-26 14:46:35 CRI Komenti juaj Printoni

Aktori kinez Wang Baoqiang-u vlerësohet si diçka e veçantë. Për të thuhet se është të qenit i zakonshëm që e bën të jashtëzakonshëm. Ai jo vetëm ka realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë që të jetë një yll kinematografie, por edhe ka arritur një sukses aq të papritur, sa të tjerët në profesionin e tij dhe dashamirët e filmit në Kinë kanë mbetur të habitur.

Ai ka lindur në një familje të varfër fshatare dhe u largua prej saj që në vegjëli, me qëllimin për t'u bërë një aktor i njohur filmash me arte marciale, e për ta nxjerrë kështu edhe familjen e vet nga varfëria. Dhe pas shumë vështirësish, por edhe durimi e këmbënguljeje të madhe, sot është më në fund një aktor i njohur dhe i mirëpaguar. Dhe sigurisht tani familja e tij, qoftë ajo e vjetër, qoftë ajo e re, nuk është më e varfër.

Wang Baoxiang-u ka lindur në vitin 1984 në një fshat të vogël të kontesë Nanhe, në Xingtai të provincës Hebei në Kinën Veriore, jo shumë larg Pekinit. Familja e tij ishte një familje e varfër ashtu si shumë të tjera në fshatin kinez në atë kohë, kur Reforma dhe Hapja kishin vetëm disa vjet që kishin nisur. Kur ishte 8 vjeç, Wang Baoxiang-u pa një film me Jet Li, dhe kjo e frymëzoi, prandaj donte të bëhej edhe ai një aktor i famshëm si ylli i kongfu-së. Dhe kështu Wang Baoxiang-u vendosi që po atë vit të shkonte në tempullin "Shaolin" në provincën Henan të Kinës Qendrore. "Shaolini" është një tempull i vjetër budist që vlerësohet si një vend i shenjtë i arteve marciale. Çdo vit shumë veta shkojnë aty, jo vetëm nga mbarë Kina, por edhe të huaj, për të mësuar kongfu-në kineze. Në të vërtetë, nuk ishte vetëm pasioni që e shtyu Wang Baoxiang-un të shkonte në "Shaolin", por edhe varfëria e familjes së vet. Ndonëse ende fëmijë, ai e dinte se të qenit një yll kongfuje të sillte jo vetëm famë, por edhe pasuri. E po ashtu ai donte që prindërit e vet, dy fshatarë të thjeshtë, të ishin krenarë për të. "Doja ta bëja familjen time të krenohej me mua. Edhe sikur të dështoja, nuk do të më mbetej peng, sepse të paktën e kisha provuar," kujton tashmë pas afro çerek shekulli Wang Baoxiang-u.

Por megjithëse ishtë familja motivimi kryesor, prindërit e Wang Baoxiang-ut në fillim ishin kundër që i biri të largohej prej tyre. Ndonëse tempulli "Shaolin" nuk ishte shumë larg nga shtëpia e tyre, atyre u dukej sikur ishte në skajin tjetër të Kinës, pasi Wang Baoxiang-u ishte ende fëmijë. Por kur panë vendosmërinë e 8-vjeçarit, ata më në fund u dorëzuan dhe i dhanë bekimin të birit për t'u larguar. Mbase pa u shkuar ndër mend se për vite të tëra do të kishin mundësi ta shihnin shumë rrallë, vetëm për Festën e Pranverës, siç quhet Viti i Ri kinez.

Dhe kështu Wang Baoxiang-u u regjistrua në tempullin "Shaolin". Ai i tha mësuesit të vet se donte të ishte një aktor i famshëm në të ardhmen. Djaloshi i vogël zgjohej në orën 4 të mëngjesit në verë e në 5 të mëngjesit në dimër dhe vraponte një gjysmë maratone e ngjitej në shkëmbinj të thepisur si pjesë e stërvitjes fizike ditore. Pas gjashtë vjetësh në "Shaolin", Wang-u zotëronte aftësi të shkëlqyera në kongfu, por ende nuk kishte siguruar ndonjë rol në kinematografi ose televizion. Shumë njerëz i thanë se vetëm në Pekin mund të kishte mundësi për t'u bërë një yll kinematografie. Prandaj ai vendosi përsëri ta linte shtëpinë, ku qëndroi vetëm për një kohë të shkurtër pas kthimit nga tempulli "Shaolin", dhe ta provonte fatin atje ku shumë të tjerë po e provonin tashmë, në kryeqytetin e zhurmshëm. Dhe kështu me vetëm 500 juanë në xhep (76 dollarë amerikanë me kursin e sotëm) Wang Baoxiang-u u drejtua për në Pekin, një fytyrë mes qindra mijëra të tjerave të të ardhurve aty për një jetë më të mirë. I vetmi ndryshim ishte se Wang Baoxiang-u nuk kërkoi punë si kamerier në ndonjë restorant a ndonjë vend pune në ndërtim,por ndalesa e tij e parë ishte Kinostudioja e Pekinit, në portën e së cilës mblidheshin përditë ata që dëshironin të bëheshin aktorë, duke pritur për t'u zgjedhur të paktën fillimisht për të qenë figurantë. Wang -uiu bashkua radhës së gjatë, me shpresën se do të kishte fatin të përzgjidhej për ndonjë film.

Wang Baoxiang-u ishte me më shumë fat se mjaft të tjerë. Pas dy javësh ai gjeti rol si figurant. Pagesa ditore ishte rreth 50 juanë (më pak se 8 dollarë amerikanë). Më pas ai gjeti herë pas here role të tjera si figurant, që ndonjëherë paguheshin vetëm 20-25 juanë (diku midis 3 dhe 4 dollarë). Por megjithatë Wang Baoxiang-u çohej çdo ditë herët në mëngjes dhe drejtohej për në kinostudio, me shpresën se do të kishte më shumë fat se ditën paraardhëse.

"Shumë më thoshin: 'Ti as ke mësuar aktrim në shkollë, as je i pashëm. Duhet të falënderosh Zotin qoftë edhe nëse arrin të punosh si dublant në ndonjë film me aksion'," kujton Wang Baoxiang-u. "Por sa më shumë më shkurajonin të tjerët, aq më shumë motivohesha unë për t'ia dalë mbanë."

E megjithatë, kur 500 juanët që kishte marrë me vete dhe ato pak para që kishte fituar nga puna si figurant, i mbaruan, Wang Baoxiang-u nisi të punojë në ndërtim. Gjatë gjithë kësaj kohe ai jetonte bashkë me pesë veta të tjerë në strehën më të lirë të mundshme, një banesë e vogël dhe e vjetër pa tualet, me një qira mujore vetëm 120 juanë (pak më shumë se 18 dollarë amerikanë). Edhe ushqimi që hante ishte i thjeshtë dhe më i liri i mundshëm. Wang Baoxiang-u kujton madje se si një herë gjatë Festës së Pranverës, kur tryeza në shtëpitë kineze shtrohet plot e me gjithë të mirat për të pritur Vitin e Ri, atij iu desh të marrë para hua për të blerë kulaç të gatuar në avull.

Wang Baoxiang-u e kujton këtë periudhë në Pekin si më të rëndën e jetës e të karrierës së vet. Megjithatë, ai vë në dukje se gjëja më e vështirë për të në atë kohë nuk ishin kushtet e këqija të të banuarit a të të ushqyerit, por malli për familjen e vet, motrën, vëllanë dhe babanë, por veçanërisht për të ëmën.

"Gjatë atyre ditëve më të vështira të jetës sime, kuptova se për askënd në botë nuk isha aq i çmuar sa ç'isha për nënën time. Doja aq shumë ta kisha pranë dhe të ndaja gëzimet e hallet e mia me të," shprehet aktori tashmë i famshëm me lot në sy.

E megjithatë, nga viti 2000 deri në vitin 2002, ai u përpoq shumë për të mos i telefonuar së ëmës, sepse ende nuk ia kishte ndalë mbanë dhe ndihej i turpëruar.

"Jeta atëherë ishte aq larg nga ajo që kam ëndërruar," thotë Wang Baoxiang-u. "Gjërat bëhen më të lehta kur t'i arrin një pikë kthese në jetën tënde, por unë ende nuk e dija se kur do të ndodhte një gjë e tillë."

Por pikërisht në vitin 2002, pas dy vjet jete të vështirë në varfëri e sakrifica, më në fund kjo kthesë do të vinte dhe fati i tij ndryshoi.

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China