20151215HP02 |
Angela vëren se prindërit i kanë kërkuar rregullisht asaj dhe motrave të saj të mësojnë gjuhën dhe traditat kulturore kineze.
"Kur ne uleshim të gjithë në tryezë, askush nga ne motrat nuk i prekte shkopinjtë e ngrënies derisa babai dhe nëna ta bënin këtë," thotë ajo. "Ky është zakoni. Ne e vlerësojmë dhe e çmojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kineze. Vlerat thelbësore të prindërve të mi, si përunjësia, thjeshtësia dhe ndjeshmëria për të tjerët, optimizmi, vendosmëria dhe këmbëngulja, janë virtyte të mrekullueshme që çojnë në lumturinë e vërtetë," vë në dukje Angela Chao.
Angela Chao shprehet se shumë njerëz e pyesin nëse ajo e quan ose e ndien veten kineze apo amerikane.
"Unë ndihem gjithmonë mirë me të qenit si kineze, ashtu edhe amerikane. Ne gjithmonë kemi menduar, dhe në fakt edhe prindërit tanë gjithmonë na kanë thënë, se ne kemi më të mirën e të dy botëve. Neve nuk na duhet të zgjedhim. Thjesht duhet të marrim më të mirat e të dy kulturave dhe t'i ndërthurim ato së bashku," shprehet Angela. "Kjo do të thotë të marrësh vlerat tradicionale kineze dhe theksin që kultura jonë vë tek arsimi, shoqëria dhe te ti si një pjesëtar i një tërësie më të madhe, dhe t'i bashkosh që me individualizmin, optimizmin dhe qëndrimin që 'mund ta bëj diçka' që kanë amerikanët. Të dy këto së bashku mund të jenë vërtet të pamposhtura."
Angela Chao është e vetmja ndër gjashtë motrat e përfshirë në biznesin e transportit detar të familjes. Megjithatë, edhe motrat e saj kanë qenë të suksesshme në karrierat që kanë zgjedhur, Kështu njëra nga motrat e saj, Elaine Chao, është gruaja e parë amerikane me prejardhje aziatike e emëruar në kabinetin e një presidenti amerikan, duke shërbyer si sekretare e Punës gjatë presidencës së Xhorxh W. Bushit.
Motra e Angela Chao-s, Elaine Chao, duke bërë betimin si sekretare e Punës
Megjithatë, Angela Chao vëren se ajo nuk ka asnjë interes për të punuar në qeveri.
"Unë e dua atë që bëj, dhe po ashtu këtu kam përgjegjësi për familjen, si edhe për të gjithë kolegët e mi," thekson ajo. "Mendoj se mund të bëjë më shumë këtu për nxitjen dhe mbështetjen e shkëmbimeve amerikano-kineze, nismat e arsimimit etj. Kam aftësinë dhe elasticitetin për të bërë këtu në një mënyrë që nuk do të isha në gjendje për ta bërë në qeveri. "
"Është e rëndësishme të kuptosh se çfarë je në gjendje të bësh mirë dhe në çfarë dhe ku mendon se mund të japësh ndihmesën më të madhe", vë në dukje Angela Chao.
Angela Chao i ka pasion artet, veçanërisht muzikën, dhe pas përfundimit të shkollës së mesme po shikonte mundësinë që në universitet të studionte për histori arti. Megjithatë, prindërit e bindën për rëndësinë që ka arsimi për të siguruar një jetesë të mirë, diçka që një diplomë në arte zakonisht nuk arrin ta bëjë dot.
"Prindërit e mi më thanë: 'Shumë mirë, mund t'i duash artin dhe muzikën', por si emigrantë të brezit të parë në këtë vend, ata është shumë e kuptueshme që donin që unë të studioja diçka që mund të më ndihmonte të gjeja një punë fitimprurëse pas diplomimit, në mënyrë që të isha në gjendje ta përballoja vetë jetesën. Kështu që u përqendrova në ekonomi."
Megjithatë, Angela Chao nuk i ka braktisur artet, të cilat vazhdojnë të jenë një pikë qendrore në jetën e saj. Ajo thotë se përmes artit, dhe muzikës në veçanti, horizonti i të menduarit krijues të saj është zgjeruar, duke e ndihmuar edhe në hartimin e strategjive më vizionare për kompaninë. "Arti është një pasion i madh imi, për të cilin vazhdoj të jem shumë e interesuar dhe aktive. Artet dhe muzika të ndihmojnë t'i shikosh gjërat nga një perspektivë tjetër. Një nga gjërat që më pëlqen tek arti është se të ndihmon të mendosh në mënyrë krijuese dhe nga këndvështrime të ndryshme, gjë që është me vlerë të paçmuar në punën time dhe në biznesit tonë," thotë Angela Chao.
Angela Chao në një mbrëmje gala në Operën e Qytetit të Nju-Jorkut
Interesi dhe dashuria që ka Angela Chao për muzikën dhe artin në përgjithësi ka bërë që ajo të jetë anëtare e bordeve të shumë institucioneve artistike, si Muzeu Metropolitan i Nju-Jorkut, Opera Metropolitane e Nju-Jorkut, Muzeu i Artit Modern PS1 etj. Angela Chao punon për nxitjen dhe rritjen e shkëmbimeve kulturore ndërmjet ShBA-së e Kinës dhe për shtimin e shfaqjeve të artistëve kinezë në ShBA dhe të shfaqjeve të artistëve amerikanë në Kinë.
"Dialogu kulturor përbën një ndihmë të madhe për shkëmbimet njerëzore, duke nxitur më tej mirëkuptimin dhe miqësinë", thekson Angela Chao. "Pasi amerikanët dhe popujt e tjerë ta kuptojnë ose të mësojnë më shumë për historinë e gjatë të Kinës, ata nuk mund të mos e pranojnë se ajo është vërtet e jashtëzakonshme!"
Më tej duke u ndalur në marrëdhëniet kino-amerikane, ajo thotë: "Është një gjë me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit në përgjithësi, e për të rinjtë në veçanti, t'i kuptojnë të dyja palët dhe të ndërtojnë ura, në mënyrë që marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve të mbeten gjithmone të qëndrueshme dhe të ecin përherë në rrugën e duhur, gjë që është me rëndësi themelore për mbarëvajtjen e botës ku jetojmë".
Angela Chao është një vullnetare dhe bamirëse aktive, e përkushtuar në punën e vtë krijuara nga familja e saj, duke përfshirë Fondacionin "Foremost". Objektivat e Fondacionit "Foremost" janë sigurimi i arsimimit të të rinjve të talentuar në Kinë dhe ShBA, përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor, si edhe promovimi i shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe ShBA-së.
Veprimtaria bamirëse e Angela Chao-s është një rezultat i natyrshëm i edukimit të saj. Prindërit e saj e edukuan me ndjenjën e punës dhe të detyrimit ndaj shoqërisë. Ata theksonin rëndësinë e arsimit si bazë e domosdoshme për arritjen e suksesit në jetë. Prandaj është e natyrshme që përmirësimi i kushteve të arsimit dhe mundësia e arsimimit cilësor për të rinjtë e talentuar zënë pjesën më të madhe të punës bamirëse të Angela Chao-s. Në cilësinë e saj si anëtare e Bordit të Fondacionit "Foremost", Angela Chao ka ndihmuar në dhurimet për institucione të ndryshme arsimore, duke u hapur dyert shumë nxënësve e studentëve që nuk kanë mjetet ekonomike, të kenë mundësi të marrin arsim të nivelit të lartë.
Në shtatorin e sivjetshëm, Angela Chao krijoi bursën për të rinjtë me prejardhje kineze që studiojnë në institucionin ku ajo vetë është diplomuar, Kolegji i Harvardit. Kjo bursë i shtohet asaj që familja e Angela Chao-s krijoi në vitin 2012 në Shkollën e Biznesit të Harvardit, për të sponsorizuar studentët me prejardhje kineze që ndjekin këtë shkollë.
Angela Chao duke folur në Konferencën e Biznesit të Azisë në Shkollën e Biznesit të Harvardit
Angela Chao e kalon një pjesë të madhe të kohës duke dhënë leksione në SHBA, Evropë dhe Azi mbi tema të ekonomisë ndërkombëtare, udhëheqjes korporative, tregtisë ShBA-Kinë dhe bamirësisë. Ajo flet gjithashtu shpesh nëpër auditore për temën e teknologjisë dhe rëndësinë e arsimit në të gjithë botën për të siguruar një të ardhme të mirë ekonomike dhe shoqëror për brezat që vijnë. Angela Chao ka botuar gjithashtu një numër librash për ekonominë, si edhe shumë artikuj për transportin dhe tregtinë ndërkombëtare, arsimin, teknologjinë, e sigurisht edhe për temën tjetër të saj të parapëlqyer, bamirësinë.