20160119HPpj1 |
Kryetari i bordit të Grupit "Rongsheng" të Kinës Li Shuirong e nisi biznesin me një linjë prodhimi lëndësh drusore për të vijuar me një firmë e vogël prodhimi tekstilesh me vetëm 20 punëtorë e tetë tezgjahe, por që tani është shndërruar në një grup me kompani që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë të tillë të larmishëm si industria petrokimike, pasuritë e patundshme, tregtia, logjistika etj. Rruga e tij ka qenë e mbushur me skepticizëm, por ai ka treguar se di të vendosë me mençuri, duke u bërë për disa kohë një ndër dhjetë njerëzit më të pasur në Kinën kontinentale.
Li Shuirong-u ka lindur në 1 korrik të vitit 1956 në Xiaoshan, sot distrikt i Hangzhou-t, kryeqendra e provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar ai kishte një linjë për prodhimin e lëndës drusore, por mendoi të niste biznesin në ndonjë sektor më fitimprurës. Li Shuirong-u vendosi të merrej me prodhimin e tekstileve. Në të vërtetë u duk një zgjedhje e pazakontë dhe jo fort e menduar, po të kesh parasysh se ky treg në Kinë ishte tashmë jashtëzakonisht konkurrues. Por Li Shuirong-u po kërkonte mundësitë për të triumfuar në këtë biznes që kishte ulje-ngritjet e tij.
Dhe teksa rivalët synonin drejt asaj që quhet "luftë çmimesh", pra të siguronin klientë nëpërmjet uljes së çmimeve, duke u përpjekur të ulnin koston me çdo mjet që të ishte e mundur, Li Shuirong-u kishte një mendim ndryshe nga të tjerët. Sipas tij, pas krizave fshihen mundësitë më të mira për të bërë biznes. Vendlindja e tij, Xiaoshan-i, që ndodhet në një provincë të njohur prodhimin e mëndafshit, nuk kishte ndonjë firmë të rëndësishme prodhimi tekstilesh, ndërsa konteja e Shaoxing-ut kishte disa të tilla. "Xiaoshan-in dhe Shaoxing-un vetëm një rrugë i ndan," thoshte Li Shuirong-u. "Përse të mos bëjmë biznes edhe ne këtu në Xiaoshan siç bëjnë ata në Shaoxing?" Prandaj, në vitin 1989, pas vëzhgimit dhe analizës së tregut, Li Shuirong-u shiti gjithçka që kishte, duke mbledhur 200 000 juanë (më shumë se 30 mijë dollarë amerikanë), për të ngritur një biznes të thjeshtë prodhimi tekstilesh, të quajtur Kompania e Tekstileve "Rongsheng" e Xiaoshan-it, që do të ishte zanafilla e grupit "Rongsheng".
Firma e Li Shuirong-ut kishte fillimisht vetëm 20 punëtorë, të cilët punonin në tetë tezgjahe. Njerëzit në Xiaoshan që e njihnin, mendonin se Li Shuirong-u ishte "shumë impulsiv" dhe ishte nxituar në vendimin e tij për hapjes e punishtes së prodhimit të tekstileve. Kishte harxhuar të gjitha kursimet e familjes të siguruara me aq mundim dhe kishte shitur linjën e prodhimit të drurit, duke i hedhur në një biznes me rrezik të madh në një sektor shumë konkurrues, me trille të paparashikueshme. Por koha tregoi se Li Shuirong-u kishte treguar mprehtësi në vendimin e vet, duke shfaqur po ashtu një talent të jashtëzakonshëm në biznesin e prodhimit të tekstileve. Ai bëri gjithçka ishte e mundur për të tërhequr klientët e për të krijuar marrëdhënie sa më të mira me ta. Edhe furnizuesve u bënte përshtypje serioziteti e korrektësia e Li Shuirong-ut dhe ishin të gatshëm t'i jepnin lëndë të para me depozita më të ulëta. Në fund të vitit 1995, Kompania e Tekstileve "Rongsheng" e Xiaoshan-it kishte tashmë në funksionim 100 tezgjahe.
Me gjithë suksesin fillestar që arriti kompania e Li Shuirong-ut, ai ishte i vetëdijshëm se industria tekstile ishte një sektor i vështirë dhe konkurrenca do të vinte duke u shtuar më tej. Në vitin 1996 një numër kompanish edhe më të mëdha se "Rongsheng"-u u mbyllën ose kaluan në sektorë të tjerë. Li duhej të merrte një vendim: "Rongsheng"-u duhej të ngjitej lart në zinxhirin industrial apo të zbriste poshtë? Kjo e fundit do të thoshte ndër të tjera rivalitet i ashpër e nevojë për shumë krahë pune dhe që produktet ishte e lehtë të imitoheshin, ndërsa anët pozitive ishin që nuk kishte kërkesa të mëdha teknologjike dhe për investime, procesi i prodhimit ishte i thjeshtë dhe rreziku në treg i vogël. Nga ana tjetër, ngjitja lart në zinxhirin e prodhimit do të thoshte mbi të gjitha më shumë rreziqe dhe nevojë për teknologji të përparuar e krijim risish, por gjithashtu edhe më pak konkurrencë dhe produkte me vlerë të shtuar më të madhe, që do të thoshte se, ndonëse kërkoheshin investime të mëdha, po ashtu edhe të ardhurat do të ishin të mëdha.
Në atë kohë edhe industria e prodhimit të fibrave kimike në Kinë po kalonte një periudhë të vështirë. Li nisi të hetojë përsëri tregun vendës dhe atë ndërkombëtar, duke shkuar deri edhe në Japoni, Australi e Zelandën e Re. Ai zbuloi se prodhuesit e lëndëve të para për fibrat kimike në Kinë ishin shumë të paktë në numër. Përse "Rongsheng"-u të mos niste prodhimin e fibrave kimike? Ndonëse prodhimi i tyre kërkonte një investim prej qindra milionë juanësh, Li Shuirong-u mendonte se mundësitë që paraqiste ky biznes, ishin të mëdha. Dhe kështu ai e mori vendimin: kompania e tij do të merrej me prodhimin e fibrave të poliesterit dhe të acidit tereftalik të pastruar, një nga lëndët e para prej të cilave bëhet poliesteri.
Përsëri vendimi i Li Shuirong-ut u prit me dyshime, e megjithatë rishmësi doli se ishte një vendim i mirëmenduar. Tregu i poliesterit njohu një rritje të madhe në vitin 1998 dhe atë vit kompania e Li Shuirong-ut "Rongsheng" ia doli që të kishte shitje me vlerë 100 milionë juanë (më shumë se 15 milionë dollarë amerikanë). Në vitin 2001 të ardhurat e kompanisë arritën në 1 miliard juanë, dhe vetëm brenda gjashtë vjetësh do të dhjetëfishoheshin, duke arritur në 10 miliardë juanë. Këmbëngulja dhe guximi i Lu Shuirong-ut i kishin dhënë frytet e veta.
Tani që "Rongsheng"-u ishte bërë një ndër kompanitë më të rëndësishme të tekstileve në tregun e brendshëm, Li Shuirong-u mori një tjetër vendim të guximshëm, që ta shtrinte kompaninë që kishte themeluar jashtë vendit. "Rongsheng"-u ishte pjesëmarrëse në panaire të ndryshme ndërkombëtare dhe nisi promovimin e produkteve të veta. Përsëri Li udhëtoi mjaft, anekënd botës, për të hetuar tregun, duke arritur që të siguronte që "Rongsheng"-u t'i zgjeronte shitjet e veta edhe në ShBA, Europë, Japoni, Korenë e Jugut, e madje edhe në Afrikë. Por përveç zgjerimit, Li u fokusua edhe në rritjen cilësore të kompanisë së vet. "Rongsheng"-u investoi shuma të mëdha në risitë teknologjike, duke krijuar gjithashtu bashkëpunim të mirë e të ngushtë me institucione të ndryshme kërkimore-shkencore vendore për të shtuar rendimentin e fibrave të pëlhurës që prodhonte dhe për të krijuar lloje të reja produktesh.