20151208HPpj2 |
Në të vërtetë, Ariana Berberi duket se është pjesë e përfshirjes së gjithnjë e më shumë grave në biznesin e tregtimit të makinave, dhe të arritjes së suksesit në këtë biznes dhe në atë të prodhimit të makinave në përgjithësi. Shembulli më i spikatur është pa dyshim kryezyrtarja ekzekutive e kompanisë më të madhe të prodhimit të automjeteve në botë, Mary Barra, e cila e mori këtë post në janar të vitit të kaluar. Sivjet ajo u rendit e 6-ta në listën e "500 kryezyrtarëve ekzekutivë kryesorë të botës" të revistës "Fortune", duke u bërë e para kryezyrtare ekzekutive femër që renditet në një vend aq të lartë që kur kjo revistë nisi publikimin e një liste të tillë. Në një intervistë Mary Barra e quajti të vjetruar mendimin se industria e makinave është një "botë burrash", duke shtuar se do të synonte ta sfidonte një gjë të tillë.
Edhe gratë që merren me tregtimin e makinave priren për të pasur rezultate të mira në shitje, dhe një numër prodhuesish makinash njoftojnë se kompanitë me të drejta ekskluziviteti me pronare femra zënë vendet e para për vëllimin e përgjithshëm të shitjeve. Analistët e tregut mendojnë se kjo vjen ngaqë gratë janë më të ndjeshme ndaj kërkesave të klientëve, sidomos po të kesh parasysh faktin që tani gjithnjë e më shumë gra po blejnë makina. Për shembull, tani gratë blejnë 52 % të të gjitha makinave të reja të shitura në ShBA e ndikojnë në më shumë se 85% të të gjitha blerjeve të makinave, si edhe janë grupi me rritjen më të shpejtë ndër blerësit e makinave të reja dhe të përdorura. Por prirje të tilla vihen re edhe në vende të tjera në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kompania e Ariana Berberit, "Artinel 95", është pjesë e Shoqatës së Distributorëve Zyrtarë të Automjeteve. Znj. Ariana e respekton punën e kolegëve që drejtojnë kompanitë e tjera koncesionare, me të cilët e lidhin përpjekjet e përbashkëta për të përballuar vështirësitë që ka pasur dhe vazhdon të ketë ky sektor në kushtet e tanishme.
Në biznesin e vet Ariana ka tërhequr brezin e ri të familjes, të pasionuar edhe ata pas tij, si një biznes i vështirë dhe i bukur, dhe mendon se "kjo do të sigurojë vazhdimësinë dhe jetëgjatësinë e këtij aktiviteti përtej një brezi". Ajo ndihet e kënaqur nga puna e tyre, por kërkuese deri në përsosmëri, mendon se rruga e tyre për t'u bërë menaxherë të mirë në këtë biznes është ende e gjatë.
Për Ariana Berberin një ndër armiqtë më të mëdhenj për gruan në biznes është të ndierit inferiore, pasi mendon se "kjo e bën gruan të dështojë". Ajo tregon se veçanërisht në fillimet e biznesit e ka ndier forcën penguese të mentalitetit, por thotë se "kam mbyllur veshët si… nga sirenat! Tani kjo fazë ka kaluar prej kohësh dhe kjo pengesë është fashitur". Falë edhe punës së vet ndihet e pranuar dhe e barabartë mes konkurrentëve të gjinisë tjetër.
Ariana Berberi ndihet mirë me jetën e vet. Ajo nuk pëlqen bujën e luksin, nuk është euforike, po tepër serioze dhe me këmbë në tokë, e ndërgjegjshme se çdo gjë e ka ndërtuar me shumë mund. Ariana Berberi, e dashuruar pas punës së saj, pohon se rrugët për t'u zhvilluar janë të shumëllojshme, por çdokush zgjedh të bëjë atë që mund të bëjë më mirë dhe që e ndien se është më të përshtatshme për natyrën dhe aftësitë e veta. Kështu puna për të, edhe kur nuk pushon, është pushim, për shkak të kënaqësive të mëdha që ajo i jep. Ata që e njohin e "qortojnë" se nuk bën një jetë normale, me pushime apo kënaqësi të tjera, por Ariana shprehet me qetësi: "Jetoj atë jetë që kam zgjedhur, pushoj në mënyrën time". Pyetjes se ku e ka gjetur kohën për të përmbushur gjithë detyrimet, i përgjigjet: "Kohën ia kam marrë vetëm jetës sime personale, asnjë detyrë në familje nuk e kam lënë pa plotësuar". Ndërsa për pyetjen tjetër se ku e gjen forcën për t'u përballuar me këtë mënyrë jete, Ariana të jep këtë shpjegim: "Ndoshta ka diçka që gjendet brenda njeriut, ka një forcë gjenetike që të shtyn. Njëlloj si muzikanti, çdo grua ka brenda vetes 'muzikën' që dëshiron ta luajë".
Ariana Berberi është e mendimit me bindje se çdo grua mund të ketë më shumë sukses në karrierën e vet kur fillon nga veprimtaria sipërmarrëse, e cila sipas saj të vë përpara shumë detyrash për zgjidhje dhe kërkon mprehtësi. "Ky aktivitet të zhvillon mjaft", shprehet ajo. "Nëse një grua do të ketë sukses, kjo varet vetëm nga dëshira e forca e saj, por kërkohet patjetër edhe vetëmohim".
Ariana Berberi duket se ndien keqardhje kur thotë se e di që ka shumë gra të zgjuara, por të cilave u mungon dëshira për të sakrifikuar, apo për të bërë diçka që t'i dallojë nga të tjerat, sikurse ka edhe femra që duan më shumë të kujdesen për veten e të bëjnë jetë të qetë. "Nuk ka ndryshim mes një burri dhe një gruaje, as diferenca në nisjen e një biznesi. Ndryshimi qëndron vetëm në mendësi dhe rezultatet janë specifike në varësi të punës dhe pasionit për të," vë në dukje Ariana.
"Forca e gruas është butësia, është toleranca, është dashuria. Unë mendoj se gratë që hyjnë në botën e mundimshme të biznesit, apo të politikës, apo të diplomacisë, e shumë fusha të tjera që nuk janë aspak më pak të vështira, nuk duhet të përdorin metodat e burrave për të ecur përpara." Kështu mendon Ariana Berberi dhe pastaj e shtjellon më tej mendimin e vet: "Metodat tona ndonjëherë janë të pakuptueshme fillimisht nga konkurrentët tanë burra, sikundër ne (gratë) nuk i kuptojmë shumë mënyra të tyre. Por mendoj se mënyrat tona të çojnë po aq larg sa edhe mënyrat e burrave."
Biznesmenia me përvojë Ariana Berberi ka këndvështrimin e vet për emancipimin e gruas, kur shprehet: "Grumbullimi i grave nëpër festa dhe shoqata tregon se emancipimi i tyre nuk është arritur ende. Mentaliteti është në vetvete një forcë dhe një mjet që përdoret për të penguar ecjen përpara të gruas, por në të njëjtën kohë i shton asaj dëshirën për ta mposhtur këtë pengesë".
Ariana Berberi pranon nevojën e një organizmi në Shqipëri që të synojë zhvillimin e bizneseve femërore. "Pse jo, mund të organizohen gratë, pasi ato mund të ndihmojnë njëra-tjetrën për të kaluar vështirësitë e përbashkëta", vë në dukje Ariana. Por është e prerë në mendimin se "nuk është momenti për të dhuruar, dhuratat nuk të zhvillojnë".
Për Ariana Berberin lavdia dhe fuqia nuk shkojnë tek ata që i kërkojnë, por vijnë pas një pune me përkushtim e me pasion.