20160119HPpj2 |
Më pas "Rongsheng"-u nisi diversifikimin dhe, nga një kompani që prodhonte vetëm fije poliesteri, është shndërruar tashmë në një grup me më shumë se 10 kompani, që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në një gamë të gjerë sektorësh, si industria petrokimike, pasuritë e patundshme, prodhimi dhe shpërndarja e energjisë, tregtia e jashtme, mirëmbajtja e infrastrukturës, prodhimi i produkteve mekanike, i qymyrgurit dhe i letrës, si edhe restorantet. Tashmë grupi që nisi me vetëm 200 mijë juanë, ka një pasuri me një vlerë të përgjithshme 30 miliardë juanë (më shumë se 4.5 miliardë dollarë amerikanë) dhe me një vëllim vjetor shitjesh mbi 35 miliardë juanë (më shumë se 5.25 miliardë dollarë amerikanë). Ndërsa vetë pasuria e Li Shuirong-ut sipas "Listës së njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës" të revistës prestigjioze "Forbes" në fund të vitit të kaluar arrinte në 3.1 miliardë dollarë. Por në vitin 2011 pasuria e tij shkonte 32.6 miliardë juanë (afro 4.95 miliardë dollarë amerikanë) sipas revistës kineze "New Fortune", duke zënë vendin e dhjetë në "Listën e 500 njerëzve më të pasur" në pjesën kontinentale të Kinës të kësaj reviste. Atë vit, pra 2011, Li Shuirong-u zinte vendin e dytë për nga pasuria në Zhejiang, provincë e njohur për frymën e sipërmarrjes dhe që është provinca me numrin më të madh të miliarderëve në Kinë.
"Njerëzit më pyesin nëse të bësh biznes është një gjë e vështirë, dhe unë u përgjigjem: 'Nëse e ke zemrën të fortë, atëherë nuk është aspak e vështirë'," vë në dukje biznesmeni 60-vjeçar.
"Rongsheng"-u, që kishte në fillimet e veta vetëm 20 punëtorë, tani ka numëron më shumë se 3 500 të tillë. Grupi ka ecur në vitet e fundit një hap më tej në rregullimin strukturor dhe përmirësimin teknologjik, duke këmbëngulur në të ashtuquajturën strategji dyrrugëshe zhvillimi, vertikale dhe horizontale. Teksa importon pajisje të përparuara ndërkombëtare dhe zgjeron prodhimin, "Rongsheng"-u është ngjitur në zinxhirin industrial. Grupi "Rongsheng" tashmë ka tre kompani të kuotuara në bursë, që janë pikërisht Kompania Petrokimike "Rongsheng", Kompania e Përbashkët e Ningbo-s dhe kompania "Tianyuan" e Yibin-it, të përfshira përkatësisht në industrinë petrokimike, sektorin e pasurive të patundshme dhe në nxjerrjen e përpunimin e qymyrgurit.
"Rongsheng"-u renditet tani i 191-ti në listën e 500 kompanive kryesore në Kinë dhe i 28-i në listën e 500 kompanive kryesore joshtetërore në Kinë.
Kultura korporative e "Rongsheng"-ut është e mbështetur në tre shtylla: sinqeritet, optimizëm, mirënjohje. Kultura e "Rongsheng"-ut është një kulturë humaniste dhe stafi vlerësohet si pasuria më e madhe, prandaj grupi përpiqet për rritjen e kujdesit për punonjësit e vet, sepse besohet se një staf i shkëlqyer dhe i motivuar krijon një markë të klasit të parë.
Që në nisje "Rongsheng"-u përcaktoi objektivin madhor që të jetë marka nr. 1 përfaqësuese e industrisë së fibrave kimike në Kinë. Me objektivin strategjik e të qenit e madhe, e fuqishme, e aftë dhe e përparuar, kompania zbaton modelin e përfitimeve të ndërsjella me konsumatorët dhe shoqërinë në tërësi.
Koncepti i vlerave te "Rongsheng"-u mishërohet te koncepti i punësimit: "Sjellja e para, potenciali i dyti, aftësia e treta, arsimimi i katërti". Në "Rongsheng" përpiqen të kultivojnë shpirtin e ekipit nëpërmjet asaj që e quajnë "ndarje e buzëqeshjeve dhe e hidhërimeve së bashku".
Motoja e Grupit "Rongsheng" është "integritet, efikasitetin, risi", duke përmirësuar vazhdimisht menaxhimin e brendshëm dhe duke rritur aftësitë korporative nëpërmjet kontrollit sistematik dhe sistemit të informatizimit dhe të krijimit të risive.
Grupi "Rongsheng" u ka kushtuar që prej fillimeve rëndësi risive tekniko-shkencore dhe ka krijuar një varg platformash, duke përfshirë një qendër kërkimore-shkencore të teknologjisë së lartë në nivel province, një ekip akademikësh e ekspertësh, një qendër kërkimore-shkencore postdoktorature etj., duke mbajtur ndërkohë marrëdhënie të ngushta dhe afatgjata me institucione të arsimit të lartë, si Universiteti i Zhejiang-ut, Universiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë i Zhejiang-ut etj. Grupi ka themeluar një ekip kërkimi me studiues vendës dhe të huaj dhe ka arritur rezultate të mira në krijimin e produkteve e të teknologjive të reja përgjatë viteve.
Grupi "Rongsheng" ka marrë vlerësime të ndryshme, si "Sipërmarrje e përparuar mbarëkombëtare", "Sipërmarrje e dalluar e provincës Zhejiang për menaxhimin novator", "Sipërmarrje e dalluar e provincës Zhejiang për menaxhimin e kredive", "Sipërmarrje e dalluar e provincës Zhejiang për zhvillimin e burimeve njerëzore" etj. Në vitin 2014 "Rongsheng"-u u rendit i 14-ti në listën e "100 sipërmarrjeve kryesore të provincës Zhejiang" dhe i 8-ti në listën e "100 kompanive prodhuese kryesore të provincës Zhejiang". Ndërkohë, grupi ka krijuar markën e vet, që ka marrë çmimin "Markë e njohur kineze", dhe fijet e poliesterit "Rongsheng" janë zgjedhur ndër produktet me markë më të mira në Kinë. Vjet "Rongsheng"-u ishte një ndër 10 sipërmarrjet kryesore të industrisë petrokimike në Kinë.
Përveçse kryetar i bordit të Grupit "Rongsheng", Li Shuirong-u është gjithashtu edhe zëvendëskryetar i Akademisë së Ekonomisë Private të Zhejiang-ut dhe kryetar i Akademisë së Menaxhimit të Zhejiang-ut. Biznesmeni 60-vjeçar dhe kompania e krijuar dhe e drejtuar prej tij gjithashtu kontribuojnë në bamirësi, duke ndihmuar në zbutjen e varfërisë, mbështetjen e arsimit dhe fusha të tjera. Në vitin 2001 Grupi "Rongsheng" krijoi Fondacionin e Arsimit për të ndihmuar studentët e dalluar dhe për të vlerësuar mësuesit më të mirë. Kur një herë mësoi se një nga punëtorët e "Rongsheng"-ut nuk dinte shkrim e këndim, Li Shuirong-u i kërkoi atij që të linte punën e të vazhdonte shkollën, për tarifën e së cilës pagoi vetë Li Shuirong-u, duke i dhënë punëtorit po ashtu rrogë gjatë kohës që ndiqte studimet. Ai po ashtu ka shpenzuar më shumë se një milionë juanë për të ndihmuar 15 nxënës nga familjet e varfra që të vazhdojnë shkollën.
Në vitin 2002, kur u krijua Federata e Bamirësisë e distriktit Xiaoshan, që është edhe vendlindja e Li Shuirong-ut dhe ku e ka selinë Grupi "Rongsheng", Li Shuirong-u dhuroi menjëherë 300 000 juanë (më shumë se 45 mijë dollarë amerikanë), duke u zgjedhur në të njëjtën kohë zv.kryetar i kësaj Federate. Me nismën e Li Shuirong-ut "Rongsheng"-u ka hapur vende pune për njerëzit me aftësi të kufizuara fizike, duke u dhënë kështu kuptim jetës së tyre e duke u ofruar mundësinë të shpërfaqin aftësitë e tyre.