PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Sara Jane Ho, "Miss Mirësjellja"
2015-12-29 15:08:38 CRI Komenti juaj Printoni

Pas përfundimit të studimeve në Institutin "Villa Pierrefeu", Sara Jane Ho vendosi që të kthehet në Kinë. Lidhur me këtë vendim Sara shpjegon: "Kuzhinierja në Institutin "Villa Pierrefeu" ishte nga Shangai. Unë shkoja në kuzhinë pasi përfundonim së ngrëni dhe bisedoja me të për Kinën. Ajo më këshilloi ta çoja konceptin e shkollës së etiketës në Kinë dhe e kuptova se ky do të ishte një vendim i drejtë." Më tej Sara Jane Ho shton: "Babai im ndërton spitale në Kinë dhe dhuron para; ai më ka mësuar se ndihmesa për shoqërinë është shumë e rëndësishme. Unë i thashë tim eti se doja të shkoja në Kinë dhe të sillja një ndryshim. Ai më nxiti: 'Shko, bëje."

Dhe kështu në vitin 2013 Sara Jane Ho u kthye në Pekin dhe hapin Institutin "Sarita".

"Unë ndihem se jam e mirëpozicionuar me atë që kam mësuar në Shkollën e Biznesit të Harvardit dhe në Institutin 'Villa Pierrefeu'," shprehet Sara Jane Ho, duke shtuar se gjithmonë ka dashur të bëhej sipërmarrëse: "Unë gjithmonë ka pasur cilësitë e një sipërmarrëseje - shkathtësinë, marrjen përsipër të detyrave, përvëshjen e mëngëve dhe bërjen e gjërave. Që kur e fillova biznesin tim shumë veta më kanë thënë se kishin pasur të njëjtën ide. Por dallimi është se unë e vura në jetë idenë time."

Vitin e kaluar, numri i turistëve kinezë i kaloi 100 milionët për herë të parë, duke e bërë Kinën vendin me numrin më të madh në botë të turistëve që shkojnë jashtë. Nga ana tjetër, 460 000 studentë kinezë studiuan jashtë vendit në vitin 2014, 11 për qind më shumë se në vitin 2013, duke bërë që Kina të radhitet e para edhe për sa i përket numrit të studentëve jashtë. Në të njëjtën kohë, kompanitë kineze shtetërore dhe private po i zgjerojnë bizneset e tyre jashtë vendit me një ritëm të shpejtë. E gjithë kjo ka sjellë një kërkesë të madhe për njohjen e kulturës perëndimore dhe të rregullave të etiketës perëndimore, duke bërë që shkollat përkatëse të kthehen në prirjen më të fundit.

Sara Jane Ho thotë se në Kinë rregullat e etiketës shihen zakonisht të lidhura me ceremoni të tilla si shërbimi i çajit në çajtoret tradicionale, dhe sektorët e shërbimeve, si p. sh. me punën e stjuardesave në aeroplane. Sara Jane Ho synoi të dallohej me një shkollë për individët e interesuar për të mësuar në lidhje me etiketën në tryezë, mirësjelljen shoqërore dhe shijet e kultivuara. Për habi, ajo vuri re se kishte një kërkesë të pashfrytëzuar për këtë lloj të mësuari.

Sara Jane Ho ka ndihmuar në plotësimin e kësaj kërkese, me dy shkolla etikete. Përveç shkollës së Pekinit, të hapur me krijimin e Institutit "Sarita" në vitin 2013, Sara Jane Ho ka krijuar një shkollë edhe Shangai. Mbi 100 studentë janë diplomuar nga dega e Shangait që nga hapja e saj, duke e bërë atë një nga qendrat kryesore të mësimit të etiketës në qytet.

Sara Jane Ho shprehet: "Tani Kina është një vend që po hapet gjithnjë e më shumë ndaj botës dhe lidhjet me vendet e tjera do të vijnë duke u zgjeruar, prandaj do të ketë edhe shtim të kontakteve të qytetarëve të Kinës me ata të vendeve të tjera të botës.

Shumica e studentëve të Sara Jane Ho-së janë gra e vajza, dhe shumë prej tyre janë pronarë biznesesh. "Sarita" ofron dy lloje kursesh dhe çmimet shkojnë nga 20 000 juanë deri në 100 000 juanë. Ai që quhet "Kursi i debutueseve" ndiqet nga vajzat mbi 16-vjeçare dhe në të studentet mësojnë protokollin dhe etiketën shoqërore, duke përfshirë njohuri për historinë, shoqërinë dhe zakonet e biznesit të kulturave dhe vendeve të ndryshme të botës, përshëndetjet dhe paraqitjen, shkëmbimin e kartëvizitave, kodin e veshjes, sjelljen në tryezë, darkimin dhe zbavitjen, dhënien e dhuratave etj. Gjithashtu mësohet arti i luleve dhe i zbukurimit të tryezës, marrëdhëniet me publikun dhe psikologji.

Ndërkohë, në kurset e ashtuquajtura "të mikpritjes", që ofrohen për gratë e martuara, mësohet etikë profesionale biznesi, planifikimi i pritjeve private dhe i festave familjare, organizimi i tryezës, njohja me historinë e çajit, të kafes, të pijeve alkoolike dhe joalkoolike, si edhe provimi dhe shërbimi i tyre, mënyra e veshjes, gjuha e trupit, rregullat e protokollit zyrtar dhe diplomatik, si dhe mënyra e sjelljes në hotel dhe restorant.

"Kurset tona janë të hartuara për të krijuar mundësinë për të arritur një mirëkuptim më të madh me kulturat e tjera dhe një komunikim më të mirë ndërpersonal," vëren Sara Jane Ho.

Kur e pyet për planin e saj të biznesit, Sara Jane Ho thotë: "Unë nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë plan biznesi; kurrë nuk kam hartuar ndonjë të tillë. Kam ndjekur një kurs në Harvard të quajtur 'Krijimi dhe mbajtja e një sipërmarrjeje të suksesshme", në të cilën ne krahasonim një strategji të mirëmenduar me një strategji emergjente. Ideja ime e biznesit ishte shumë e vetvetishme dhe strategjia ime emergjente, për shkak të vështirësisë së hetimit të tregut në Kinë. Unë duhej të isha në terren dhe të merrja mendime nga njerëzit." Më tej ajo vazhdon: "Një profesor në Shkollën e Biznesit të Harvardit na thoshte se sa i mirë është një plan, përcaktohet nga ajo se sa elastik është ai. Çdo ditë formësoj modelin tim të biznesit."

"Në fillim mendoja të krijoja një markë të fuqishme dhe pastaj të jepja të drejtën e ekskluzivitetit të saj, por kjo ka vështirësi, sepse në një biznes si ky nxënësit janë tashmë të kalibrit të lartë dhe ata duan mësues të cilët janë më të kualifikuar se ata. Unë jam gjithmonë në kërkim për sponsorë, për të përfshirë produkte përkatëse dhe unike në programin tim. Rregullat e mirësjelljes duhet vërtetë të kthehen në një mënyrë jetese," vëren Sara.

Kina ka një histori të gjatë të etiketës, që nis që me Konfucin. "Vetëm 35 vjet më parë, në Kinë kishte mungesë të energjisë elektrike, njerëzit ishin të uritur dhe përpiqeshin të ishin të parët në radhën e racioneve ushqimore - askush nuk mendonte për hapësirën personale. Vendet në zhvillim kanë mendësinë e vendeve në zhvillim: mbijetesën ", thotë Sara Jane Ho. "Tani, teksa Kina zhvillohet dhe qytetarët e saj po dalin nga varfëria, shoqëria mund të mendojë për respektin për të tjerët, vetëbesimin dhe moralin."

Sara Jane Ho thotë se qëllimi i saj nuk është që t'u tregojë njerëzve se si të jetojnë, por t'i ndërgjegjësojë për rëndësinë e mirësjelljes, duke shtuar se ajo nuk mëson rregulla mirësjellje perëndimore, por ndërkombëtare. "Unë jap mësime për kulturën, zakonet dhe kuzhinën nga e gjithë bota. Përveç kësaj, do të ishte gabim të quheshin rregullat e mirësjelljes si lindore ose perëndimore, sepse ato theksojnë të njëjtën gjë: modestinë dhe respektin, marrjen parasysh të të tjerëve dhe vetëmohimin. Këto janë vlera konfuciste," vë në dukje Sara Jane Ho. Dhe më tej shton: "Gjithkush ka nevojë për të studiuar rregullat e etiketës, pa marrë parasysh se kush është. Etiketa nuk duhet të ndajë kulturat apo klasat shoqërore, por t'i bashkojë njerëzit. Ajo duhet të na krijojë një vetvete më të mirë".

"Unë për vete mësoj çdo ditë si të bëhem një njeri më i mirë dhe kjo është një vlerë e vërtetë konfuciste," shprehet ajo.

Grupe të ndryshme shtetërore dhe biznesi kanë kërkuar shërbimet e Ho-së për trajnim përpara udhëtimeve jashtë vendit, me shpresën se kompanitë kineze do të konkurrojnë në shkallë globale edhe për sa u përket investimeve jashtë vendit. Për gjetjen e tregjeve të huaja hapi i parë është vendosja e kontakteve ndërkombëtare, që kërkon edhe njohjen e etiketës perëndimore.

Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe e Tregtisë e pajtoi Sara Jane Ho në majin e sivjetshëm për të trajnuar 15 sipërmarrës, gjysma e tyre meshkuj. Në mars, Ministria e Tregtisë e Kinës ftoi partneren e biznesi të Ho, Rebecca Li, për të mësuar zyrtarët që shkojnë jashtë vendit lidhur me kodin perëndimor të veshjes dhe të ngrënies.

"Instituti 'Sarita' trajnon jo thjesht individë, por individë që janë udhëheqës në qarqet të biznesit dhe të shoqërisë në Kinë," vëren Sara Jane Ho. "Klientët e mi janë individë shumë të sofistikuar e të mençur, që e shohin veten si trashëgimtarë të një qytetërimi 5000-vjeçar dhe janë të etur për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm. Si qytetarë të rinj të botës, ata janë shumë të ndjeshëm në lidhje me nevojën për të kuptuar më mirë dhe për të respektuar kulturat e tjera. Ata ndjejnë një përgjegjësi për të përfaqësuar më mirë kompaninë dhe vendin e tyre kur janë jashtë shtetit."

Zhang Runqiao, që ka studiuar në Francë që kur ishte e vogël dhe që ka qenë studente e Institutit "Sarita", shprehet: "Unë dua të tregoj anën time më të mirë, sidomos kur jam jashtë vendit, sepse çdo qytetar a qytetare kineze përfaqëson vendin e vet."

Kur e pyet se cila është e veçanta e Institutit "Sarita", Sara Jane Ho shprehet se ai është unik, sepse në mësimet që jepen në të, shpesh krahasohen kulturat lindore dhe perëndimore, dhe fokusi nuk është vetëm në mënyrën e sjelljes perëndimore. Tani "Sarita" ka hapur edhe kurse për të huajt në Kinë, veçanërisht biznesmenët, për njohjen me kulturën dhe etikën kineze.

"Disa gjëra që janë të sjellshme në Perëndim janë të pasjellshme në Kinë, dhe anasjelltas," thekson Sara Jane Ho.

Në Kinë, durimi është virtyt - për çdo gjë. Për të treguar se sa shumë kujdesen, kinezët flasin ngadalë, duke bërë pushime të gjata për të treguar se po e peshojnë mirë atë që kanë për të thënë para se të përgjigjen. Në Perëndim, heshtja mund të shihet si diçka e vrazhdë, duket sikur nuk po e dëgjoni ose nuk po i kushtoni vëmendje njeriut që keni përballë. Por në Kinë, të mendosh për atë që do të thuash dhe të harxhosh ca kohë për ta thënë atë, janë si taktikë negociatash, ashtu edhe një shenjë respekti, thekson Sara.

"Mënyra perëndimore e të bërit biznes është 'Mos më humb kohën', dhe shumë nga të huajt që bëjnë biznes në Kinë e kanë të vështirë të heqin dorë nga një mendësi e tillë," vëren ajo. Dhe më tej rrëfen për një ish-studentin e vet që kishte dëmtuar marrëdhëniet e biznesit me partnerin e vet kinez duke ndjekur pikërisht "mënyrat perëndimore". "U deshën gjashtë muaj për të rregulluar këto marrëdhënie", thotë Ho. Si mund të ndreqen marrëdhëniet e prishura? "Duhet shumë punë."

"Perëndimorët zakonisht i gjykojnë karakteret e njerëzve duke u mbështetur në shtrëngimin e duarve, por duke pasur parasysh mungesën e dhënies së dorës në kulturën kineze, kinezët nuk janë të vetëdijshëm se një shtrëngim i dobët duarsh me një perëndimor mund të interpretohet si mungesë entuziazmi dhe ngurtësi nga ana e tij," shpjegon Sara Jane Ho.

Sara Jane Ho ishte më e reja në listën e "12 grave të së ardhmes në Azi" të vitit 2013, e hartuar nga revista "Forbes". Ajo po ashtu u rendit në "100 Gratë në 2015-n - Lista 30 nën 30 (vjeçe)" e BBC-së. Ho është përfshirë ndër ata që quhen Formësues Globalë të Forumit Ekonomik Botëror.

Instituti "Sarita", ndërkohë, u shpall një nga "50 kompanitë më inovative në botë" nga revista "Fast Company" në vitin 2014.

Sara Jane Ho ka një kolonë të rregullt për etiketën në botimet në gjuhën kineze të gazetës "Wall Street Journal" dhe revistës "Vogue", teksa ka në proces një libër për etiketën.

Vajza e bukur mund të quhet me plot gojën "qytetare e botës". Ajo flet pesë gjuhë të huaja dhe ka jetuar në Azi, Europë dhe ShBA.

Sara Jane Ho ka pasion hipizmin dhe madje ka konkurruar në gara të ndryshme, duke përfshirë turneun ndërkombëtar "Longines Masters" në Stadiumin Olimpik të Pekinit në maj 2014. Pasionet e tjera të saj përfshijnë skitë, tenisin, koleksionet e artit, kultivimin e luleve e leximin.

Sara Jane Ho shprehet se njeriu që e ka frymëzuar më shumë në jetë është nëna e vet: "Ajo ishte një grua e veprimit dhe kishte një energji të madhe, por në të njëjtën kohë ajo ishte shumë elegante, shumë femërore."

Ndërkohë, personazhi historik që adhuron më shumë është shkrimtari Oskar Uajld. "Kur isha studente e letërsisë në Georgetown, ndoqa një cikël të tërë leksionesh për Oskar Uajldin. Mençuria dhe paradokset e tij të shkëlqyera lanë një ndikim shumë të madh tek unë, saqë mësova përmendsh shumë prej thënieve të tij," rrëfen 30-vjeçarja.

E pikërisht një prej këtyre thënieve, "Të bëhesh spektator i jetës tënde do të thotë të shpëtosh nga vuajtjet e jetës", është bërë motoja e saj vetjake.

Për Sara Jane Ho-në suksesi matet me ndikimin në jetën e të tjerëve. "Sa për mua, unë ndihem e suksesshme sa herë që një studente a një student më dërgon ndonjë mesazh, duke më thënë se sa kuptimplotë ishte mësimi im për të, se si ua kam hapur mendjen për mënyra të reja të menduari, apo se si studimi në Institutin 'Sarita' ua ka ndryshuar jetën".

Kur e pyet se cilat janë planet e saj në të ardhmen, Sara Jane Ho vëren: "Ndërsa shkolla ime e etiketës ka si objektiv një treg të veçantë, të nivelit të larta, unë do të doja të shkoja edhe pranë masave dhe të ndihmoja edhe ata që mund të mos e përballojnë dot pjesëmarrjen në Institutin 'Sarita', me qëllim që kështu të kem ndikim më të madh."


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China